Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike të arritur me Lëvizjen Vetëvendosje për tejkalimin e krizës institucionale, duke i dhënë njëkohësisht mbështetje zyrtare kandidaturës së Bekim Sejdiut për President të Kosovës.

Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së partisë, e cila, sipas LDK-së, miratoi marrëveshjen e negociuar nga ekipi i saj dhe nominimin e Sejdiut për kreun e shtetit.

Në deklaratë, LDK thekson se ky vendim synon garantimin e stabilitetit institucional, funksionimin normal të rendit kushtetues dhe shmangien e një krize të re politike.

Partia e vlerëson Bekim Sejdiun si një figurë me përvojë në fushën kushtetuese dhe diplomatike, duke theksuar se ai mund të ushtrojë detyrën e presidentit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe dinjitoze.

Sipas LDK-së, kandidatura e Sejdiut synon zgjedhjen e një presidenti që qëndron mbi ndarjet partiake, respekton Kushtetutën dhe përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë vendit, me orientim të qartë euroatlantik.

Kryesia u bëri thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që gjatë votimit të veprojnë në përputhje me vendimet e partisë.


Lajmi kryesor:

Kosovë, PDK dhe AAK refuzojnë kandidatin konsensual për president! Hamza: S'e votojmë Sejdiun! Gjini: S'kemi asnjë detyrim ndaj marrëveshjes LVV-LDK