Pezullimet
Vendimin e kompanisë “Belle Air” për të ndërprerë fluturimet, drejtori i AAC-së e ka cilësuar si të pakuptimtë. Këtë ai e bazon tek fakti se kompania “Belle Air”, sipas shkresave të protokolluara pranë AAC-së, deri në fund të muajit shtator të vitit 2013, fitimi i kompanisë për periudhën 9-mujore kapte shifrën 3.5 milionë euro. Për më tepër, sipas sqarimit të drejtorit Sulaj, protokollimi i kësaj shkrese zyrtare ishte kryer në datën 20 nëntor ose 5 ditë përpara se kompania “Belle Air” të dërgonte një njoftim zyrtar, sipas të cilit ajo kishte pezulluar fluturimet. Arsyet që dha kompania “Belle Air” për të pezulluar këto fluturime ishin një ristrukturim i kompanisë dhe bllokimi prej 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të saj.
Rimbursimi
Pezullimi i papritur i fluturimeve të kompanisë “Belle Air” la me qindra udhëtarë në mëshirë të fatit, të cilët prisnin të udhëtonin në destinacionet e tyre. Ndërkaq, në njoftimin e saj, kompania “Belle Air” deklaroi se duke filluar nga data 25 nëntor, pasagjerët mund të siguronin biletat e tyre kundrejt një tarife mbrojtëse dhe të udhëtonin me kompaninë “Blue Panorama”. Gjithashtu, pasagjerët që kishin prerë bileta nëpermjet kartës së kreditit mund të kërkonin rimbursimin e biletave duke kontaktuar me bankat që kishin lëshuar kartat e kreditit dhe duke paraqitur referencat e biletave. Për sa i përket rimbursimit, drejtori i ACC-së, Petrit Sulaj, tha se asnjë pasagjer, që ka kontaktuar për kthimin e parave, nuk ka mundur të marrë paratë, pasi nuk është gjetur asnjë lek në llogarinë e kompanisë. Drejtori Sulaj informoi se çështja tashmë është në prokurori dhe se sot do të zhvillohet seanca gjyqësore.
Tregu
Dalja jashtë loje e kompanisë “Belle Air nuk ka krijuar vakuum në tregun e aviacionit civil, pasi kompani të ndryshme ajrore kanë paraqitur këkesa zyrtare pranë ACC-së për t’iu përgjigjur këkesave të lëvizjeve. Drejtori Sulaj u shpreh se AAC-ja është e hapur ndaj kompanive të reja ajrore, por me kusht që ato të plotësojnë rregullat dhe normativat e duhura dhe do të kenë mundësi të nisin operimet në vend. Drejtori i AAC-së theksoi se kompanitë ajrore që duan të jenë pjesë e tregut shqiptar duhet të plotësojnë ligjet në fuqi të shtetit shqiptar, si edhe direktivat e EUROCONTROL-it, në mënyrë që situata të tila si ajo e “Belle Air” të mos përsëriten më. Ndërkaq, AAC-ja u ka dhënë leje të përkohshme për fluturime kompanive “Blue Panorama” (deri më datë 23 dhjetor) dhe “Small Planet” (18 dhjetor 2013).
Shkrimi u publikua sot (12.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)