Lamtumirë Skënder Sallakut!
Përcillet për në banesën e fundit

Lamtumirë Skënder Sallakut!<br />Përcillet për në banesën e fundit
TIRANË- Mes homazheve është përcjellë sot për në banesën e fundit aktori i humorit Skënder Sallaku.
 
Politikanë, njerëz të artit ishin të pranishëm për t'i bërë nderimet e fundit në homazhet e realizuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat u mbajtën në Teatrin Kombëtar deri në orën 13.00.

Më pas, artisti u përcoll për në varrezat e Tufinës. 

Shumë artistë kanë lënë shënimet e tyre në librin e kujtimeve për figurën e Sallakut.
 
Arkivoli i mbështjellë me flamurin kombëtar ishte i mbuluar me buqeta lulesh.
 
Zemra e "Artistit të Popullit", aktorit të dashur të humorit dhe Cirkut të Tiranës, Skënder Sallaku, ndali së rrahuri mëngjesin e djeshëm.
 
Ikona e humorit u nda nga jeta në moshën 79-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, që e kishte vënë poshtë prej gati një muaji.
 
Ish-kampioni kombëtar në Mundje Klasike, që për dhjetëra vite dhuroi buzëqeshje për të gjithë shqiptarët ishte shtruar në spitalin “Nënë Tereza”, ku i ishte nënshtruar dy operacioneve në stomak.
 
Sallaku vuante nga sëmundja e kancerit në stomak dhe kishte rënë në koma që në orën 23:00 të mbrëmjes së djeshme.
 
HOMAZHET SOT

ORA 11:00
Parodistët e Vlorës: "Kemi ardhur enkas nga Vlora për ta përcjellë. Ngushëllimet ia japim familjes, Tiranës së dashur që e donte shumë. I japim lamtumirën kollozit të humorit shqiptar, që ka bërë histori, epokë në vitet e vështira ku ai shkrinte buzëqeshjen, duke pasur parasysh problematikat e kohës.
Është ylli më i ndtishëm i humorit shqiptar. Duhet të mbetet pikë referimi për artistët e rinj.
Është e trishtë të flasësh në këtë Shkurt të trishtueshëm që rrëmbeu katër artustë. Ishte pika e fundit e këtij gjerdani të fundit që u nda nga ne.
Çdo lloj familjeje e ndien sot.Koha sot qan. Dje ishte 400 vjetori i Tiranës. Dukej që ishte tiranas me rrënjë të thella".
 
ORA 11.10
Sali Berisha lë shënimin e tij në librin e kujtimeve.
 
ORA 11.15
Sali Berisha, ish kryeministër i Shqipërisë: "Skënder Sallaku me lojën e tij, në terrin e ngricën sillte në zemrat e vatrat e shqiptarëve gëzim, por dhe shpresë. Humori gjithnjë ka krahas rolit të tij artistik dhe dimensionin tjetër, të cilin Skënder Sallaku ia doli me talentin e rrallë ta gërshetojë shumë bukur. Ngushëllime të sinqerta familjes, artit tonë skenik, jetës kulturore.
Skënder Sallaku u nda si artist i madh kombëtar".

ORA 11.35
Lulzim Basha, kryetari i Bashkisë së Tiranës, kreu i PD-së: “Kjo është hera e parë dhe e fundit që Skënder Sallaku na fal trishtim dhe besoj se këtë do t’ia flasim se me jetën dhe veprën e tij gjatë ekzistencës së viteve më të vëshira, arriti të falë gaz, hare e bëri të harronin hallet qoftë për momentin e performancës së tij apo ripërsëritjes së saj në gojën e kujtesën e shqiptarëve, çaste të vështira që kalonin duke e përjetësuar në kujtesë si ikonë e humorit, artist me talent të jashtëzakonshëm, frymëzimi i të cilit buronte nga të qenit qytetar shembullor, familjar shembullor dhe të përfituarit përmes të qenit një njeri i tillë përmes hmorit në gjirin e Shqipërisë dhe shumëfishimit të tij duke kapërcyer sfidat.
Do të na mungojë shumë, kolegëve, familjarëve, qytetarëve të Tiranës. Do të më mungojë mua personalisht.
Pata fatin e mirë ta takoja vetëm pak javë më parë, mbushur me optimizëm, humor.
Shpirti i tij u prehtë në paqe. Vepra e tij është e pa harruar".

ORA 11.50
Ilir Meta nderon trupin e pajetë të artistit dhe lë shënime në librin e kujtimeve.

Ilir Meta, Kryetari i Kuvendit: “Është një çast tepër i dhimbshëm të ndahesh me një artist tepër të madh aq më tepër me një artist të madh të humorit si ishte Skënder Sallaku. Por jam i bindur se njerëz të tillë, artistë të tillë lënë vlera të cilat i bëjnë ata të përjetshëm dhe na bëjnë të gjithëve të ndihemi të detyruar dhe mirënjohës. Ngushëllimet me të sinqerta gjithë familjarëve të z. Sallaku, të gjithë kolegëve të tij dhe jam i bindur se figura e tij do të jetë një figurë që do të ndihmojë brezat më të rinj për të ecur në këtë traditë të shkëlqyer që ai ka lënë pas”.
 
ORA 12.00
Aktori Fadil Hasa nderon trupin e kolegut dhe mikut të tij dhe lë shënime në librin e kujtimeve.

ORA 12.10
Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro lë shënim në librin e kujtimeve.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane