TIRANE, 5 Dhjetor/ATSH/-Në 102 vjetorin e saj, Posta Shqiptare ofron rreth 80 shërbime, postare dhe financiare nëpërmjet 553 zyrave të ngritura gjatë viteve në Shqipëri, duke u bërë në këtë mënyrë një faktor i rëndësishëm e me vlerë në shoqëri.
Në këtë përvjetor të rëndëSishëm për "postierin dixhital",në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është çelur sot pasdite ekspozita filatelike me qëllim evidentimin e pullave postare dhe asaj shqiptare në veçanti.
Ndërkohë që për të pasionuarit, pulla mbetet një objekt me vlerrë që koleksionohet me dashuri edhe në ditët e sotme.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë zv.ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Brunilda Paskali, Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë Nikolin Jaka,por vecanërisht të gjithë koleksionistët shqiptarë, ata nga Italia e Kosova, Posta e Maqedonisë dhe Shoqata e Filatelistëve të cilët vazhdimisht kanë qënë të gatshëm për të marrë pjesë në aktivitete të tilla duke kontribuar me ekspozimin e koleksioneve të tyre.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi theksoi se sot në postë kryhen të gjitha shërbimet që mund t'i nevojiten një qytetari në përditshmërinë e tij, pa pasur nevojën që të ndalojë nga njëra zyrë në tjetrën për të paguar detyrimet apo për të tërhequr pagesa.
"Vizioni i Postës Shqiptare, për të qëndruar sa më parën qytetarëve dhe për t'u shërbyer atyre kudo, me shpejtësi dhe siguri, ka bërë që Posta Shqiptare të ecë e vendosur drejt zhvillimit, duke mbështetur teknologjitë e reja dhe inovacionin, duke ruajtur kështu besimin e klientëve të kësaj kompanie", nënvizoi Lazimi.
Posta Shqiptare është një kompani që ka dhënë kontribut të madh në komunikimin e qytetarëve, që në kohët kur nuk ishin as teknologjia e avancuar as interneti apo telefonia celularë.
Por për Majlind Lazimin , Posta Shqiptare tashmë duhet të ketë ambicien për t'u kthyer në një institucion lider në treg duke ofruar një gamë më të madhe shërbimesh postare, financiare, bankare, etj. Ai thekson se Posta Shqiptare do të jetë gjithnjë e gatshme që sfidat t'i kthej në mundësi zhvillimi për këtë sektor shërbimesh kaq të rëndësishëm për vendin.









