TIRANE- Ndonëse kreu i bashkisë, Lulzim Basha, pati premtuar se nuk do të ketë zëvendësime të punonjësve aktualë, por vetëm ristrukturime ndërmarrjesh, në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Jo vetëm administrata e bashkisë, por edhe punëtorët e thjeshtë duke filluar që nga marangozët, rojet, pastrueset, saldatorët apo teknikë janë larguar nga puna dhe në vend të tyre janë marrë të tjerë. Kështu, vetëm në ndërmarrjen nr.3 të punëtorëve të kryeqytetit, e cila merret me mirëmbajtjen e shkollave, kopshteve dhe çerdheve, janë larguar nga puna që nga shtatori i vitit të kaluar plot 56 punonjës. Siç edhe shikohet nga lista që shoqëron këtë shkrim ata janë punëtorë të thjeshtë, që kujdesen që këto 157 institucione arsimore të jenë në rregull për të pritur nxënësit dhe të vegjlit, dhe i vetmi kualifikim që kanë është eksperienca e gjatë e punës. Ata i kanë nisur një letër të gjatë “Avokatit të Popullit”, ministrisë së Financave, por edhe vetë kreut të bashkisë Lulzim Basha për verifikim të procedurave të largimit të tyre nga detyra dhe pagesave që ata marrin si dhe të ndërhyhet që të ndalen procedura të tilla.

PRETENDIMET
Pjesa më e madhe e 56 punonjësve të pushuar nga puna të kësaj ndërmarrje kanë hapur proces gjyqësor ndaj bashkisë së Tiranës. Ata thonë se punojnë në këtë sektor të bashkisë së Tiranës që prej 20 vitesh dhe asnjë prej kryetarëve të ndërruar ndër vite nuk i ka lëvizur nga puna, siç është vepruar këtë herë. “Unë merrem me izolimin e çative të shkollave, kur ata pikojnë shkojmë dhe u hedhim zift. Kam qenë në këtë vend pune, edhe kur ka ardhur Sali Kelmendi, edhe kur bashkinë e ka marrë Albert Brojka, dhe me Edi Ramën. Askush nuk na ka lëvizur nga puna, pasi ne nuk jemi drejtorë, por punëtorë të thjeshtë. Ndërsa këtë herë janë hequr thuajse të gjithë dhe i kanë zëvendësuar me njerëzit e tyre”, - na thonë disa prej punonjësve të kësaj ndërmarrje që e kanë emrin në listën e të pushuarve nga puna. Ata na thonë se në fakt kjo listë është hartuar disa muaj më parë, ndërsa së fundmi lapsi ka kapur edhe disa punëtorë të vjetër për t’u zëvendësuar me të rinj, ndërsa ata kanë hapur proces gjyqsor. Shkurtime masive ka pasur edhe në shumë ndërmarrje të tjera të bashkisë, dhe nuk bëhet fjalë vetëm për drejtuesit, por për të gjitha pozicionet.
(Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)