PRISHTINË, 3 Gusht /ATSH-B.Jashari/ -Koalicioni LDK-AAK-Nisma, i pas zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit, i deklaruar edhe si grup i përbashkët parlametar, paralajmëroi sot se vendimet e qeverisë së Kosovës, që është në përfundim të mandatit, do jenë subjekt i rishikimit dhe anulimit.
Në një komunikatë, "Koalicioni LDK-AAK-Nisma edhe njëherë shprehë shqetësimin për vendimet që qeveria në largim vazhdon t'i marrë".
"Këto vendime janë të dëmshme dhe të çuditshme, dhe të gjitha do të jenë subjekt i rishikimit dhe anulimit", shprehet koalicioni paszgjedhor.
Në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh, LDK me 30, AAK me 11 e Nisma me 6, së bashku kanë 47 deputetë të koalicionit paszgjedhor të deklaruar edhe si grup i përbashkët parlamentar, ndërsa për krijimin e qeverisë duhen së paku 61.
Koalicioni parazgjedhor i PDK-së me katër parti të vogla ka 37 deputetë.
Asnjëri nga koalicionet nuk mund ta formojë qeverinë pa mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje me 16 deputetë apo edhe të komuniteteve pakicë që kanë 20 deputetë, 10 prej tyre serbë. Edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe subjektet e pakicave kanë deklaruar kushtëzimet e tyre. /gj.m/