“Aventurat e mia me Irenën, 17
ditë me makinë për në Moskë”

“Aventurat e mia me Irenën, 17<br />ditë me makinë për në Moskë”
“Jashtë parlamentit me...” sjell këtë javë rrëfimin e deputetit socialist të Vlorës, Fatmir Toçi, botuesit që prej 7 vitesh i ka hyrë politikës. Jeta e tij mes librave dhe parlamentit. Koha e ndarë mes angazhimeve publike dhe familjes. Kujtimet e fëmijërisë, “mëkatet” e pa rrëfyera të rinisë, e deri tek aventurat me bashkëshorten e tij, Irenën. Pasioni për të udhëtuar për javë të tëra me makinë në destinacionet më të largëta nga Rusia në vendet nordike, dhe një objektiv për të kapur Kinën si shofer. Ja çfarë ka rrëfyer Toçi për Shqiptarja.com.

Fatmir Toçi

Jeta juaj shtrihet mes librave dhe politikës. Kë dashuron më shumë mes të dyjave?
Libri është dhe do të jetë jeta ime, pasioni, dashuria, madje edhe identiteti; ndërsa politika një stacion i jetës, vërtet jo i parëndësishëm dhe relativisht i gjatë, por, gjithsesi, një etapë e jetës nga e cila, për hir të së vërtetës, më ka vlejtur dhe kam mësuar shumë.
 
Orët më të çmuara janë mes njerëzve të politikës, apo atyre të librave?
Politika është e rëndësishme sepse ndikon dhe ka të bëjë me vetë fatin e njerëzve, por njerëzit që e përfaqësojnë janë kaq heterogjenë dhe të ndryshëm nga njëri-tjetri, sa të duket e natyrshme që janë kaq unikë dhe njëkohësisht të përçarë në bashkësinë e tyre, zemërakë e grindavecë për hiçgjë e të pandjeshëm e indiferentë kur duhet ngritur fort zëri. Njerëzit e librave janë komunitet më kompakt, të ditur e të këndshëm në shoqërinë e tyre, pasionantë e jo rrallë të mbërthyer nga deliri, por që gjithsesi u shkon me natyrën e tyre krijuese vlerash.

Fatmir Toçi

Meqë jemi te librat, ju i njihni më mirë se kushdo dhe jeni selektues shumë i mirë. Cili prej tyre ka pasur ndikim më të madh te ju?
Në një çerek shekulli si botues, në qindra e mijëra tituj librash të botuar, vështirë të veçosh një apo disa autorë për nga rëndësia apo ndikimi në formimin profesional apo kulturor. Nga secili prej tyre, autor i huaj apo shqiptar qoftë, mëson diçka për jetën apo punën që bën, aq sa pas kaq shumë vitesh pune si botues të mprihet intuita dhe nuhatja për të zgjedhur për atë që do lexuesi, por edhe për atë që i duhet servirur atij.
 
Cila është marrëdhënia juaj me Zotin?
Nuk jam besimtar konsekuent, edhe pse ndonjëherë supersticioz për krijimin dhe ekzistencën e universit; nuk shquhem si praktikant i riteve e besimeve fetare, edhe pse nuk kam lënë kishë, xhami, sinagogë apo teqè pa hyrë në botën ku kam shkelur si adhurues i arkitekturës, por respektoj me rigorozitet dhe seriozitet çdo njeri që beson dhe praktikon fenë e tij, si një e drejtë themelore shpirtërore në një shoqëri ku liria e individit çmohet mbi çdo gjë tjetër.

Fatmir Toçi

Ju udhëtoni shumë dhe zgjidhni që edhe në destinacionet më të largëta të përdorni makinën. Cili është udhëtimi më mbresëlënës në jetën tuaj? 
Vërtet, pas librit, udhëtimet janë pasioni më i madh i jetës sime. Në mbi tri dekada, në 10 makinat që kam ndërruar gjatë kësaj periudhe relativisht të gjatë, kam përshkuar, duke qenë vetë në timon, mbi një milion e gjysmë kilometra duke përshkuar të gjitha vendet e Europës (përveç Bjellorusisë akoma), që nga vendet nordike në veri të Europës, në Spanjë e Portugali, në vendet Baltike, në Moskë e pjesën europiane të Rusisë e të gjitha vendet e Europës Lindore. Po udhëtimet më mbresëlënëse dhe aventureske kanë qenë ato të Moskës, ku bashkë me Irenën, si dy udhëtarë të vetmuar e të “marrë”, për të mbërritur deri atje, përshkuam 17 shtete në 17 ditë; por edhe udhëtimi me makinë nga Tirana në Iran e deri në Gjirin Persik në kufi me Irakun apo udhëtimi me traget e makinë në Izrael e Jordani. Besoj se jam nga njerëzit e pakët që e njoh relievin dhe kam “prekur” e përshkuar me tokë gjithë vendet e Europës, vendet e Afrikës së Veriut dhe disa vende të Azisë. 
 
Çfarë zgjedh të bësh për të prishur rutinën?
Nga sa thashë më sipër, kuptohet, udhëtimet në përgjithësi, me makinë veçanërisht. Udhëtimi të nxjerr nga rutina, të heq stresin dhe lodhjen mendore, të vë në raport me njerëz e ngjarje të reja, shpesh të papritura, por që gjithsesi të bën që ta përjetosh ndryshe kohën.
 
A gatuani? Dhe nëse jo, a e ndihmoni bashkëshorten në punët e shtëpisë?
Dikur, kur familja ishte e re dhe fëmijët e vegjël, edhe kam gatuar, madje me kënaqësi. Sot fëmijët janë të rritur, familja është bërë e madhe dhe koha e shtrenjtë e shumë dinamike, kështu që nuk më bie mua radha të gatuaj, edhe pse do të ishte një tjetër mënyrë ç’stresimi, edhe kënaqësi, pse jo! Gjithsesi besoj se ndihmoj shpesh me blerjet me shumicë, apo zahiretë, siç quhen në gjuhën popullore, ngaqë udhëtoj shpesh dhe rrallë ndodh që të kthehem “duarbosh” në shtëpi.

Fatmir Toçi

Besoj se keni një marrëdhënie të veçantë me ushqimin. Sot, larmishmëria është e madhe. Unë dua t’ju pyes për pjatën e gjyshes. E mbani mend recetën e preferuar që veçonit prej saj?
Pyetje me sqimë dhe ndjeshmëri, pasi gjyshet janë gjithmonë shumë të dashura. Kujtoj gjyshen nga nëna, ndjesë pastë, nga Boraka e Shijakut, zonë e njohur për kuzhinën tipike dhe të pasur, ku tavat në furrë dhe byreku në saç janë të famshme edhe sot. Por mua më pëlqente gjithmonë një gjellë e veçantë, që e bënte enkas sa herë shkoja te gjyshja (dhe shkoja shpesh) përveç byrekut në saç me rrudha, me qepë e patate, dredhanik quhet, edhe një pjatë me kunguj bahçeje të skuqur në gjalpë, e pastaj të zhytur në kos fshati të trazuar me hudhra, vaj ulliri e me ca erëza që vetëm ajo i dinte se çfarë ishin. Gjyshen nga babai, nga Kuçi i Kurveleshit dhe që mbeti e vè që në rini me shumë fëmijë, e rënduar nga jeta dhe vazhdimisht e sëmurë, nuk para angazhohej në kuzhinë...
 
Në rrjetet sociale ka përherë surpriza për ju. E kam fjalën për mesazhet e ëmbla që ju vijnë nga nipi dhe mbesa juaj. Gjeni kohën e mjaftueshme për ta?
Në të vërtetë ndryshon jeta në familje kur vjen brezi i tretë. Është një ndjesi që njeriu e kupton dhe e përjeton vërtet vetëm kur vjen koha të bëhet vetë gjysh. Bota merr një kuptim tjetër kur vijnë ata në jetë, kur nisin të belbëzojnë, kur hedhin hapat e parë, kur nisin të flasin gjysma-gjysma e të përkëdhelen, aq sa çdo nëne apo gjyshërve u duket më i veçanti dhe më i mençuri i gjithë njerëzisë. Ndihem keq që nuk mund të rri sa duhet dhe sa dua me të vegjlit e familjes. Shpresoj që Edeni dhe Naisa, por edhe të tjerët që do të vijnë më pas, të më kuptojnë kur të rriten dhe të më “falin” që nuk po mundemi të rrimë sa duhet me ta e t’ua kthejmë sa duhet gjithë atë gëzim dhe kënaqësi që na japin çdo çast.
 
Kush ju bën të “gjunjëzoheni” në jetë? Pra, cila është pika juaj e dobët ku dorëzoheni?
Një pyetje e vështirë drejtuar një “labi”. Ata që më njohin, thonë se nuk bie lehtë në gjunjë, nuk më thyejnë pengesat e vështirësitë. Gjithsesi, ia njoh vetes si dobësi ndjeshmërinë dhe të qenit emotiv në situata e rrethana të ndryshme fatkeqësish në familje apo shoqëri.

Fatmir Toçi

A keni vese?
Duhet ta thonë të tjerët, ata që janë më të afërm apo që rrinë më shumë me mua. Gjithsesi, nuk tymos, nuk pi alkool, veç verës me karar dhe kur jam me të tjerë në tryezë, nuk merrem me fjalë e as me punët e të tjerëve.
 
Ju jeni njeri i politikës, që do të thotë se jeni një njeri që e doni pushtetin. A i doni edhe paratë? Cila është marrëdhënia juaj me to?
Historia njerëzore ka treguar se pushteti dhe seksi i kundërt janë tundimet më të mëdha të njeriut. Përpara tyre njerëzit, në përgjithësi, janë të dobët dhe shkaku i grindjeve dhe konflikteve të mëdha deri në rang botëror. Paratë janë mjet jetese dhe zor se gjen njeri që të thotë se nuk i do. Problemi është kur sigurimi dhe shtimi i tyre me çdo mjet e mënyrë kthehet në qëllim në vetvete. Nuk kam qenë kurrë lakmitar dhe i dhënë pas parasë apo fitimeve të pamerituara. Paratë janë si shegët: të lakmueshme, tunduese dhe të tharta njëkohësisht... Do të më pëlqente të kisha aq sa të bëja një jetë normale dhe të mos ma kujtonin në çdo moment fëmijërinë e vështirë që kemi kaluar me familjen prindërore. Më pëlqen shumë një shprehje që përdoret rëndom në Vlorë për konceptin e pasanikut: “Zengjin nuk është ai që ka shumë pará, zengjin është ai që nuk e di sa pará ka në xhep”.
 
Cila është pasuria juaj më e madhe?
Fëmijët, shëndeti dhe miqësitë e vërteta, edhe pse shumë të rralla në kohën e sotme.
 
Jeni një njeri i lumtur?
Nuk besoj se ka lumturi, ka kënaqësi, gëzime për ngjarje, arritje e rrethana të ndryshme dhe grimca lumturie gjatë jetës.

Fatmir Toçi

Cili është objektivi/qëllimi më i madh që keni për jetën dhe që do të donit ta përmbushnit patjetër?
Besoj se çdo njeri do ta ndërtonte ndryshe jetën e tij nëse do të kishte jetë tjetër, ose të paktën do t’i bënte shumë korrigjime jetës që ka kaluar. Unë prapë botuesin do të zgjidhja të bëja, edhe pse libri është në ditët e tij më të vështira që nga shfaqja e tij para mijëra vjetësh. Dua të rris dhe të lë pas fëmijë të kulturuar, të denjë për një shoqëri të civilizuar dhe ndonjëri prej tyre, Enea ose njëra prej vajzave, ta vazhdojë traditën e familjes sonë që prej një çerek shekulli, atë të botuesit dhe të punëtorit të dijes në shoqërinë shqiptare.
 
Cila ishte loja juaj e preferuar në vegjëli?
Fëmijëria e kohës sime ka qenë më e varfër se sot edhe në lodra. Dominonin lojërat popullore, që nxiteshin edhe nga shkolla, por ndihej mungesa e bazës materiale për të ushtruar lodra të larmishme. Kujtoj se për vajzat loja më e përhapur ishte hedhja në litar ose me peta, ku mjaftonte të gjeje një litar apo një rrasë të vogël guri apo copë pllake të thyer që shtyhej duke kërcyer me një këmbë. Për djemtë ishte shumë e përhapur loja “shkop a cingël”, ku mjaftonin dy shkopinj, një i gjatë dhe një i shkurtër, që ta kalonim gjithë pasditen duke vrapuar e ulëritur nga ngazëllimi. Futbolli, pa dyshim, edhe pse topat e parë që kemi nëpërkëmbur kanë qenë prej lecke dhe radio ka qenë i vetmi mjet për të ndjekur kampionatet e futbollit. Televizorët e parë bardhë e zi filluan të shfaqen kur unë isha në të mbaruar të gjimnazit.
 
Në rrjedhën e jetës, fëmijëria kalon shpejt dhe adoleshenca është aq magjike sa edhe problematike. Cila është marrëzia më e madhe që keni bërë në këtë fazë?
Marrëzitë e adoleshencës tregohen vetëm kur je në atë moshë. Më vonë, shumë vetë përpiqen t’i fshijnë apo t’i fshehin “bëmat” e asaj periudhe, sidomos vajzat. Në fëmijëri kam qenë shumë i prapë, edhe pse mua dhe shumë të tjerëve u pëlqente të më quanin “të shkathët”. Marrëzia më e madhe ka qenë kur nga zemërimi pse vëllanë e madh, Kujtimin, e çuan në kampin e pionierëve në Durrës e mua jo, ika nga shtëpia për dy javë pa lënë asnjë adresë duke tronditur familjen e gjithë qytetin e Kurbneshit të Mirditës, ku banonim në atë kohë. Isha vetëm 13-vjeçar dhe nëna ime, ndjesë pastë, ishte shtatzënë dhe hidhërimi për “humbjen” time bëri që vëllai i vogël, Agroni, sot emigrant në Itali, të lindte shtatanik, për fat shëndosh e mirë.
 
Në retrospektivën e jetës suaj, cila është ngjarja më e vështirë që keni përjetuar?
Vdekja e nënës në moshë fare të re, 51-vjeçare, sapo doli në pension, duke lënë pas 6 fëmijë që nuk mundi t’i shohë të sistemuar të gjithë. Ishte vdekja e parë brenda shtëpisë sonë dhe unë, që isha i dyti i fëmijëve, isha vetëm, 29 vjeç, ndërsa më i vogli i fëmijëve akoma në shkollë. Kjo humbje e rëndë ka lënë shumë gjurmë në karakterin tim. Isha shumë i lidhur me nënën dhe mua më dukej sikur më donte më shumë nga të tjerët, ndoshta sepse u largova shpejt nga shtëpia, sapo mbarova gjimnazin, në fillim në Metalurgjikun e Elbasanit, e më pas përfundimisht në Tiranë. Ngjarje të tjera të vështira ka pasur shumë, sepse ne na takoi të ishim brez në një kohë të vështirë, ku ndërrimi i dy sistemeve nuk do të mund të realizohej pa ngjarje të dhimbshme dhe të frikshme, pa përmendur këtu pasigurinë ekonomike, e cila u qëndronte gjithë shqiptarëve si kambanë mbi kokë.
 
Nëse ndalemi te preferencat muzikore, cila është kënga juaj e preferuar?
 
Në fakt, këngët janë si puna e modës, disa prej tyre bëhen hite, pushtojnë gjithë njerëzit, por pastaj dalin këngë të reja dhe ky cikël përsëritet vazhdimisht. Mbreti i brezit tim ishte Çelentano, që pëlqehet edhe nga rinia e sotme. Por ato që mbeten më gjatë janë këngët popullore dhe muzika klasike. Më pëlqen muzika popullore nga të gjitha trevat, jam i marrosur pas polifonisë së Jugut, por, sidomos së fundi, gjithnjë e më shumë jam i pushtuar nga muzika klasike, elitare si në gjithë botën, por që po vjen gjithnjë e më shumë si kulturë e vonuar në shoqërinë shqiptare.
 
Po pasioni juaj për pikturën, i njohur tashmë së fundmi edhe publikisht?
Kam pasur gjithmonë adhurim për piktorët, që i vogël, të cilët me vetminë dhe punën e heshtur të tyre krijojnë vepra me ndikime dhe vlera të papërsëritshme e që ndezin emocione të rralla. Kudo që shkoj nëpër botë, nga të parat që kërkoj të vizitoj janë galeritë e arteve dhe ekspozitat e ndryshme. Kam shumë piktura, por ideja brilante e Institutit të Librit dhe të Promocionit për organizimin e gati 50 kolonive të piktorëve në gjithë Shqipërinë dhe vendeve ku jetojnë e punojnë shqiptarët i ka dhënë jo vetëm mbështetje, por dhe një hov të paparë zhvillimit të pikturës shqiptare të peizazhit, gati e harrur për shkak të snobizmit të rrymave të ndryshme moderne pa ndonjë vlerë të veçantë. E gjithë kjo punë kolosale e piktorëve shqiptarë dhe nga Rajoni do të finalizohet me një ekspozitë kombëtare të peizazhit ku promovimi i turizmit dhe bukurive të jashtëzakonshme të vendit do të vijë nëpërmjet artit dhe emocioneve që ai sjell.
 
Pushimet verore po trokasin... Ku do t’i kaloni ju ato?
Në Vlorë, Bregun e Jugut dhe fshatrat karakteristike përreth, si çdo vit, ku është edhe zona ime elektorale, por edhe ndonjë udhëtim me makinë jashtë vendit, pa dyshim në zona ku nuk kam qenë më parë. Ëndërr në sirtar mbetet udhëtimi me makinë e tren deri në Kinën e largët duke u nisur nga Moska me Transiberianën, duke kaluar mes për mes Siberisë e Mongolisë, por angazhimi në jetën parlamentare nuk më ka lejuar në këto 7 vjet t’i bëj 45 ditë bashkë për ta realizuar. Por, me siguri që do ta realizoj një ditë duke u bërë kështu një nga shqiptarët e pakët që do të përshkojë me tokë “rrugën e mëndafshit”, që lidhte në lashtësi vendet e Mesdheut me Azinë Lindore...
 
 

Redaksia online
a.n shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ervin Salianji dënohet me 1 vit burg për kallëzim të rremë, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Samanta Karavella shtatzënë?

VIDEO/ Samanta Karavella shtatzënë?