Laperi: Gjergji Thimo më tregoi
foto se ku blinte ikonostaset

Laperi: Gjergji Thimo më tregoi<br />foto se ku blinte ikonostaset
TIRANË - A po trafikohet thesari kombëtar? Është tema e sotshme e emisionit “Urbanika” në "A1 Report". Në qendër të diskutimit, buja e 1077 veprave të artit të sekuestruara dje në Tiranë.  Të ftuar janë specialistë të monumenteve të kulturës si; Gjerak Karaiskaj, Eleni Laperi, Auron Tare.

LAPERI: GJERGJI THIMO MË TREGOI ME FOTO SE KU BLINTE IKONOSTASET
Studiuesja e arteve figurative, Eleni Laperi dëshmoi nga njohja dhe komunikimi vite më parë me të akuzuarin si trafikant apo posedues i paligjshëm i ikonostaseve, Gjergji Thimo:
"Gjergji më thoshte që blinte dhe koleksiononte ikona. Kishte njerëz që sillnin, shisnin në ato vite. Shqiptarët ishin shumë të varfër, ata panë që kishin diçka të vjetër dhe e shihnin si burim fitimi. Shumë të huaj kanë blerë ato vite. Shumë emigrant kanë marrë ikona dhe i kanë shitur për një copë bukë në Itali dhe Greqi". Eleni ka shtuar se "Gjergji më ka treguar fotografi, që dëshmonin se si ua kishte blerë personave që i kishin nëpër shtëpi. Dhe i thashë" si ka mundësi në shtëpi ikonostase?!". "Të merret në mbrojtje trashëgima, se kemi pasuri të jashtëzakonshme, kemi vlera që nuk njihen, shumë janë dëmtuar. Nuk njihen", u shpreh Laperi.

KARAISKAJ: PO MOS I RUANTE INSTITUTI I MONUMENTEVE S'DO KISHIM ASNJË IKONË
"Nuk e kemi të qartë: bëhet fjalë për koleksionist apo vjedhje. S’e kemi të qartë pse është bërë. Tek koleksioni i sekuestruar ka ikona shumë me vlerë, të nivelit të Onufrit apo ka pjesë ikonostasi. Që tregojnë që s’mund të jenë të trashëguara nga familja", thotë Gjerak Karaiskaj, ish-drejtor i Institutit të Monumenteve. Ai ka shtuar se "në kemi ikona është meritë e Institutit të Monumenteve; ata që e ditën se do ndryshonte sistemi filluan vjedhjen e ikonave, që janë pjesë e kishës dhe duhet të qëndronin në kishë; nëse këto ikona s’do kishin qëndruar në Institut nuk do të kishte asnjë ikonë në Shqipëri, do ishte zero dhe ikonat tona më janë dukur më të vlefshme se ato ruse të Mesjetës, për shembull". Karaiskaj është shprehur i shqetësuar "sidomos për monumentet e palëvizshme se ato të lëvizshme mund edhe të hiqen e mbrohen".

TARE: SEKUESTRIMI TREGOI SE NUK KEMI PASUR SHTET, JAM OPTIMIST PËR KËTEJ E TUTJE
Specialisti i monumenteve, Auron Tare theksoi se "koleksioni i sekuestruar dje duket me vlerë nga jashtë, por fjalën e fundit do ta thonë ekspertëT". Sipas Tares, “fakti i gjetjes tregon se Shqipëria nuk ka pasur shtet për gjetjen e pasurive. Fakti që këta njerëz kanë të tilla objekte me sy them se janë shkulur nga kisha, do të thotë që s’kemi pasur shtet. Të dëgjosh që u vodh një kishë diku tek ne është gjë normale. Deri më sot s’kemi parë asnjë rast që të jetë ndaluar, kontrolluar për atë që ka në shtëpi. Jam optimist dhe do ketë dhe raste të tjera të tilla. Do ketë aksione të tjera jo vetëm në bllokimin e trafikikmit. Jam optimist që situate do ndryshojë Më shqetësojnë monumentet e palëvizshme".

HOXHA: KOLEKSIONISTËT E RREGULLT I KARTELIZOJNË VEPRAT E ARTIT
Luli Hoxha, nëndrejtore e Muzeut Historik Kombëtar u shpreh se "edhe në muze ka njerëz që afrohen dhe sjellin objekte, por më shumë me to janë marrë koleksionistët."
Ajo shtoi se "se sa janë koleksionistë apo trafikantë, kjo nuk është e vështirë për ta vërtetuar, sepse koleksioniti që ndjen se i ka veprat e veta hapi i parë që bën i drejtohet Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive. I kanë objektet të kartelizuara, në formë dixhitale pranë qendrës. Në 2010 është dhënë një urdhër i prerë për kartelizimin e plotë të objekteve në muze. Çdo gjë në muze pajiset me kartelë personale dhe depozitohet pranë qendrës kombëtare të pasurive kulturore. Çdo njeri i ndërgjegjshëm të parën gjë që bën është kjo: e deklaron".  Nëndrejtoresha shtoi se "në 1999 në MHK u shtua pavijooni i Ikonografisë në Muze, vepra nga më të mirat, ku kryeson Onufri. Janë 68 ikona, një ikonostas dhe dy dyer nga Mesjeta".

BUZHEKU: THIMON S'E QUAJMË DOT HAJDUT, NUK VËRTETOJMË DOT NËSE I KA VJEDHUR VETË
Enida Buzheku, avokate e ftuar në emision shpjegoi se "nuk e vërtetojmë që i ka vjedhur fizikisht Thimo apo i kanë vjedhur të tjerë. Nga dëshmi si kjo e zonjës Laperi mësojmë se ai paska qenë dorë e dytë apo e tretë. Nga ana teknike, dënohet më pak ai që nuk i ka vjedhur vetë".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë