“2016-a, viti i Policisë
kundër kriminalitetit”

“2016-a, viti i Policisë<br />kundër kriminalitetit”
Unë jam këtu për të ndarë me ju rezultatet kryesore të vitit 2016 dhe sfidat për vitin 2017. E në fakt, në pikëpamjen tonë, viti 2016 ishte një vit që, falë punës së palodhur të punonjësve të Policisë dhe të gjithë punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, e nxori përfundimisht Policinë nga rrënimi, nga tradhtia e eprorëve, nga degradimi profesional, nga analfabetizmi dhe injoranca, korrupsioni, nga paaftësia dhe plakja, duke konfirmuar edhe njëherë atë që kemi nisur që në fillim. Pra domosdoshmërinë për të rilindur Policinë e Shtetit dhe për ta rikthyer në detyrë; për t’u garantuar qytetarëve shqiptarë shërbime pa korrupsion, transparente e të shpejta në kohë; dhe mbi të gjitha për të garantuar qytete e familje më të sigurta.

Dhe në fakt Shqipëria në vitin 2016 ishte më e sigurt. Me më pak ngjarje kriminale. Policia ishte në shërbim të qytetarit. Besimi i publikut u rrit gjatë vitit 2016. Kjo edhe falë punës për të rritur shërbimin ndaj qytetarit, për të rritur kapacitetin profesional të Policisë ndaj qytetarëve dhe për të rritur mundësinë e kontrollit për shmangien e praktikave korruptive në Policinë e Shtetit në marrëdhëniet me qytetarët. Sot Policia është pa asnjë diskutim më e përkushtuar dhe e gjitha e dedikuar në shërbim të qytetarëve.
Fitorja më e madhe e jona nuk është krahasimi i shifrave me të kaluarën, çka pa diskutim përbën vlerë të shtuar. Fitorja më e madhe e jona është me mentalitetin, më së pari të vetë punonjësve të Policisë e më pas të qytetarëve.
 
Sot përballë Policisë nuk ka më të pandëshkueshëm. Përballë Policisë nuk ka më njerëz të pabarabartë. Dhe kjo falë profesionalizmit dhe përkushtimit për të bërë punën pa dallim ndaj të gjithë qytetarëve që shkelin ligjin.

Viti 2016 shënoi dhe një konfirmim të qasjes solidare të Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme  ndaj të gjithë qytetarëve në nevojë. Në dy raste fatkeqësish natyrore (në Janar dhe Nëntor 2016), me strukturat e Emergjencave Civile, Policisë së Shtetit dhe Zjarrfikëseve i jemi gjendur pranë çdo familjeje që ka qenë në vështirësi për shkak të fatkeqësive natyrore. Dhe ndërkohë, në fund të vitit, Kryeministri dhe Qeveria vendosën dëmshpërblimin e plotë të familjeve me dëme materiale si pasojë e fatkeqësive të këtij viti.

Ndërkohë që kemi shlyer edhe borxhet historike si pasojë e dëmshpërblimeve që nuk u dhanë kurrë për familjet që kanë pasur pasoja të rënda në pasurinë e tyre për shkak të përmbytjeve e fatkeqësive natyrore nga viti 1998 deri më sot.

Gjithashtu, viti 2016 ishte vazhdimi i një pune intensive tonën për të konfirmuar domosdoshmërinë e ndërtimit të një shteti demokratik ku themeli mbetet tek kornizat e sundimit të ligjit dhe (e përkthyer në punën tonë të përditshme) kryesisht kjo ka të bëjë pa asnjë diskutim me saktësimin e Regjistrit të Popullsisë dhe Adresave, si baza më e mirë për zgjedhje të lira e të ndershme në vendin tonë. Jo pa shkak jemi fokusuar gjatë vitit 2016 tek procesi i Popullimit – pra tek konfirmimi i adresës së banesës dhe banorëve në çdo cep të Shqipërisë. Sepse ne realisht besojmë se nuk mund të vijohet më me ndryshime të thella mes Shqipërisë në letër dhe Shqipërisë në realitet. Dhe ky proces do të sjellë rakordimin total të të dhënave në bazat shtetërore së pari. Dhe së dyti do t’i japë fund amullisë apo kaosit që kemi pasur me shtetasit dhe adresat, duke i dhënë mundësi shtetit dhe institucioneve shtetërore që të japin shërbime cilësore, në kohë, dhe pa korrupsion ndaj qytetarëve.

Në Janar hyn në fuqi ligji për Gjendjen Civile duke përcaktuar një periudhë 6-mujore kohë zerimi i të gjitha detyrimeve për të gjithë ata që duan të ndryshojnë adresën duke përputhur vendbanimin real me vendbanimin që njeh shteti në letra. Kjo është shumë e rëndësishme. Deri më sot ka qenë një tarifë që në njëfarë mënyre përbënte pengesë reale për qytetarët. Ne kemi parashikuar 6 muaj kohë kur qytetarëve nuk do u duhet të paguajnë asnjë lek për të ndryshuar vendbanimin e tyre. Pas 6 muajve është parashikuar edhe gjobë për të gjithë ata që nuk ndryshojnë vendbanimin dhe ndërkohë me vullnet të tyre lejojnë mosdeklarimin e vendbanimit permanent të tyre.
Sa i takon sigurisë, 2016 ishte pa asnjë dyshim viti kur Shqipëria ishte më e sigurt, qytetet dhe familjet ishin më të sigurta.

Janë gjithsej 33 805 vepra penale: pra më pak se viti 2015.
Janë proceduar penalisht 31 220 autorë, pra shtetas, nga të cilët 10 068 janë ndaluar ose arrestuar nga Policia e Shtetit. Kjo tregon punën voluminoze të Policisë por dhe cilësore sidomos në parandalimin dhe luftën kundër kriminaliteti, paligjshmërisë dhe informalitetit në vend.
Janë kapur 2 211 persona të shpallur në kërkim për vepra penale të kryera këtë vit ose më parë, kryesisht për vrasje, terrorizëm, krime kundër personit, krime në fushën e krimit të organizuar dhe krime kundër pronës.

Janë gjithsej 277 operacione policore, nga të cilat thuajse 60 janë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Gjë që tregon besimin e partnerëve ndërkombëtarë tek Policia e Shtetit, vullnetin e Policisë për të luftuar kriminalitetin së bashku me partnerët. Vetëm me INTERPOL dhe EUROPOL janë gati 15 000 informacione të shkëmbyera.
Ju e dini që çdo fenomen kriminal nuk rri dot kurrë brenda kufijve kombëtarë të vendit tonë. Si e tillë, është e domosdoshme që Policia të zgjerojë kapacitetin e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë. Përkundër të kaluarës kur puna e Policisë ishte cenuar rëndë edhe nga kjo pikëpamje, pra dhe nga mundësia për të shkëmbyer informacion me partnerët – çka reflektonte mosbesimin e thellë të partnerëve tek Policia e Shtetit, sot besimi është maksimal – çka tregohet me operacionet e përbashkëta dhe informacionet e shkëmbyera me partnerët gjatë gjithë vitit 2016.
 
Janë arrestuar 120 persona me qëllim ekstradimi drejt vendeve të tjera dhe gati 90 persona me qëllim ekstradimi nga vende të tjera drejt Shqipërisë.
Gjatë vitit 2016 është forcuar puna jonë për të zgjeruar mundësinë e qytetarëve për të ndarë informacion me Policinë e Shtetit, duke ndërtuar një platformë solide të besimit reciprok kryesisht të qytetarëve që kanë nevojë për ndihmën e Policisë dhe shërbimin që marrin prej saj në të gjitha rastet. Janë mbi 270 000 telefonata nga publiku në numrin 112 (në Tiranë) dhe në 129 (në të gjitha rrethet në pjesën tjetër të Shqipërisë), çka përbën rritje drastike krahasuar me vitet e tjera.

Për ne është shenjë besimi, vlerësimi, përkushtim, përgjegjësi e angazhim përgjigjja për çdo shqetësim që kanë qytetarët dhe pritshmëria që kanë ndërtuar tek Policia e Shtetit për zgjidhjen e problemeve që deri dje nuk merrnin as guximin ta denonconin sepse nuk gjenin zgjidhje.

Janë afërsisht 40 000 denoncimet në Komisariatin Dixhital. Është një aplikacion që sot ka provuar domosdoshmërinë për t’i dhënë qytetarëve një mjet të thjeshtë, lehtësisht të aksesueshëm, që ruan anonimatin, të sigurt për denoncimin e çdo shkeljeje. Puna jonë është përqendruar në krijimin e dritareve të komunikimit me qytetarët, duke besuar se më shumë besim nga qytetarët do të thotë më shumë informacion, dhe më shumë informacion për Policinë dhe institucionet shtetërore do të thotë më shumë zgjidhje për konfliktet.
Policia e Shtetit gjatë vitit 2016 ka trajtuar 87 090 konflikte.

Ky është një tregues themelor për punën që bën Policia lidhur me trajtimin paraprak të konfliktit. Përndryshe, një numër shumë i madh i këtyre konflikteve do të kishte degraduar në vepra penale akoma më të rënda. Pra ne jemi përqendruar tek parandalimi, tek marrja e informacionit, tek puna paraprake e Policisë për të zgjidhur konfliktin që në fazat e hershme, në mënyrë që mos të degradojë në dhunë apo më keq në ngjarje kriminale.
Kjo tregon që zgjidhja e konflikteve, shkëmbimi i informacionit me qytetarët, telefonatat e shtuara në numrat e Emergjencës dhe kërkesat për ndihmë nga Policia kanë ndikuar për të dytin vit radhazi në uljen e të gjithë treguesve të kriminalitetit në vend.
Pra jemi në rrugën e duhur për të rilindur Policinë e Shtetit.

Jemi në rrugën e duhur për të forcuar kapacitetet e Policisë së Shtetit.
Jemi në rrugën e duhur për të rritur besimin e qytetarëve.
Jemi në rrugën e duhur për të forcuar mundësinë që Policia të marrë informacion dhe për t’i dhënë besim qytetarëve që të japin informacion.
Jemi në rrugën e duhur për të ulur të gjitha veprat penale në Republikën e Shqipërisë për të dytin vit radhazi.

Gjithsej në Zyrat e Shërbimit qytetar në Republikën e Shqipërisë, në komisariatet dhe Drejtoritë e Policisë në vend, janë shërbyer mbi 350 000 qytetarë. Këtu bëhet fjalë për një gamë të gjerë shërbimesh, mbi 70 shërbime që jep Policia e Shtetit. të tjera veç denoncimeve dhe kallëzimeve që kanë qytetarët. Janë mbi 350 mijë qytetarë që janë shërbyer në të gjithë Shqipërinë. Gjë që tregon se Zyrat e Shërbimit Unik, pra Zyrat e Shërbimit të Qytetarëve kanë shtuar mundësinë që Policia të komunikojë me qytetarët. Kanë forcuar mundësinë që qytetari të marrë shërbim në kohë, në mënyrë transparente dhe mbi të gjitha pa korrupsion.   

Sepse e rikujtoj në Zyrat e Shërbimit Unik qytetari nuk kontakton me punonjësin që duhet të japë shërbim, por kontakton me operatorë të cilët bëjnë ndërmjetësin dhe avokatin e qytetarit, duke garantuar që shërbimi të jepet në kohë dhe pa asnjë mundësi që të ketë korrupsion. 

Viti 2016 ka konfirmuar pa asnjë dyshim se kemi kufij të hapur, por të sigurtë. Gjë që ka shtuar punën e Policisë në volum. Ka shtuar punën e të gjitha strukturave për të garantuar rendin dhe qetësinë publike. Gjë që ka shtuar sfidën për të pasur qytete dhe familje sa më të sigurta. Në kufijtë shtetëror në vitin 2016 janë regjistruar hyrje-dalje nga shtetasit shqiptarë 20 milionë e 41 mijë e 44.

Respektivisht janë 10 milionë e 11 mijë shtetas që kanë hyrë, flasim shqiptarë dhe të huaj. Dhe 10 milionë e 29 mijë shtetas shqiptarë dhe të huaj që kanë dalë nga Republika e Shqipërisë. Këto janë shifra më të larta se vitet e kaluara, por rakordimi i tyre do të thotë që tullumbacja aq shumë e zënë në gojë këto kohë për eksodin apo emigrimin e shqiptarëve bie poshtë nga shifrat që janë kokëfortë dhe që nuk lënë asnjë vend për koment. Janë 5 milionë e 400 mijë mjete që kanë hyrë dhe kanë dalë në Republikën e Shqipërisë. Këto janë shifra që më shumë sesa fluksi i lëvizjes në Republikën e Shqipërisë tregojnë punën me të cilën është përballur Policia e Shtetit dhe institucionet në tërësi për t’u dhënë shërbim qytetarëve e për të garantuar rendin, qetësinë dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë. Bëhet fjalë për volum të shtuar pune. Bëhet fjalë për sfida të mëdha të cilat janë përballur duke pasur parasysh edhe problemet e trashëguara të së kaluarës në Policinë e shtetit në raport me qytetarin dhe në raport me detyrën.

Gjatë vitit 2016 janë sekuestruar 47.6 milionë euro pasuri kriminale, pasuri dhe asete kriminale. Unë kam dëgjuar shpesh të thonë se Policia merret me të varfrit, se ligji vlen për ata që s’kanë miq. Se peshqit e mëdhenj nuk duken gjëkundi në radarët e Policisë dhe agjencive ligjzbatuese. Kjo është një nga ato shifra që konfirmon se puna jonë është e fokusuar ndaj atyre që hyjnë te peshqit e mëdhenj. Pra, te ata që në vite kanë zhvilluar veprimtari kriminale. Tek ata që për shkak të aktivitetit kriminal kanë krijuar pasuri kriminale. Janë 47.6 milionë euro pasuri dhe asete kriminale; llogari bankare, apartamente, biznese, pasuri të paluajtshme të cilat janë sekuestruar gjatë vitit 2016.
T’ju bëj një krahasim: kur unë mora detyrën në vitin 2013, Policia në atë vit kishte sekuestruar vetëm 1.2 milionë euro pasuri kriminale. 1.2! Sot, vetëm vitin e kaluar janë 47.6 milionë euro pasuri dhe asete kriminale të sekuestruara. Ky pa asnjë dyshim nuk është niveli që ne do donim. Është një sfidë permanente, lufta kundër pasurive dhe aseteve kriminale. Por jemi në rrugën e duhur, duke shtuar në mënyrë progresive kapacitetin e Policisë për të shkuar pas peshqve të mëdhenj.
Ata që quhen deri dje “të paprekshmit”. Ata që kanë pasuri kriminale, ata që kanë pasur aktivitet kriminal mbi bazën e të cilit kanë vënë pasuri kriminale dhe që sot nuk e shijojnë dot më si më parë.

Dhe 47.6 milionë euro janë shumë krahasuar me 1.2 që gjetëm kur erdhëm në detyrë, në vit. Por janë shenja më e mirë që na tregojnë ne se duhet të bëjmë akoma më shumë në të ardhmen lidhur me luftën kundër pasurive dhe aseteve kriminale.

Në tre vitet e fundit shuma e pasurive dhe e vlerës së aseteve kriminale dhe llogarive bankare të sekuestruara kap shifrën 100 milionë euro.  E ritheksoj: kjo është një luftë permanente, është një luftë e vazhdueshme, hyn në pjesën më të vështirë të punës që duhet të bëjnë Policia dhe agjencitë ligjzbatuese, por është goditja më e rëndë që mund t’i jepet botës së krimit, në rastet kur lufta kundër financimit të paligjshëm apo aseteve kriminale pamundëson zhvillimin e aktivitetit kriminal edhe në të ardhmen.
Kjo besoj është edhe një shifër për ata që duan të kuptojnë që, sipas vlerësimit tim i jep një përgjigje shumë të mirë të gjithë atyre që deri dje apo edhe sot vazhdojnë drejtojnë gishtin e përgjegjësisë dhe të akuzës ndaj nesh, duke pretenduar se ligji vlen vetëm për ata që nuk kanë mundësi, për ata që nuk kanë pasuri, apo për ata që nuk kanë lidhje, apo për ata që nuk kanë takatin të kenë muskuj, të kenë lekë apo të kenë miq në pushtet.

Në fakt kjo shifër tregon se ne po shkojmë pas të gjithë atyre që kanë krijuar jo pak po miliona euro pasuri kriminale për shkak të aktivitetit kriminal. Dhe kjo është mënyra më e mirë për të krijuar premisa për të pasur më shumë siguri nesër dhe në vazhdim.

Prioriteti ynë ka qenë lufta kundër korrupsionit dhe veçanërisht lufta kundër korrupsionit të zyrtarëve. Dhe në këtë kuadër autorë, në përgjithësi, të arrestuar për korrupsion janë 933. Ndër ta edhe zyrtarë jo pak, veçanërisht në drejtësi, në pushtetin vendor, në dogana, në OSHEE, në administratën e burgjeve, në tatime, në arsim dhe në çdo fushë që sipas vlerësimit të Policisë dhe agjencive ligjzbatuese përbëjnë fushë me rrezik të lartë për korrupsion. Kjo është një betejë e vazhdueshme, lufta me korrupsionin ashtu siç në të gjitha fushat e tjera nuk fitohet dot brenda ditës, nuk fitohet dot as brenda vitit. Por mundësia jonë për të pasur më shumë procedime penale, më shumë njerëz të arrestuar për shkak të praktikave korruptive, nga njëra anë. Dhe nga ana tjetër për të reformuar sistemin bashkë me reformën në sistemin e drejtësisë dhe me Byronë Kombëtare të Hetimit do të sjellë premisa reale për të pasur luftë më efikase ndaj korrupsionit dhe ndaj zyrtarëve në detyrë.

Shifra që sapo thashë është sigurisht shumë më shumë se çdo vit i 25 viteve të kaluara, por pa asnjë diskutim është një shifër që tregon hapësirën reale të punës që mbetet për të bërë në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe reformave themelore për të parandaluar dhe për të luftuar  siç duhet korrupsionin, veçanërisht korrupsionin në drejtësi dhe administratën shtetërore.

Një problem jo i vogël për ne gjatë vitit 2016 dhe një kambanë jo e vogël alarmi për vitin 2017 është dhuna në familje. Unë mendoj që ne jemi ende në fazën e zbulimit të dimensionit real të këtij problemi në shoqërinë tonë. Ka shumë raste të dhunës në familje që nuk denoncohen akoma. Ka shumë raste të dhunës në familje që njoftohen por nuk ndiqen siç duhet. Ka akoma më shumë raste të dhunës në familje që, pavarësisht se nga njëra anë vetë viktima e dhunës në familje nuk denoncon, dhunë më vetë është injorimi apo indiferenca e shoqërisë, e familjarëve të tjerë, e fqinjëve dhe e kujtdo që kujtohet të flasë për dhunën në familje, pasi ajo ka ndodhur.
Janë të shumta rastet kur gjen më shumë njerëz të flasin nëpër media si dëshmitarë të dhunës në familje, sesa të gjesh denoncues përpara se dhuna në familje të degradojë në një ngjarje kriminale.

Gjatë vitit 2016 janë 3695 raste të dhunës në familje. Janë realisht shumë për vendin tonë. Dhe janë proceduar 3 800 e 45 autorë, ndër të cilët gati 1000 të arrestuar. Pra, janë afërsisht tre qytetarë të arrestuar në ditë për dhunë në familje. Kjo nga njëra anë na imponon detyrimin për të bërë punë më të madhe në krijimin e instrumenteve për parandalimin e dhunës në familje, dhe kjo nuk është vetëm detyrë e Policisë së Shtetit, por është detyrë e një zinxhiri të tërë institucionesh. Nga ana tjetër na imponon mekanizma të tillë, të cilët të garantojnë jo vetëm mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, por të sensibilizojnë qytetarët, fqinjët, familjarët e tjerë për të denoncuar dhunën në familje që në fazat paraprake, pra që në fazat e hershme.

Më shumë sesa këto shifra, që janë në fakt  shifra që ‘ulërasin’, që flasin fort, vret heshtja e atyre që nuk denoncojnë dhunën në familje, qofshin vetë personat e dhunuar, të cilët deri-diku janë të mirëkuptuar, qofshin familjarë, fqinjë apo pjesëtarë të shoqërisë, të cilët duhet të vënë në alert maksimal Policinë e Shtetit dhe institucionet përkatëse për t’i dhënë fund njëherë e mirë një plage therëse kaq të madhe sa është dhuna në familje. Numri i vrasjeve në familje ka pësuar ulje, por është ende i lartë në përqindjen që zë në numrin e të gjitha vrasjeve që ka në Republikën e Shqipërisë.

Dhe ndërkohë një çështje e dytë që është në vlerësimin tim përsëri një  alarm i madh është armëmbajtja pa leje. Janë 1 049 vepra penale. Të proceduar janë 1 194 persona për armëmbajtje pa leje vetëm gjatë një viti, 2016-s. Është një numër shokues që nuk gjen krahasim në asnjë vend të rajonit dhe në asnjë vend të BE-së. Pra janë gati 3 persona të arrestuar në ditë për armëmbajtje pa leje dhe kjo është realisht shumë për një vend si i yni.

Për shkak të trashëgimisë që kemi nga vitet e kaluara lidhur me armët dhe armëmbajtjen, për shkak të mosadresimit si duhet të këtij problemi në të kaluarën, por njëkohësisht është edhe një kambanë e fortë alarmi për ne dhe për të gjithë institucionet që t’i dedikohemi më fort luftës kundër armëve pa leje.

Është kjo arsyeja që në parlament miratuam një periudhë 6-mujore gjatë së cilës ata që dorëzojnë armët vullnetarisht nuk do dënohen. Dhe ndërkohë, pavarësisht ndryshimeve në kodin penal të vitit të kaluara, ne do vlerësojmë hap pas hapi këtë vit, ecurinë e procedimeve penale lidhur me armëmbajtjen pa leje dhe do shqyrtojmë mundësinë, kjo dhe në varësi të dorëzimit të armëve pa leje, do shqyrtojmë mundësinë e rikthimit të dënimit më të ashpër lidhur me armëmbajtjen pa leje.

E riktheksoj, janë 1194 persona të arrestuar për armëmbajtje pa leje gjatë vitit 2016. Është një shifër shumë e lartë. Këtu duhet dhe bashkëpunimi i qytetarëve, patjetër, sidomos i të rinjve, për të refuzuar modelin ku me një armë në dorë je më interesant. Dhe mbi të gjitha bashkëpunimi i qytetarëve për të denoncuar apo sinjalizuar policinë, sa herë ka qytetarë, qoftë fqinji, apo qoftë dikush tjetër, që mban një armë pa leje.

Ndaj ne na duhet ndihma e qytetarëve për të refuzuar modelin e dhunës; na duhet ndihma e qytetarëve për të refuzuar modelin e armëmbajtjes pa leje, sipas parimit “ta kem një në shtëpi se nuk i dihet!” Ne na duhet ndihma e shoqërisë për të krijuar mekanizma të tillë që të luftojnë të gjithë bashkë një plagë historike dhe të dhimbshme saç është armëmbajtja pa leje.

Është fatale për një vend si i yni që të ketë gati 1200 persona të arrestuar në vit për armëmbajtje pa leje, të cilët në 90% të rasteve janë të rinj, që i hyjnë një rrugë aspak të denjë për shkak të armëmbajtjes pa leje.

Ndaj dhuna në familje dhe armëmbajtja pa leje do jenë dy prioritete madhore të punës sonë gjatë vitit 2017. Sepse ne mendojmë që asnjë prej këtyre problemeve nuk ka zgjidhje imediate, por gjithashtu mendojmë që askush prej nesh nuk e ka luksin të shpenzojë një minutë më shumë në detyrë, pa i trajtuar këto çështje.
Gjatë vitit 2016, për të dytin vit radhas, është regjistruar numër më i vogël vrasjesh krahasuar me çdo vit të 25 viteve të kaluara. Janë gjithsej 71 vrasje, që janë shumë më pak sesa çdo vit në të kaluarën, përjashto vitin 2015.

Ndërkohë që gati 75% të vrasjeve në vendin tonë, janë për 3 motive:
- Motive familjare
- Motive të pronësisë
- Motive të dobëta;
Pra vrasje të çastit. Është kjo arsyeja pse është detyrim madhor i yni të merremi maksimalisht me dhunën në familje dhe me armëmbajtjen. Për sa kohë rreth 75% e vrasjeve në vend janë për motive familjare, motive të pronës dhe motive të dobëta, pra të çastit, do të thotë që ne:
a- duhet t’i japim zgjidhje njëherë e mirë dhunës në familje
b- duhet të heqim armët nga duart e qytetarëve.
Por ndërkohë duhet të shtojmë akoma më shumë mundësinë për t’i dhënë besim qytetarëve që të ndajnë informacion me Policinë e Shtetit. Ne jemi të vetëdijshëm që në të kaluarën qytetarët nuk kanë ndarë informacion me policinë, për shkak të mungesës së besimit. Ndiheshin të tradhtuar dhe të denoncoje në polici, më shpejt viheshe në rrezik vetë, sesa policia mund të zgjidhte problemin.

Sot Policia e Shtetit gëzon besim. Është institucioni më i besuar në Republikën e Shqipërisë, por na duhet të bëjmë ende më shumë punë, në mënyrë që t’i japim mundësi qytetarëve të gjejnë zgjidhjen e menjëhershme të policia apo institucionet e tjera, pa pritur që problemet e tyre, veçanërisht të pronësisë apo të çështjeve familjare, apo çështjet e tjera, t’i zgjidhin me vetëgjyqësi apo me mjete që deri dje janë quajtur: “bëje vetë se e bën mirë!” apo një gjë e ngjashme...

Ndërkohë janë ulur të gjitha veprat penale që kanë të bëjnë me krimet kundër pronës. Vjedhjet me armë janë 60% më pak krahasuar me vitin 2015 dhe mbi 100% më pak krahasuar me vitet e tjera të së kaluarës. Vjedhjet me dhunë, po njëlloj, rënie drastike. Vjedhjet e kompanive dhe firmave, rënie drastike. Vjedhjet e banesave janë gati 15% më pak. Vjedhjet e lokaleve po ashtu; vjedhjet e tjera, po ashtu. Shkatërrimi i pronës me eksploziv, po ashtu.

Gjë që tregon se sot kemi sipërmarrje më të mbrojtura, biznese më të sigurta dhe familje më të mbrojtura dhe më të sigurta. Kjo falë punës që ka bërë policia për t’i kushtuar vëmendje më të madhe sigurisë, lidhur me sipërmarrjen dhe biznesin dhe mbi të gjitha me familjen. Kjo, duke marrë informacion më shumë, duke shkëmbyer informacion më shumë me qytetarët, duke  trajtuar konfliktin që në fazën paraprake dhe mos lejuar që konflikti të degradojë në një ngjarje kriminale.

Sa i takon sigurisë rrugore, viti 2016 ka më shumë aksidente se viti 2015, por ka më pak aksidente me pasoja fatale sesa viti 2015. Pra ka më pak qytetarë që kanë humbur jetën në rrugët e vendit tonë. Por gjithsesi numri mbetet shumë i lartë. Ndaj objektivi ynë madhor me policinë rrugore është shumë i thjeshtë: - vendosja e rripit të sigurimit; heqja e alkoolit përfundimisht nga drejtuesit e mjeteve! Është kaq e thjeshtë sa kemi provuar që në 3 muajt e fundit të vitit 2016, vetëm për shkak të imponimit të rripit të sigurimit, janë shpëtuar rreth 20 jetë. 20 qytetarë, që përndryshe gjatë aksidentit do humbnin jetën në rast se nuk do ishin zbatues të ligjit duke lidhur rripin e sigurimit.
Ndërkohë një punë e rëndësishme është puna ndaj paligjshmërisë dhe korrupsionit brenda policisë. Kemi trashëguar një polici që edhe në mentalitet funksiononte për të bërë ca lekë më shumë nëpërmjet korrupsionit. Sot ka punonjës policie të rinj, të edukuar, të cilët në mentalitet kanë fituar betejën me paligjshmërinë që u trashëguar në Policinë e Shtetit. Kjo, për shkak të arsimimit, për shkak të rikthimit të Akademisë së Sigurisë, për shkak të trajnimeve të vazhdueshme, por edhe për shkak të luftës pa asnjë kompromis të korrupsionit dhe shkeljes së ligjit brenda radhëve të policisë.

Janë 883 punonjës policie në procedim disiplinor dhe penal gjatë vitit 2016. Gjë që do të thotë se realisht kemi trashëguar  probleme të rënda për nga pikëpamja e integritetit në Policinë e Shtetit, por tregon dhe vullnetin tonë për të ndërtuar një polici me më shumë integritet, një polici që i dedikohet ligjit dhe përmbushjes së detyrës përballë qytetarëve, një polici që i shërben qytetarit dhe që funksionon me filozofinë e të shërbyerit dhe jo të kamxhikut ndaj qytetarëve.

Sigurisht rezultatet në luftën kundër trafiqeve dhe drogës, ju dhe qytetarët i dinë, por angazhimi ynë permanent mbetet një punë më e madhe në parandalimin e kultivimit të kanabisit gjatë vitit që jemi. Në qoftë se kemi qenë shumë të suksesshëm në aspektin represiv, duhet domosdoshmërisht të vëmë theksin në aspektin parandalues. Në këtë funksion është, patjetër, ndryshimi i kodit penal lidhur me dënimet dhe përshkallëzimi i tyre sipas përgjegjësisë, qoftë kur vjen puna te kultivimi, qoftë kur vjen puna te trafikimi i lëndëve narkotike.

Emergjencat Civile kanë qenë në krye të detyrës për t’u përballur, veçanërisht janë janarit të vitit të kaluar dhe gjatë fundit të vitit të kaluar, me fatkeqësi natyrore jo të vogla, por që falë investimeve të vazhdueshme të qeverisë në infrastrukturën strategjike është bërë i mundur minimizimi në maksimum i pasojave që kanë ardhur për shkak të fatkeqësive natyrore. Ndërkohë kemi dëmshpërblyer borxhet e të kaluarës me mbi 16 milionë dollarë dhe vetëm në fundviti, dëmshpërblyem mbi 2500 familje me 4.5 milionë dollarë për shkak të përmbytjeve të po këtij viti.

Mbetet sfidë dixhitalizimi dhe rritja e kapacitetit teknologjik të Policisë së Shtetit. Mjafton t’ju jap një shembull, për t’ju dëshmuar rëndësinë që ka teknologjia në përmirësimin e punës për punonjësit e policisë dhe mbi të gjitha për kursimin në buxhetin e shtetit për shkak të reformave që nëpërmjet dixhitalizimit dhe teknologjisë sjellin shërbim më të mirë dhe kursim të parave të taksapaguesve. Ju e dini që në mesin e vitit të kaluar Policia e Shtetit u bë institucioni i parë në administratën shtetërore që përdor kartën elektronike për furnizimin me karburant të makinave të policisë. Fotografia klasike e të kaluarës për policinë ka qenë, punonjës policie që, veç detyrave të tjera, shtynin dhe makinën! Sot kjo është histori e harruar. Makinat e policisë nuk mbeten më në rrugë sepse s’ka karburant, përkundrazi kemi arritur të kursejmë mbi 230 mijë litra karburant, ose e thënë ndryshe gati 400 milionë lekë.

Kjo është shumë e rëndësishme sepse nga njëra anë tregon se çfarë është bërë me karburantin dhe korrupsionin brenda policisë vetëm për këtë shkak dhe nga ana tjetër tregon mundësinë që kemi për të kursyer më shumë para, taksa nga qytetarët dhe për t’i kthyer në punë të tjera këto para vetëm falë kujdesit për të mos lejuar asnjë lloj korrupsioni apo vjedhje nga karburanti në Policinë e Shtetit dhe besoj se shumë shpejt  do shtrihet në të gjithë administratën publike.
Sigurisht që viti 2017 është një vit shumë i rëndësishëm për ne, për të çuar përpara reformat që kemi nisur, për të rilindur Policinë e Shtetit, për ta nxjerrë nga rrënimi dhe degradimi Policinë e Shtetit, për të pasur punonjës policie më të edukuar dhe për t’i dhënë fund një herë e mirë injorancës në Policinë e Shtetit dhe analfabetizmit në Policinë e Shtetit, për të pasur punonjës policie të cilët e bëjnë detyrën me përkushtim dhe larg praktikave korruptive dhe për t’i dhënë qytetarëve, qytete, lagje dhe komunitete më të sigurta.

Ne do vazhdojmë të bëjmë një punë më të fokusuar si prioritet madhor i ynë për vitin 2017, lidhur me çështje që kanë të bëjnë me armëmbajtjen pa leje, ndaj dua t’i ribëj thirrje qytetarëve të dorëzojnë armët duke përfituar nga koha kur nuk ka ndjekje penale për shkak të amnistisë që miratuam në fund të vitit, ndaj është ekzaktësisht koha që deri më 30 prill, qytetarët të dorëzojnë armët vullnetarisht duke ndihmuar që të ndërtojmë komunitete më të sigurta . Ndërkohë kjo do jetë pjesë e punës së përditshme të Policisë së Shtetit duke shkuar derë më derë për t’i bërë thirrje qytetarëve që të dorëzojnë armët.

Ndërkohë do të fokusohemi në fuqizimin e rolit të policit të komunitetit, pra ai që deri dje njihej si polici i lagjes, apo ndërlidhësi me komunitetin është njeriu që shërben si partneri më i parë për qytetarët në një komunitet të caktuar. Është njeriu që është aty për t’i shërbyer qytetarëve, për të zgjidhur konfliktin e parë, është njeriu që krijon dhe duhet të krijojë pasqyrën e Policisë së Shtetit duke i dhënë mundësi qytetarëve të besojnë dhe të japin më shumë informacion për policinë dhe për institucionet e tjera duke na dhënë mundësinë ne të krijojmë qytete, lagje, komunitete më të sigurta në vendin tonë. Polici i lagjes është një institucion që e trashëgojmë që para viteve 90.
Nga njëra anë është keq konceptuar atëherë. Pas viteve 90 është keq perceptuar për shkak të degradimit të institucionit. Sfida jonë e madhe mbetet që t’i japim lagjeve dhe komuniteteve, policin e lagjes që të jetë shërbëtori më i parë i qytetarëve në çdo bashki në Republikën e Shqipërisë. Çdo komunitet duhet të dijë, të njohë, të besojë policin e lagjes.

Ndaj do e kthejmë këtë institucion në institucionin kryesor të kontaktit me qytetarët në çdo komunitet vendor. Duke i dhënë mundësi qytetarëve që të perceptojnë menjëherë shërbimin që jep policia, duke i dhënë rol aktiv policit të lagjes në raport me komunitetin dhe duke marrë mbrapsht besim nga qytetarët për punën që bën ky institucion kaq themeltar në punën e policisë saç është  ndërlidhësi ose polici i lagjes, polici i komunitetit në një zonë të caktuar.

Ndërkohë prioritet mbetet gjatë vitit 2017, futja dhe funksionimi i policit vullnetar. Që nga momenti kur  kemi filluar punën për , polici vullnetar ka një interes të jashtëzakonshëm nga të rinjtë dhe të rejat të cilët, një pjesë e mirë edhe të punësuar duan të kontribuojnë për qytetet e tyre, për lagjet e tyre, për komunitet e tyre që të jenë më të sigurta. 
Ndaj unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë shfaqur interes për të qenë pjesë e Policisë Vullnetare. Viti 2017 do na gjejë me ndryshimet ligjore përkatëse të miratuara për të filluar më në fund një projekt shumë ambicioz lidhur me policin vullnetar. Së bashku me policin e lagjes, së bashku me armëmbajtjen pa leje dhe së bashku me punën tonë të fokusuar drejt parandalimit dhe dhunës në familje, ne ulim akoma më shumë të gjithë treguesit e kriminalitetit dhe paligjshmërisë në vend.

Ndërkohë që ky vit përben një sfidë edhe për parandalimin e kultivimit të kanabisit, ashtu siç përbën një sfidë edhe për luftën ndaj çdo paligjshmërie në vendin tonë. Nga ana tjetër përbën një sfidë në luftën kundër parave dhe aseteve kriminale dhe nëse këtë vit kemi sekuestruar 47 milion euro dhe nëse në këto tre vite kemi sekuestruar gati 100 milion euro, këto të krahasuar me 1.2 milion euro që sekuestroheshin në vitin 2013 nga qeveria e kaluar për ne mbetet super prioritet që të shkojmë pas parave kriminale. Të shkojmë pas aseteve kriminale dhe të dëmtojmë botën e paligjshmërisë dhe kriminalitetit në pasurinë që krijojnë për shkak të aktiviteteve kriminale. Kjo është shumë e rëndësishme. Është prioritete ynë, ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë, ndaj vitin që vjen duhet të bëjmë shumë më shumë në këtë kuadër.

Kuptohet që viti 2017 është vit zgjedhor. Puna e Ministrisë së Punëve të Brendshme fokusohet në aspekte kyç që kanë të bëjnë me administrimin e zgjedhjeve. Që sot është publikuar lista paraprake zgjedhore. Është online, ndaj që sot  ftoj qytetarët që të konsultojnë listën paraprake zgjedhore lidhur me pasaktësitë e mundshme që mund të kenë dhe të cilat duhet të korrigjohen gjatë ditëve dhe muajve në vijim. Lista do të jetë nonstop online, me qëllim konsultimin nga partitë politike, nga mbështetësit e partive politike por edhe nga çdo qytetar që ka dëshirë të garantojë apo të jetë kaq pak aktiv, sa të garantojë se do votojë ditën e zgjedhjeve dhe këtë duhet ta fillojë patjetër duke garantuar që ka emrin në listat zgjedhore.

Ne kemi bërë një punë kolosale në pastrimin e të gjitha defekteve që ka në lista. Një punë kolosale në pastrimin e defekteve në lista për shkak të pasaktësive të kaluarës. Po hapim mundësinë që qytetarët të korrigjojnë vendbanimin përhershëm pa qenë të detyruar të paguajnë dhe kjo ndikon menjëherë në pasqyrimin e listës zgjedhore dhe ka plot qytetarë që banojnë në një vend tjetër dhe votojnë në një vend tjetër.

Pjesa më e madhe brenda qyteteve dhe një pjesë jo e vogël nga qyteti në qytet, por ndërkohë po bëjmë një punë jo të vogël edhe me procesin e popullimit, që është përpjekja jonë për t’i shkuar derë më derë çdo qytetari për të konfirmuar adresat dhe banorët. Ky është proces që do të japë garanci thuajse maksimale saktësisë në listat zgjedhore dhe saktësisë në regjistrat themeltar të shtetit, regjistrin e popullsisë dhe regjistrin adresave. Këto janë prioritet tona dhe në kuadër të implementimit të reformës në drejtësi, ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit është tërësisht e përgatitur për të përmbushur detyrimet e saj në raport me ngritjen apo funksionimin e këtyre institucioneve kaq të rëndësishme për luftën kundër kriminalitetit, krimit të organizuar në veçanti, luftën kundër parave dhe aseteve kriminale dhe luftën kundër korrupsionit dhe veçanërisht luftën kundër korrupsionit elitar.

Pyetje: Zoti ministër, e quani të fituar betejën me kanabisin dhe cilat janë prioritet tuaja?
Ministri Tahiri: Unë nuk quaj asnjë betejë të fituar sepse unë mendoj që përball paligjshmërisë së akumuluar të njëzet e kusur viteve, përball kriminalitetit të akumuluar të njëzet e kusur viteve, përball parave kriminale të akumuluara në njëzet e kusur vite që sot financojnë në çdo brimë të shtetit shqiptar, unë mendoj  që nuk e kemi dot mundësinë të fitojmë këto beteja brenda një viti, por po të doni ju edhe brenda katër viteve.

Ne kemi fituar një gjë shumë të madhe ama, që është lufta kundër mentalitetit të së kaluarës. Sot policia nuk është më e degraduar, nuk është e paarsimuar, nuk është më e perceptuar si trup korruptive ose me prirje për tu korruptuar gjatë gjithë kohës. Sot ne jemi në rrugën për të fituar në mënyrë definitive një betejë shumë të madhe me qytetarët që është beteja për të fituar besimin e qytetarëve, me përulje, me shërbim, me punë gjë që sigurisht nuk kemi fituar, por jemi në rrugën e duhur.
Ne sot nuk jemi në kushtet për të fituar ose për të shpallur si të fituara betejat që kemi me informalitetin, me paligjshmërinë, me kriminalitetin sepse ne na duhet të rikuperojmë kohën e humbur në njëzet e kusur vitet e kaluara, në çerek shekulli.

Nëse më kërkoni mua apo Kryeministrit Rama, apo qeverisë që të fitojmë beteja që kanë 25 vite që na qëndrojnë këmbëkryq, ne e marrim për shenjë besimi, sepse do të thotë që na perceptoni dhe ju si njerëz që jemi në gjendje ta bëjmë këtë, ashtu si unë marrë si shenjë besimi çdo pritshmëri të lartë që ka sot publiku ndaj qytetarëve.
Kjo do të thotë që qytetarët e shikojnë policinë si institucioni që realisht mund ta bëjë këtë punë, por kjo kërkon kohë. Kjo kërkon mirëkuptim, kjo kërkon mbi të gjitha bashkëpunim me qytetarët.

Në asnjë vend të botës policia e vetme nuk fiton dot.
Viti 2016 ashtu si viti 2015, që janë vitet e konsolidimit të punës së policisë, të rilindjes së policisë, të luftës kundër kriminalitetit, këto vite tregojnë kapacitetin e madh që kemi për fituar këto beteja ndaj paligjshmërisë, kriminalitetit bashkë me qytetarët.

Ndaj fitorja më e madhe është që sot policia e shtetit dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë të përkushtuara në detyrë. Nëse në të kaluarën ishin të përkushtuara në korrupsion dhe në gallata dhe në ahengje, sot janë të përkushtuar në detyrë për t’i shërbyer qytetarëve.
Ka pa asnjë diskutim shumë gjëra që nuk i kemi bërë mirë. Ka pa asnjë diskutim gjëra që nuk i kemi bërë dot ende, por ka një gjë që e kemi bërë mirë, që jemi 24/24 orë në shërbim dhe në punë për t’i dhënë qytetarëve sigurinë që meritojnë.
Ju faleminderit!

* Konferenca për mediat e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë paraqitjes së rezultateve të vitit 2016 të MPB dhe Policisë së Shtetit, si dhe projektet e sfidat për 2017

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?