Lamtumirë Roland Trebicka!
Miqtë kujtojnë aktorin

Lamtumirë Roland Trebicka! <br />Miqtë kujtojnë aktorin
TIRANE - Roland Trebicka ishte më modesti ndër aktorët e mëdhenj. Nuk i pëlqente lëvdatat e tepërta, nuk i shkoi mendja për ndonjë titull, i mjaftonte dashuria e publikut. Jeta e tij u fik në mënyrë të beftë, në çastin që kishte filluar të shpresonte se po ia hidhte vdekjes. 20 ditë më parë e kishte thënë me gojën e tij, fjalën “ia hodha”, tregon aktori i njohur Luftar Paja. Ai mendonte se e kishte luftuar sëmundjen me ringjitjen në skenë, me rolet, me vullnetin e tij. Por ishte e vetmja herë që fatkeqësisht “gaboi”. Roland Trebicka, nuk e ndau kurrë dhimbjen e tij me të tjerët. U la pas si dhuratë humorin, dashurinë dhe sidomos publikut “lumenjtë e gazit”, siç thotë edhe kolegu i tij Bujar Asqeriu. Një lumë njerëzish kishin ardhur për t’i dhënë lamtumirën dje dhe derdhën lot pa fund për Roland Trebickën. Miq, aktorë, politikanë, personalitete të larta, përfaqësues të ambasadave, artistë, njerëz të thjeshtë e mbushën këtë ceremoni mortore me emocione të dridhshme. “Roland Trebicka ishte një aktor i madh, dhe nuk mund ta përkufizojmë vetëm në atë përcaktim që i bëhet se ishte aktor i komedisë. Ai ishte edhe aktor i komedisë, edhe i dramës, edhe i tragjedisë. Unë mund të kujtoj rolin e tij tek “Gomonia” që ishte dramatik, tek “Hekurat”, etj. Trebicka ishte një aktor i aftë për të luajtur të gjitha rolet, ehde në film”, tha dje gjatë ceremonisë mortore regjisori i njohur Mihal Luarasi. Gjatë kësaj ceremonie folën për Shqiptarja.com regjisori që e zgjodhi për rolin e Jovan Bregut, Alfred Bualoti; aktori Luftar Paja që 20 ditë më parë kishte pirë kafen e fundit me te; aktorja Anila Bisha që e priste me makinën e saj, kur mbaronin provat ta çonte në shtëpi deri dy javë më parë, Edi Luarasi që e çmon për kurajën që i dha në skenë, Bujar Asqeriu për rolin e fundit te “Ëndrra e Ismail Qemalit”, ku të dy ishin personazhe negative, etj.

Luftar Paja: Para 20 ditësh Trebicka më tha se ia hodha vdekjes

“Siç e shihni sot, jo vetëm skena shqiptare po qan, por po qan dhe moti. Trebicka është një nga yjet që u shkëput para kohe nga skena shqiptare. Sëmundja e pamëshirshme e mori dhe nuk e la që të soste misionet e tij. Me Rolandin në 10-vjeteshin e fundit në Tetarin Kombëtar kam patur pjesë në dhjetë vepra artistike, siç janë “8 persona plus”, “Inspektori” i Gogolit, “Ëndërr për një karrige”, etj. Para 20 ditësh e takova dhe pimë nga një kafe tek “Aleanca” ngjitur me Teatrin Kombëtar dhe kur e pashë aq mirë, sepse ai edhe kujdesej shumë për estetikën jashtme dhe m’u duk aq i qetë, u gëzova së brendshmi. I thashë: More Landi ia dole mbanë. E hodhe, më duket. Dukesh shumë mirë me shëndet. Ai më thotë: Edhe unë kështu them. Më duket se ia hodha vërtetë”. Por Rolandi nuk ia hodhi dot vdekjes. Të dy ishim gabuar”

Edi Luarasi: Trebicka më dha zemër kur u riktheva në skenë

“Ishte aktor i madh edhe në role të vogla. Mua më pëlqente shumë edhe në dramë, madje më pëlqente për profesionalizmin e lartë. Ishte aktor i mirë komik, por kishte arritje aq të larta me rolin, sa mua vet më pëqlente më shumë në dramë se në rolet komike. Më dukej se arrinte përsosmëri aty ku ishte roli më i vështirë. Madje unë kam kujtime shumë të bukura nga Landi, kur u riktheva në Teatër pas dënimit që kisha marrë. Kthehem në skenë për herë të dytë. Kisha emocione merak sesi do të më priste publiku pas kaq viteve. S’kisha besim në vetvete. Dhe nuk kam për ta harruar se sa mbarova shfaqjen më bie dera e kabinës ku po ndërroheshim dhe ishte Landi. S’e harroj atë çast, kur erdhi ai posaçërisht të më thoshte “Je shumë mirë, je shumë mirë”. Kjo kishte një rëndësi të madhe për mua. Kjo më tregoi edhe sesa njeri i madh ishte Landi”.

Bujar Asqeriu: Trebicka u ka shtuar jetën shqiptarëve


“Po të kujtosh të gjitha rolet e tij, kupton se ka shkaktuar lumenj gazi, me të gjitha rolet, pa përjashtim. Me një fjalë, ai u ka shtuar jetën shqiptarëve. Shumë veta e kulmojnë rolin artistik me atë të Jovan Bregut, por unë do të thosha se ai ishte një aktor shumëdimensional. Ishte një nga më sugjestionuesit, jo vetëm për publikun, por edhe për kolegët me të cilët luante në skenë. Ishte i beftë në skenë dhe nganjëherë nuk mund të mbaje dot të qeshurën gjatë rolit me të, ishte një talent i papërsëritshëm. Tek roli i fundit, “Ëndrra e Ismail Qemalit” kisha një skenë skenë bashkë me të. Sëmundja e tij ishte agravuar në mënyrë të tejskajshme dhe ai ishte i bindur se skena do t’ia shtonte jetën. Bënte humor para se të hynim në skenë. Ismail Qemali kishte një monolog që thoshte se “unë po përpiqem për Shqipërinë, por ka dhe njerëz të tillë që më sulmojnë mua dhe nuk ia duan të mirën Shqipërisë. Dhe ai me humor më thoshte mua: “E ka fjalën për ne të dy”, se në fakt ne ishim personazhe negativë”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha

'Anonimët në qeveri, sy shkelje ndaj teatër-opozitës', Basha: Rama u tha socialistëve, s'ka rëndësi kush ikën e vjen, këtu jam unë dhe Berisha