“Belle Air”, shpalli falimentin
për të shmangur tatimet

“Belle Air”, shpalli falimentin<br />për të shmangur tatimet
TIRANE- Dje, me qindra pasagjerë, të cilët kanë prerë bileta për të udhëtuar me kompaninë “Belle Air”, janë lënë në mëshirë të fatit në Aeroportin “Nënë Tereza” nga kjo kompani, derisa avionë të një kompanie italiane i kanë marrë për t’i çuar në destinazion. Atmosfera në aeroportin e Rinasit, që në mengjes, ishte tejet e tensionuar, pasi qindra pasagjerë kërkonin me ngulm të kontaktonin me përfaqësues të kompanisë, por më kot.

Të premten “Belle Air” kishte dorëzuar në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të shpallur falimentin. Pavarësisht kësaj lëvizjeje, kompania “Belle Air” kishte vazhduar t’u shesë bileta klientëve të saj. Në Aeroportin “Nënë Tereza”, me qindra qytetarë të indinjuar kërkonin dje rimbursimin e biletave, për shkak se kompania “Belle Air” anulloi të gjitha fluturimet.
 
PEZULLIMI
Vendimi i kompanisë “Belle Air” për të pezulluar fluturimet është bërë publik dy ditë pasi kjo kompani ka bërë kërkesë në Gjykatën e Shkallës së Parë për të shpallur falimentimin. Në orën 21:00 të datës 24 nëntor, kompania “Belle Air” ka nxjerrë një njoftim për shtyp ku shpjegon se arsyeja kryesore e pezullimit të fluturimeve ka qenë “bllokimi prej më shumë se 18 ditësh i të gjitha llogarive bankare të kompanisë “Belle Air”.

Dy ditë më parë, në datën 22.11.2013, kompania ajrore kishte dërguar në Gjykatë kërkesën për deklarim falimentimi (çështja nr. 19528). Ajo që mbetet për t’u theksuar është se, pavarësisht këtij vendimi të ndërmarrë nga kompania, shitja e biletave ka vazhduar dhe të 4 avionët e kompanisë janë dërguar në Bullgari.
  
Rimbursimi

Kompania “Belle Air” ka bërë të ditur se duke filluar nga data 25.11.2013 (dje), pasagjerët mund të mbrojnë biletën e tyre kundrejt blerjes se një bilete me një tarife mbrojtëse, nëpërmjet degës Blue Express të Panorama Blue Airlines. Ndërkaq, Kompania Panorama Blue Airlines ka vënë në dispozicion avionët e saj për pasagjerët që duhet të udhëtonin me “Belle Air”, por gjithmonë udhëtimi mund të kryhet nëse paguhet tarifa e lartpërmendur. Nga ana tjetër, pakorrektësia e komapanisë “Belle Air” është edhe kundrejt punonjësve të saj. Burime të brendshme të kësaj kompanie bëjnë të ditur se nuk kanë marrë rrogat prej 3-4 muajsh.
 
REAGIMI
Nga ana e Qeverisë është mohuar fakti se kompanisë “Belle Air” i janë bllokuar llogaritë. Dje, në një deklaratë për shtyp, Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, ka deklaruar se “nuk ka asnjë bllokim të llogarive nga asnjë nga institucionet shtetërore të vendit”. Në fakt, i vetmi bllokim që kanë ndërmarrë tatuimet ka vazhduar për vetëm dy ditë dhe është revokuar. Kjo lëvizje e kompanisë “Belle Air” ka të gjitha gjasat e një manovre për të shmangur tatimet. Ministria e Transportit dhe Agjencia e Aviacionit Civil janë duke negociuar një zgjidhje për shlyrjen e detyrimeve tatimore nga kompnania ajrore.

Deri më tani nuk ka shënja të një vullneti pozitiv nga ana e kompanisë ajrore për të gjetur një rrugëzgjidhje, ndonëse është propozuar ristrukturim i detyrimeve ndaj shtetit dhe bankave. Kjo të bën të mendosh se shpallja e falimentit nga vetë kompania është një rrugë për të shmangur pagesat shumëmilionëshe (euro). Përsa i përket kësaj situate, deputeti i PS-së Erjon Braçe, një nga zerat më të fuqishëm të partisë së purpurt, ka kërkuar arrestimin e pronarëve dhe zyrtarëve të kompanisë “Belle Air”, të cilët, sipas tij, e kanë zhytur këtë kompani në borxhe në të gjithë Europën. “Pronari dhe zyrtarët e kësaj kompanie duhen vënë nën hetim, pse jo, duhen arrestuar”, - ka theksuar ai.

KONKURRENTET
Mbi 50% e tregut ajror civil zotërohej deri tani nga kompania “Belle Air”. Kompanive të tjera ajrore si “Albanian Airlines” dhe “Albatros Airlines” u është hequr liçenca për të ushtruar veprimtarinë e tyre gjatë periudhës së qeverisë “Berisha”. Është folur shpesh në media se “Belle Air” është e lidhur me eksponentë të lartë të PD-së.

Ndërkohë, duket se në treg ka patur lavizje, për të përfituar nga një largim i mundshëm i “Belle Air”-it nga pozitat e deritanishme. Rezulton se më datën 04.11.2013, një kompani me emrin “Fly Albania”, me administrator Igli Larashi është krijuar rishtazi dhe ka marrë liçencën për të operuar në tregun ajror shqiptar.

Drejtuesi i saj ka të paktën 15 vjet që punon në detyra të ndryshme në Aeroportin e Rinasit dhe pronarë bashkë me të janë edhe Nerimane Ejupi dhe Abdulla Tajari. Sëbashku me “Alitalia”-n, këto kompani mund të jenë konkurrentet të paktën për të marrë “stafetën” për udhëtimet drejt Italisë.

Sa i përket kompanisë “Blue Panorama”, ajo është një subjekt i regjistruar në mënyrë të rregullt në shtetin fqinjë, Itali, e cila ka pranuar të bëjë një marrëveshje me “Belle Air” kundrejt pagesës për të zëvendësuar fluturimet e saj. Nuk dihet ende se sa do të zgjatë kjo marrëveshje. Drejtuesi i saj Giancarlo Zeni ka deklaruar se biletat e lëshuara nga “Belle Air” do të përdoren për fluturimet e saj, por me një kosto prej 60 eurosh “mbulimi”.

faksimile
 
  Shkrimi u publikua sot (26.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Ministrja Pirdeni nënshkruan Planin e Veprimit në Budapest: Hungaria do të trajnojë nëpunësit shqiptarë për integrimin në BE!

Ministrja Pirdeni nënshkruan Planin e Veprimit në Budapest: Hungaria do të trajnojë nëpunësit shqiptarë për integrimin në BE!