ATHINE - Partia neonaziste greke “Agimi i Artë”, në vijim të përpjekjeve të saj për të rekrutuar sa më shumë të rinj e të reja, kryesisht të moshave adoleshente, nga gjimnazet dhe licetë e Greqisë, bën hapin e ri edhe më të rrezikshëm, duke ndërmarrë veprime konkrete për të edukuar te brezi i ri ideologjinë e saj të racizmit, urrejtjes për emigrantët dhe superioritetin për shpirtin dhe historinë helene.

Neonazistët grekë kanë nisur katekizmin me fëmijët nga mosha 6 deri në 10 vjeç, të cilët i quajnë "miqtë e vegjël të lëvizjes". Kjo inicitivë e re njoftohet në faqen zyrtare të partisë dhe dëshmohet me fotot e publikuara aty, ku sqarohet se moshat e vogla janë të përshtatshme për të mbjellë standarde të reja. "Fëmijëria është e përshtatshme për të krijuar tendencat dhe idealet përmes imagjinatës", thuhet në deklaratë.

Sipas njoftimit, seanca e parë është zhvilluar të shtunën në Artemida të Atikës, me qëllim zgjimin shpirtëror të fëmijëve. Rreth 20 fëmijë të moshës 6-10 vjeç kanë qenë me prindërit e tyre në zyrat lokale të “Agimit të Artë”, në Atikën Lindore të shtunën.

"Nëpërmjet ilustrimit me video, dy mësues të organizatës lokale iu kanë folur fëmijëve për lindjen e botës së lashtë, për mendimin e lashtë grek, perënditë madhështore, dhe për besimin e krishterë", thuhet në njoftim, ku sqarohet se këto veprime janë "përpjekje për rigjenerimin e shpirtit grek." Nën parimin “trup i shëndoshë, mendje e shëndoshë”,

“Agimi i Artë” deklaron se zgjimi shpirtëror interaktiv do të vazhdojë në ditë dhe orare të caktuara, në përpjekje për ringjalljen e kulturës greke. “Agimi i Artë” thekson se kjo parti “Nuk bën propagandë tek fëmijtë e mitur. Këtë rol e ka marrë përsipër shteti, i cili bën propagandë kundër “Agimit të Artë” nëpër shkolla. Fotografitë në fjalë nuk janë gjë tjetër veçse mësim i greqishtes së vjetër dhe mitologjisë tek miqtë e vegjël të lëvizjes sonë.”

Ndërkohë si opozita ashtu edhe pozita në pushtet kanë reaguar ashpër ndaj kësaj iniciative të neonazistëve, me implikimin dhe rekrutimin e adoleshentëve dhe fëmijëve të mitur në këtë organizatë.

SYRIZA akuzon qeverinë, policinë dhe median të cilat i kanë dhënë krahë “Agimit të Artë” duke i bërë reklamë falas kaq kohë dhe e lejojnë që të marrë të tilla iniciativa, duke krijuar shkolla të tilla ku të mbjellë ideologjinë naziste. Për opozitën socialiste greke nuk është i rastit një shtrirje e tillë e neonazistëve, të cilët kanë përkrahje të madhe në radhet e ushtrisë dhe të policisë, gjë që vërtetohet edhe nga votat ë kjo parti ka marrë.

PASOK ka reaguar duke thënë se:”Është përgjegjësia e të gjithëve ne që të mos lejojmë të helmohen shpirtrat e dlirë të fëmijëve!” “Eshte përgjegjësi e të gjitha forcave demokratike greke që të ngrenë një mur të lartë e të pathyeshëm kundër Agimit ë Artë”, thekson Demokracia e Majtë. “Shkolla të tilla të urrejtjes, dhunës dhe mbjelljes së ideologjisë naziste nuk mund të jenë të pranueshme në botën demokratike dhe nga shteti i organizuar e ligjor”!

Ndërkohë ka ditë që shtypi i pavarur e demokratik grek shpreh shqetësimin për mënyrën e rekrutimit të të rinjve e të rejave qysh në bangat shkollës. Nëpër shkollat greke eshtë shtuar numri i të rinjëve të cilët vijnë të veshur nëpër auditore me bluza të ushtrisë greke apo edhe të organizatës naziste, ndërkohë që janë shtuar rastet kur nxënës të shkollave kanë sulmuar dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj bashkënxënësve të tyre me kombësi të huaj, si edhe ndaj emigrantëve me ngjyrë. Ajo që dikur nga nxënësit konsiderohej si modë (dhuna dhe agresioni fizik ndaj emigrantëve) tashmëpo shndërrohet në ideologji. Talljen e emigrantëve, adoleshentët grekë e konsiderojnë si lojë dhe “Agimin e Artë” e konsiderojnë si modë dhe mjet frikësimi.

Me moton ''Për një Greqi të pastër”, “Greqia është e grekëve'' apo ''Jashtë emigrantët'', “Agimi i Artë” synon të rekrutojë sa më tepër të rinj grekë dhe deri tani duket se po ia arrin më së miri qëllimit.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)