PRISHTINË, 20 Nëntor/ATSH/.- Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një njoftimi për media reagon ndaj deklarimeve të liderëve të AAK-së dhe VV-së, për siç i quajnë ata, shpifjet e tyre ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
"Është shqetësuese tendenca e këtyre liderëve që të përbuzin dhe denigrojnë personalitetin e liderit të LDK-së, me të cilin këta arritën marrëveshje për bashkëqeverisje dhe të cilin e pranuan si lider të koalicionit paszgjedhor", thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas KosovaPress, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes këtij njoftimi, thotë se i gëzohet faktit që nuk janë më në koalicion me AAK-në dhe VV-në.
"LDK-ja i gëzohet faktit se tani është kuptuar qëllimi i vërtetë i liderëve të AAK-së dhe VV-së, që si duket nuk është ndryshimi i qeverisjes, por dëmtimi dhe denigrimi personal i liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kur dëgjojmë këto vlerësime, na vjen keq që kemi mbajtur shpresa në realizimin e planeve të mëdha, por i gëzohemi faktit që nuk jemi në ekip me personalitete të tilla", thuhet në reagimin e tyre dërguar mediave.
Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes këtij njoftimi, po ashtu fton tërë spektrin politik në Kosovë, të distancohet nga qëndrimet e tilla që polarizojnë dhe helmojnë skenën politike, dhe të bashkëpunojnë për themelimin e institucioneve të Kosovës./m.m/








