Komuna e Prishtinës pas dhjetë muajsh qeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje ende nuk po arrin të përmbushë detyrimet ligjore që ka ndaj qytetarëve të saj.

Në një konferencë për shtyp, të organizuar nga grupi i këshilltarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, këshilltari Agim Gashi tha se "komuna e Prishtinës ende nuk i ka riparuar plotësisht dhe nuk ka bërë testimin e funksionimit të sistemit të ngrohjes gjatë verës".

Sipas Kosovapress, Gashi tha se ende ka institucione ku sistemi ka prishje serioze dhe deri më tani ende nuk është ndërmarrë asgjë.

"Edhe pse zyrtarët e komunës së Prishtinës i thanë opinionit se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor e vërteta është se javën e kaluar në shumë shkolla nuk pati ngrohje. Tani edhe pas dy javëve në sezonin dimëror, institucionet shkollore të kryeqytetit janë të furnizuara vetëm për dy ose tri ditë me lëndë djegëse", theksoi Gashi.
Sipas tij, komuna ende nuk ka kontraktuar kompani furnizuese për lëndë djegëse.

Ai tha se ka edhe shqetësime të tjera për mosrealizimin e punëve nëpër sektorë të tjerë nga Komuna e Prishtinës, madje shtoi se kjo që ka ndodhur me ngrohjen është vetëm njëra nga dështimet në sektorin e arsimit gjatë qeverisjes dhjetë mujore të Shpend Ahmetit.

E duke folur për parkingun e makinave, Gashi u shpreh se projekti për parkingun ka filluar para dy vitesh sepse Drejtoria e Shërbimeve Publike në atë kohë ka bërë punë, të cilat kjo qeverisje sot vetëm po i vazhdon.

ATSH