Gjykata Kushtetuese "mund të marrë çdo vendim, mirëpo deputetët janë ata që përfundimisht do të vendosin dhe kanë vendosur për këtë vend", tha sot kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas një takimi të tre liderëve të koalicionit të pas zgjedhjeve parlamentare të parakohshme të 8 qershorit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i nominuar për kryeministër nga koalicioni paszgjedhor me LDK-në e Nisma-n tha se "për çdo pengesë zgjidhja buron tek 2/3 e deputetëve të zgjedhur që e kanë dhënë betimin".

Ndërsa kreu i Nisma-s, Fatmir Limaj, u shpreh i sigurt se, "ky koalicion do t'i ndërtojë institucionet, sepese është ky vullneti i shumicës së deputetëve të Parlamentit të Kosovës".

Dje u njoftua zyrtarisht se Mustafa ka pezulluar të gjitha aktivitetet në cilësi të kryeparlamentarit, pasi ka pranuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, aplikohet masa e përkohshme - pezullohet vendimi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës në seancën konstituive të 17 korrikut dhe kërkohet që Kuvendi të përmbahet nga çdo veprim deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës. /ATSH/