SHKUP- Kryetari i Komunës së Dibrës, Ruzhdi Lata vlerëson se shërbimet sekrete nga Ballkani nxisin vullnetarët shqiptarë të shkojnë të luftojnë në Siri.
“Këto shërbime sekrete i nxisin shqiptarët vullnetarë të luftojnë në Siri në radhët e opozitës së atjeshme që lufton kundër forcave qeveritare”, ka deklaruar kryetari Lata për të përditshmen maqedonase ‘Dnevnik’ .

Lata ka thënë se motivi kryesor pse vullnetarët shkojnë në Siri nuk është lufta për fenë islame por krijimin e përçarjeve mes myslimanëve. Ai është shprehur se me këtë merren të gjitha shërbimet në rajon.

“Më shumë  me këtë punë merret shërbimi sekret serb, por edhe shërbimet tjera. Qëllimi është të përhapet përçarje mes myslimanëve dhe ata të përplasen mes tyre.  Të rinjtë shqiptarë e pranojnë këtë lloj të indoktrinimit sepse dëshirojnë të ndjehen të rëndësishëm dhe faktor me peshë”, thotë ai për gazetën e Shkupit.

“Pas kësaj nuk qëndrojnë predikime radikale islame dhe në Maqedoni nuk ekzistojnë islamikë radikal. Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë as ideologji dhe  as mundësi materiale për islam të tillë”, ka thënë Lata për “Dnevnik”. 

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)