Lavdi për Arbenin

Lavdi për Arbenin
Me Arben Xhaferin njihesha që nga viti 1967. Kemi studiuar filozofinë në Beograd në të njëjtën kohë, vetëm se ai ishte një vit pas meje. Që nga kontaktet e para, ato në fillim nuk kanë qenë aq të shpeshta, Arbeni dhe unë kishim një respekt të veçantë për njëri-tjetrin. Nuk kemi qenë shokë të ngushtë gjatë studimeve, por sa herë që na u kryqëzonin rrugët, disi na forcohej respekti i ndërsjellë. Ne kishim disa tema të përbashkëta të bisedave që në ato vite pothuajse fare nuk kanë qenë politike.

Llafosnim për kulturën, filmat, filozofinë. Ai e adhuronte .Niçen, e unë i kisha dro Niçes sepse më dukej tepër influencues, sikur ta merrte frymën.
Në vitin 1968 kur Arbenin e patën burgosur në Tetovë me akuzën se ka qenë ndër organizatorët e demonstratave për Ditën e Flamurit, një grup studentësh të filozofisë e pat bërë peticionin për lirimin e tij. Unë nuk kisha informata për burgosjen dhe peticionin, por kur më njoftuan kolegët e nënshkrova atë. Nuk di nëse ai peticion ka pasur efekt, por Arbeni u lirua pas ca kohe, ndoshta edhe për faktin se ai dhe vëllai i tij, Agimi, për mbrojtës kishin avokatin e njohur “disident” Jovan Baroviqin. Por, as pas këtij lirimi, në kontaktet tona nuk pat hyrë politika. Ne kishim konsiderata intelektuale edhe kur ishim totalisht në margjina e të panjohur.
Gjatë viteve ’70 kur Arbeni ndërpreu studimet (i kishte mbetur vetëm diploma) dhe u punësua në RTP si redaktor, e unë pata mbetur në Beograd, Arbeni ka qenë i vetmi person që çdo herë që takoheshim më bënte “presion” të butë që të kthehem në Kosovë. Ne vazhdonim të bisedonim për kulturë dhe filozofi, aspak për politikë, por unë besoj se në insistimet e tij kishte një çik tendence kur më thoshte se “Kosovës i duheshin njerëzit me vizione të hapura”.
Po e theksoj këtë aspekt të kontakteve kryekëput intelektuale me Arbenin, sepse besoj thellë se as ai e as unë nuk kemi qenë të prerë dhe të gatuar për politikë. Vetëm pas vitit 1981 politika u bë fatum i përgjithshëm, dhe diku nga mesi i ’80 na trokiti edhe neve në derë duke na detyruar që të ndryshojmë jetët tona. Unë mëkatova me politikën para Arbenit, duke u bërë publicist dhe analist politik. Dhe për koincidencë, kam qenë unë ai që e ka bindur Arbenin që në vitin 1987 ta botojë një shkrim kozeri në revistën “Fjala”. Mbase ka qenë shkrimi i parë që e ka botuar në jetë, ku ai në pak rreshta shpalosi një talent deri atëherë të fshehur letrar si dhe të mendimtarit të hollë.

Nga fundi i viteve ’80 dhe fillimi i ’90-ve të shekullit të kaluar, ka qenë një periudhë kur u patëm bërë shumë të afërt. Kur e patëm nisur revistën javore Koha me Veton Surroin (seria e parë e viteve 1990-1991), Arbeni ishte ndër themeluesit e revistës dhe me rekomandimin tim filloi të shkruante kolumne të rregullta politike me një zë e stil brilant dhe argumentim reflektues që e shquante nga zërat tjerë. Njëkohësisht, kemi bashkëpunuar ngushtë edhe në themelimin e Partisë Socialdemokrate të Kosovës dhe në udhëheqësinë e saj kemi mbetur nga viti 1990 deri në vitin 1993.

Nuk po i shkruaj këto rreshta biografike të bashkëpunimit tonë për ta “përvetësuar” Arbenin me një kut timin, nga koha kur ai nuk ka qenë aq i njohur dhe me ndikimin që e ka arritur më vonë - jo vetëm në Maqedoni - por edhe në rrafshin gjithëkombëtar. Në ditën që më lajmëruan se ka vdekur, po mundona që në këtë përkujtim ta jap një kontekst që mund ta shpjegojë katapultimin e tij të shpejtë në politikën e lartë pas viti 1993, kur vendosi që të kthehet në Tetovë, duke e marrë drejtimin e Partisë Demokratike Shqiptare.

Qysh në vitin 1992 Ylber Hysa, Veton Surroi, unë dhe disa shokë të tij nga Prishtina, kemi provuar ta bindim Arbenin që të transferohet në Tetovë dhe ta marrë drejtimin e Partisë së Prosperiteti Demokratik, që në atë kohë ishte në krizë dhe manipulohej lehtë nga lidershipi maqedonas që drejtohej nga ish-komunistët me përvojë dhe tejet dinakë, siç ishte Kiro Gligorovi. Arbeni, i cili e kishte në Tetovë një rreth të njerëzve të brezit të tij me shumë ndikim, por që nuk e kishin talentin dhe reflektimin e tij politik, në vitin 1992 i rezistoi kësaj sfide, ngase edhe vetë nuk i besonte yllit të tij prej lideri. I mësuar prej vitesh që të reflektojë në hije, nuk e imagjinonte se mund të bëhej drejtues i shkathtë i një partie me përgjegjësi të mëdha historike.

Por në vitin vijues, 1993, e kuptoi edhe vetë se politika e shqiptarëve në Maqedoni nuk mund t’i lihet në duar liderëve aksidentalë që nuk ishin në nivelin e kërkesave historike dhe manipuloheshin dhe mashtroheshin lehtë. Arbeni ishte nisur një ditë pa shumë zhurmë në Tetovë, ku brilanca e tij intelektuale do të dallohej menjëherë duke sjell efekte këndellëse edhe te faktori shqiptar, edhe te ai maqedonas. Zhytja në politikë e një intelektuali gjithnjë e bënë atë me ca njolla, por Arbeni e dinte masën. Nuk ishte pa gabime, por edhe nuk pretendonte pagabueshmëri.

Si intelektual që ishte Arbeni pati sukses të jashtëzakonshëm në politikë. Mund të krahasohet vetëm më Ibrahim Rugovën, që po ashtu në politikë hyri si meteor, me një background paraprak akademik dhe intelektual. Por dallimi mes Rugovës dhe Xhaferit është se i pari, me të hyrë në politikë, e la krejtësisht punën intelektuale, kurse i dyti duke hyrë në ujërat e politikës së lartë, e ngritë atë në një mjeshtri të rrallë intelektuale. Nuk bënte vetëm fjalime dhe reagime ditore, por krijoi një sërë studimesh dhe esesh tejet domethënëse ku trajtonte tema të ndryshme, prej atyre të çështjes kombëtare, deri të reflektimet për vendin e shqiptarëve në politikën dhe kulturën bashkëkohore.

Arben Xhaferi ishte ndër politikanët e rrallë në botën shqiptare, por edhe në rajon, që politikën e bëri njerëzore, të dinjitetshme dhe të lavdishme.
Marrë nga gazeta Express

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

“Tre euro më shumë në faturë për çdo pjatë bosh!”, zgjidhja e restorantit malor në Itali zemëron klientët

“Tre euro më shumë në faturë për çdo pjatë bosh!”, zgjidhja e restorantit malor në Itali zemëron klientët