Ka piktorë që e lënë gjurmën në telajo dhe ka të tillë që, përtej veprave, mbeten edhe në kujtesën e njerëzve që i njohën. Kujtim Buza ishte një prej tyre. Në ditën e fundit mes familjarëve, miqve dhe kolegëve, ata e sjellin të gjallë mes kujtimeve, ndërsa e vlerësojnë jo thjesht për talentin.
“Është një humbje e madhe jo vetëm për miqtë dhe familjen, por për artin tonë mbarë kombëtar. Buza nuk është një emër i thjeshtë. Është i lidhur me piktorin e madh Abdurrahim Buza dhe me një familje që vazhdon traditën e pikturës.”, thotë piktori Zamir Mati, mik i familjes Buza.
I rritur në studion e të atit dhe i shkolluar për pikturë në ish-Bashkimin Sovjetik, Kujtim Buza, me origjinë nga Gjakova, por i lindur në Tiranë, iu kushtua artit për më shumë se gjashtë dekada. Peizazhi ishte gjuha e tij e veçantë; Shqipërinë e parë përmes dritës, ngjyrës dhe një ndjeshmërie impresioniste. Por miqtë e kujtojnë edhe si njeriun që dinte t’i afronte artistët dhe t’u hapte rrugë të rinjve.
“Ai e donte shumë natyrën, vendin e vet, miqtë dhe kolegët. Deri para dy vjetësh kemi shëtitur duke pikturuar Shqipërinë dhe Arbërinë në Italinë e Jugut. Ishte një impresionist i lindur.”, thotë Nikolin Ivanaj, një ndër miqtë më të afërt të piktorit Kujtim Buza.
Drejtues i Galerisë Kombëtare të Arteve në vitet 1966–1969, pedagog, studiues dhe “Piktor i Merituar”, Buza la pas qindra vepra.
“Profesor Kujtimi ishte një ndihmë e madhe për talentet e reja. Dhe ai nuk e hoqi penelin nga dora; vazhdoi të punojë deri vonë. Tashmë figura e tij ka hyrë në historinë e artit shqiptar.”, thotë studiuesi i artit Ylli Drishti.
Por bashkë me humbjen, kthehet edhe një ide, e propozuar shtatë vite më parë nga ministrja e kulturës së asaj kohe: krijimi i një muzeu të familjes Buza, ku të bashkohen trashëgimia e Abdurrahimit, veprat e Kujtimit dhe të birit të tij, piktorit Sokol Buza.
“Muzeu për dinastinë Buza do thoja që është i domosdoshëm. Mund të ishin dy pika për mua. Një pikë mund të ishte Pogradeci, ku është dhe nëna e Kujtimit, origjina dhe bashkëshortja e profesorit. Dhe mua më ka treguar historinë se si kur erdhi nga studimet profesor Buza dhe ishte me pushime në Pogradec u njoh me bashkëshorten.”, vijon studiuesi Drishti.
Sot, veprat e Kujtim Buzës ruhen në shtëpinë e familjes dhe në fondet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Për kontributin e tij në artet pamore shqiptare, në vitin 1983 u vlerësua me titullin “Piktor i Merituar”.





Komente
Komento