Joan Laporta fitoi zgjedhjet presidenciale te FC Barcelona, një rezultat për të cilin festoi edhe vetë Hansi Flick, me trajnerin gjerman që edhe më parë e kishte bërë të qartë se preferonte vazhdimësinë për t’i dhënë stabilitet projektit.

Flick i ka hapur tashmë bisedimet në lidhje me rinovimin e kontratës së tij me Barcelonën dhe praktikisht ishte arritur edhe pakti dhe pritej vetëm rizgjedhja e Laportës në krye të klubit katalanas.

Marrëveshja mes palëve është zgjatja e kontratës edhe për një vit tjetër, deri në vitin 2028, një vit kur Hansi Flick pritet ta quajë të mbyllur ciklin e tij te Barcelona ku ai u transferua në verën e 2024-s.

Bisedimet për rinovimin e Flick nisën në fund të vitit të kaluar, por gjithçka u mbyll në një takim mes Laportës, Flick dhe agjentit të tij Pini Zahavi të zhvilluar në muajin shkurt në Barcelonë.

Trajneri gjerman preferoi që njoftimi për qëndrimin e tij në pankinën katalanase të shtyhej për pas zgjedhjeve, me Flick që donte të vazhdonte të ishte në pankinën e Barcelonës nëse vijonte projekti me Laportën në krye të klubit. Tani gjithçka pret zyrtarizimin.


Lajmi kryesor:

Joan Laporta rizgjidhet president i FC Barcelonës: Na presin vite emocionuese