“Albanian Airlines” së shpejti
sërish në tregun shqipta

“Albanian Airlines” së shpejti<br />sërish në tregun shqipta
TIRANE- “Albania Airlines” synon të rikthehet sërish në sektorin e aviacionit civil, prej nga e largoi, jo vetëm qeveria Berisha me heqjen e licensës, por edhe problemet financiare të pronarëve të mëparshëm. Tani, një grup investitorësh nga Arabia Saudite i ka hyrë punës për t’i ridhënë vendin e duhur në treg kompanisë që përfaqëson emrin e Shqipërisë. Dje “Shqiptarja.com” intervistoi anëtarin e Bordit të ri Drejtues të kompanisë, Osama Satea.   

Si është situata aktuale ligjore e “Albanian Airlines”? Para pak kohësh doli një njoftim se “Albanian Airlines” ka shpallur falimentin...
“Albanian Airlines” kohët e fundit ka filluar të vejë në zbatim një plan për të larë të gjitha borxhet. Është thënë se “Havash” ka ngritur një padi kundër “Albanian Airlines”. Por “Havash”-it “Albania Airlines” i ka një pjesë të vogël detyrimi dhe ne jemi duke proceduar për të shlyer këtë borxh sa më shpejt që të jetë e mundur, ashtu si do veprojmë edhe me kreditorë të tjerë.
 
“Havash” ka pjesë në këtë kompani?
Ata nuk janë ortakë me ne. Gjatë kohës së operimit të “Albanian Airlines”, më parë “Havash” i ka ofruar disa shërbime “Albanian Airlines”. Tani, duke qenë se jemi investitorë, ne e dimë sa kreditorë kemi dhe çfarë duhet të bëjmë. Ne duam të mbështesim “Albanian Airlines”, duke larë të gjitha detyrimet/borxhet. Duke përfshirë edhe “Havash”-in, në një kohë relativisht të shkurtër. Gjithashtu, ne do ta bëjmë publike strategjinë e shlyerjeve të detyrimeve. Përfitoj nga rasti të njoftoj të gjithë kreditorët se “Albanian Airlines” do të fillojë të operojë dhe të përfaqësojë Shqipërinë. Por, sigurisht, për këtë na duhet pak kohë, sepse në mënyrë që të shlyejmë të gjitha detyrimet, duhet një program sipas prioriteteve. Sigurisht, të gjithë kreditorëve do t’u shlyhen detyrimet.
 
Ju mendoni t’i riorganizoni linjat/destinacionet që mbulonte deri tani kompania?
Aktualisht, sektori ynë komercial ka filluar të bëjë një studim fizibiliteti për destinacionet e mundshme, që do mbulonte kompania. Ne do të operojmë kryesisht në distance të shkurtra dhe të gjata. Për momentin, jemi duke bërë një studim të tregut. Pas pak do ta bëjmë të ditur këtë.
 
Mund të na thoni diçka për grupin tuaj të investitorëve?
Investitorët kanë një fushë veprimi në biznese të ndryshme dhe dy nga sektorët që dua të ve në dukje se kanë interes për ne janë industria dhe aviacioni civil.
 
Ju keni përvojë për sa i përket aviacionit civil?
Ne kemi një përvojë të gjerë në këtë fushë, kryesisht në Lindjen e Mesme. Dhe pikërisht kjo është arsyeja dhe motivacioni kryesor përse ne kemi ardhur këtu në Shqipëri, për të investuar në këtë sektor. Kjo, sepse Shqipëria është një treg me perspektivë dhe në përgjithësi i favorshëm. Ndër të tjera, Shqipëria e meriton të ketë një kompani ajrore, që e përfaqëson atë.
 
Për ju, si kompani, është e rëndësishme pra që marka juaj të jetë e lidhur me imazhin e vendit?
Sigurisht që po. Nëse do të kesh sukses me kompanitë ajrore në Shqipëri, përveçse duhet t’u shërbesh nevojave të shqiptarëve, duhet bërë gjithashtu edhe diçka pozitive për komunitetin shqiptar që jeton jashtë vendit. Nëse jam i saktë, komuniteti shqiptar që jeton jashtë, shtrihet në shumë vende europiane dhe të Amerikës së Veriut dhe kap shifrën e 7 milionëve. Atyre u duhet një linjë kombëtare, që do t’i lidhte ata me vendin e tyre dhe destinacione të tjera. Kjo është një nga objektivat tona. Ne po punojmë që t’u ofrojmë shërbimet tona, si shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri, ashtu edhe atyre që jetojnë jashtë.

Desha të bëja një përmbledhje. Aktualisht “Albanian Airlines” është në një periudhë pune intensive të një ristrukturimi, i cili po ndërmerret me ritme të shpejta. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse, përpara se të fillojmë operimin, ne duhet të ristrukturojmë kompaninë dhe të kemi një ide të qartë se në cilat destinacione duhet të investojmë, në mënyrë që të ofrojmë një shërbim sa më cilësor.

Një tjetër objektiv i kompanisë tonë është të tërheqim sa më shumë turistë në Shqipëri, nga vende të ndryshme dhe në veçanti nga vendet e Gjirit. Siç e dini, në sezonin e verës, Qeveria shqiptare inkurajon përthithjen e turistëve të huaj në vend. Dua të them diçka në lidhje me këtë, e cila mund të jetë një risi: ne jemi duke bashkëpunuar me Emiratet e Bashkuara, Kuvaitin dhe vende të tjera të Gjirit.
 
Kjo mund të jetë një mënyrë e mirë për të tërhequr edhe investitorë, duke themeluar një linjë transporti efikase?
Sigurisht. Siç e thashë më parë, Shqipëria e meriton të njihet në botë për vlerat e saj. Për këtë nevojitet një plan i detajuar marketingu për të tërhequr turistë. Vendi juaj nuk është vetëm i pasur në burime natyrore, por i pasur në kulturë. Njerëzit janë shumë miqësore. Ka shumë arsye pse njerëz nga e gjithë bota duhet të tërhiqen nga Shqipëria. Unë jam këtu si përfaqësues i investitorëve për të ringritur “Albanian Airlines” dhe për ta bërë të dukshme Shqipërinë në hartën turistike botërore.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Shkrumbohet nga flakët magazina në Kurbin, Report Tv sjell pamjet! Shtëllunga të mëdha tymi në zonë

Shkrumbohet nga flakët magazina në Kurbin, Report Tv sjell pamjet! Shtëllunga të mëdha tymi në zonë