Landi i Tirolit të Austrisë organizoi “Ditën e Kullotjes në Kosovë”

/ATSH/-Landi i Tirolit të Austrisë organizoi për herë të parë "Ditën e Kullotjes në Kosovë", që u mbajt sot në Gurakoc të Istogut.
Pas organizimit me sukses gjatë vitit të kaluar të "Ditës së Gjelbër" dhe "Ditës së Plehërimit Ekonomik", që u zhvilluan në Kosovë më maj dhe në tetor 2014, është dëshmuar se fermerët kosovarë janë të interesuar për çështje që lidhen me trajtimin profesional të bujqësisë.
"Dita e Kullotjes në Kosovë", në qendër të vëmendjes pati menaxhimin e tokave bujqësore dhe të fushave të shfrytëzueshme ku fermerë nga e gjithë Kosova kanë marrë mësim praktik nga ekspertët e njohur ndërkombëtar të kësaj fushe Prof. Dr. KarlBuchgraber dhe JohannHäusler nga Qendra për Mësimdhënie dhe Hulumtime Kërkimore të Raumberg-Gumpenstein të Austrisë.
Ata demonstruan shembuj praktik të standardeve ndërkombëtare të menaxhimit të fushave të gjelbëruara ku bujqit kosovarë mësuan praktikën më të mirë se si ta lehtësojnë punën në të mirë të fermave të tyre.
Po ashtu janë trajtuar temat që lidhen me Menaxhimin e Kullotjeve; Sqarimin e funksionimit të aparaturës elektrike të gardhit për kullotje; Demonstrimi praktik i udhëzimeve të përdorimit të gardhit elektrik për kullotje; Mirëmbajtja e kullotjes; Fekondimi i hapësirës së gjelbër dhe tokës së punueshme; Rimbjellja/Mbjellja e mëvonshme e hapësirave të gjelbëruara dhe të kullotave; Mbjellja e tokës së punueshme (Hapësirave të gjelbëruara dhe misrit).
Përfaqësuesi i Landit të Tirolit të Austrisë, Peter Logar, i cili është udhëheqës i projekteve në Kosovë, tha se kjo është hera e tretë që bëjnë organizime të tilla në Komunën e Istogut, për t'i trajnuar bujqit nga e gjithë Kosova. Ai u shpreh i kënaqur me të arriturat e bujqve kosovarë dhe premtoi vazhdimin e përkrahjes se tyre edhe në të ardhmen.
"Sa i përket kualitetit të qumështit, bujqit në Austri janë duke punuar qe 30 vite në këtë drejtim dhe atë përvojë ne do ta sjellim këtu, për bujqit e Kosovës. Këtu në Kosovë ka bujq shumë të vyeshëm dhe bujqësia këtu është burimi më i madh i të ardhurave kryesore të njerëzve, por me pak angazhim dhe me metoda shumë të thjeshta këta bujq mund ta rrisin sasinë e qumështit prej 40 deri në 50 për qind", tha Logar.
Ai u shpreh se do të ishin shumë të kënaqur në qoftëse 50 për qind të metodave të tyre do të praktikohen nga bujqit e Kosovës.
"Unë kisha dëshiruar që ta ndryshojmë edhe mentalitetin këtu, që njerëzit të mos shikojnë t'i marrin të gjitha pajisjet falë, pa kontribuar edhe ata në këtë drejtim" theksoi Logar, duke shtuar se Qeveria e Landit të Tirolit ka ndarë dy bursa për dy nxënës nga Komuna e Istogut.
"Qeveria e Landit të Tirolit ka ndarë dy bursa për dy studentë nga Istogu, të cilët do ta ndjekin mësimin për bujqësi duke ua mbuluar të gjitha shpenzimet", tha PeterLogar.
Ndërkaq, duke i falënderuar për organizimin e kësaj dite, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova tha se Qeveria austriake dhe populli i saje ka ndihmuar gjithmonë popullin e Kosovës në periudhën më emergjente, pas përfundimit të luftës e deri më sot.
Rugova tha se ndihma që Tiroli i Austrisë po ofron për bujqit e kësaj aneështë jashtëzakonisht e vlefshme dhe e nevojshme.
"Landi i Tirolit të Austrisë dhe Qeveria e Austrisë në përgjithësi janë prezent në territorin e Komunës sonë, por edhe në disa komuna tjera. Thjeshtë është mësimi nga udhëzimet më moderne se si mund të krijohen kullosat më produktive dhe si mund të rritet produktiviteti i qumështit në këto pjesë dhe në fermat përreth. Kjo është ideja dhe qëllimi që fermerët duke i marrë përvojat e vetë austriakëve me standarde të BE-së në përgjithësi ka rezultate siç e thanë edhe ekspertë austriak", tha kryetari Rugova. Ai u bëri thirrje të gjithë bujqve që t'i punojnë tokat sipas mësimeve të fituara nga ekspertë austriakë, në mënyrë që toka të jetë më produktive me kullosa të leverdishme dhe që të rritet sasia e qumështit në këto ferma.
Kryetari Rugova kërkoi që bashkëpunimi në fushën e bujqësisë, por edhe në sfera tjera të vazhdojë edhe më tutje dhe për këtë, ai tha se ka marrë premtime nga përfaqësuesit e Landit të Tirolit të Austrisë, se ata do të jenë prezent këtu edhe viteve të tjera./kosovapress/ 

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon votimin e detyrueshëm, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Energji e rinovueshme për objektet publike në Mirditë, BE mbështet realizimin projektit