“Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!”

“Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!”
Po t’u përmendësh disa çekëve emrin e Jaroslav Hashekut, ata për habinë tënde ose bëjnë sikur nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë, ose së paku të përgjigjen ftohtë, pa entusiazmin me të cilin filloi biseda. Dhe kjo ndodh jo se nuk e njohin dhe nuk i dinë vlerat e shkrimtarit të tyre të madh, porse protagonosti i veprës më të famshme të tij u duket sikur nuk shpreh, nuk  përfaqëson dinjitetin e një populli të tëre me histori civilizimi shumëshekullore dhe me Universitetin mbi shtatëqindvjeçar, themelimi i të cilit vlerësohet si i dyti ndër më të hershmit në të gjithë Evropën.

Megjithatë, pezmatimi i bisedës nga disa çekë të zakonshëm tek ua përmend Hashekun nuk e zbeh aspak figurën madhore të ushtarit të mirë Shvejk, që nuk mbahet mend për tallje ndaj qytetarëve të tij në sfondin e kohës ku e kishte vendosur shkrimtari Hashek, por në qesëndisjen dhe përçmimin që nëpërmjet figurës së Shvejkut popujt e të gjitha hapësirave evropiane u bënin atëhere, por u bëjnë edhe tani në shekullin e ri një soji politikanësh, të cilëve çudtërisht e quajnë të drejtë edhe atë që logjikisht e moralisht është e gabuar.

     “Ç’më duhet mua çfarë ç’bëj unë!” – thoshte Shvejku, refreni i cilit të shoqëron këto ditë edhe në Shqipëri me shfaqjen e figurave të përsëritura në mënyrë groteske të disa liderve të opozitës, që pasi qëndruan në krye të vendit për tetë vjet rresht me metodat primitive të drejtimit dhe të shpërdorimit të pushtetit, qeverisjes së re i bënë peshqesh jo vetëm prapambetje të theksuar ekonomike, por edhe një mal me borxhe dhe në relievet e tij mjaft kratere të kriminalitetit tërëformësh, “shpërthimet” e të cilit i kanë kapërcyer edhe kufijtë e këtij vendi.

Dhe, secili prej tyre – përgjegjës për këtë tragjedi që kanë shkaktuar mundohen t’i bëjnë situatat më “gazmore” tek përvetësojnë refrenin e Shvejkut: “Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!”. Ndërkohë që, kur qeverisja e re vlerësohet edhe ndërkombëtarisht për vullnetin e saj në proceset e ndryshimit të shpejtë të gjendjes drejt integrimit modern evropian, pa mbushur ende datëlindjen e parë të saj, ata i vënë gishtin për të treguar se kush na qenkan fajtorët e vërtetë të mjerimit shumëplanësh që i lanë popullit.

Pikërisht, kështu po veprojnë edhe së fundmi liderët e opozitës politike shqiptare, sepse me sa duket nuk dinë (apo nuk duan) të pajtohen me përgjegjësitë e përbashkëta, gjithëpërfshirëse që kërkohen sidomos për ndërmarrjen e një sërë reformave në një shtet, ku zhvillimi i përgjithshëm kurrë se si nuk mund të bëhet pa sundimin e ligjit. Kurrë se si nuk mund të bëhet pa sundimin e ligjit në çdo pëllëmbë të territorit, në çdo sferë të jetës, në çdo qelizë të shoqërisë.

Në këtë vështrim u prit me entusiazëm edhe ndërhyrja e domosdoshme e Policisë së Shtetit në Lazarat, në atë fshat që prej kohësh ka marrë epitete të ndryshme, ndërmjet të cilave edhe si “Republika e Lazaratit” apo si “Kolumbi e Evropës”. Si “Republikë e Lazaratit”, për faktin që prej disa vite rresht ky fshat – komunë ka ndjerë dorën përkëdhelëse të qeverisjes së shkuar dhe prandaj nuk ka menduar se do të ndërhyjnë ndonjë herë atje forcat e policisë së shtetit, për të ndërprerë dhe zhbërë atë “sovranitet” kriminal. Si “Kolumbi e Evropës”, për faktin që prej disa vite rresht është bërë hambar droge, tonelatat e së cilës një grusht klanesh trafikante të saj i shpërndajnë nëpër Evropë, duke përfituar shuma marramendëse parash.

Ndërkohë që në Shqipëri trullosen mendjet dhe telendisen trupat e atyre të varfërve që punojnë si mëditës për kultivimin e kësaj droge. Dhe, ndërsa pronarët e sipërfaqeve të Lazaratit ku bimët e kanabis sativa gjelbërojnë çdo vit, gratë e familjeve të tyre gjatë barrëve të lindjes i transferojnë gjetkë, të tjera femra shtatëzëna me fëmijët e tyre, që shkojnë në atë fshat si hyzmeqare të kultivimit nuk dinë çfarë vogëlushësh do të lindin përmes trullosjes së përditshme nga avujt e së keqes.

Por, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe OSBE mbështesin policinë ndaj trafikantëve dhe kultivuesve, si edhe ndaj kriminelëve klasikë, që fshihen në Lazarat për të mos u ekstraaduar nëpër shtetet ku janë dënuar, kur shumë media prestigjoze nëpër botë pasqyrojnë aksionin e fuqishëm policor që është konfrontuar deri edhe me rezistencë të armatosur rëndë të kontigjenteve të krimit, kur gjatë këtij aksioni u bëhet thirrje e vazhdueshme banorëve të këtij fshati të mos dalin nga banesat, për të mos ngrënë plumbat e atyre që i meritojnë ato në lule të ballit, pra në këto situata, çfarë qëndrimi mban lidershipi i kësaj opozite politike në Shqipëri?

Pasi heshti për dy ditë rresh nga kjo ndërhyrje e befasishme e Policisë, për kuadrot e zgjedhur të së cilës nuk ka lënë gjë pa thënë, kur nisi të duket qartë më së fundi efektiviteti i dorës së shtetit mbi atë territor dhe të strehuarit në ‘të, atëhere vuri kujën Sali Berisha në rrjetin social Fb: të ndalet terrori mbi civilët! Kështu, jo vetëm që mohohet kujdesi i hapur i shtetit për veçimin e civilëve nga paraushtarakët e stërvitur nën qeverisjen e Berishës, por a mund të mbajë goja e tij thirrje të tilla, kur ende nuk është bërë ujë gjaku i derdhur më 21 janarin e tre viteve më parë nga të shtënat e urdhëruara prej vet atij, Sali Berishës!?

Por, çfarë ’t’i bësh, ky e ka në majë të gjuhës refrenin e Shvejkut: “Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!”. Prandaj edhe: “Ç’më duhet mua çfarë them unë!”, për tërë fyerje dhe poshtërime që i dërdëllit goja në Kuvendin e Shqipërisë, madje edhe ndaj grave të botës. Por, kësaj teme, mbase nuk ia vlen t’i kushtohet shumë vëmendje tani, pas tërë atyre logoreve shpifëse të Berishës për vite e vite me rradhë ndaj jetës familjare dhe private të kundërshtarëve të vet politikë.

Më tej, kryetari de jure i Partisë Demokratike kundërshton vërtet dhunën e ushtruar nga disa lazo ndaj një grupi xhirimi të Televizionit A1 Report, pasi e ngarkuara e OSBE me shtypin dhe mediat, Dunjatoviç doli me një deklaratë të veçantë. Por çudia vjen pakëz, vetëm pakëz më vonë, kur pasi iu vetdorëzua Policisë së Shtetit më i kërkuari prej saj në atë fshat, atëhere dëgjojmë t’u drejtohet mbështetësve të opozitës me flatrat përpjetë: Fituam një betejë, por lufta vazhdon!(?).

Për cilin luftë e ka fjalën, kur në kohën e tij nuk ka shkelur atje dhe gjetkë këmbë polici për të ndaluar tërsëllimat e drogës? Përsëri refreni: “Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!”. Dhe, këtij refreni i ngrihen tonet akoma më shumë, kur ky Lulzim Basha, duke shprehur mirënjohjen për – sipas tij - të gjithë qytetarët dhe organizatat që paskan krijuar bashkë me ‘të Aleancën Kombëtare Kundër Drogës deklaroi që fryma dhe vlerat e kësaj Alenace po fitokërkan terren, demek duke nxitur e shtytur Policinë e Shtetit të ndërmarrë këtë aksion të paparë ndonjëherë.

Por, kur qenka krijuar kjo Alenacë, mos vallë pasi u mbush vendi me plantacione droge dhe Qeveria ku bënte pjesë ai u rrëzua nga pushteti me votë popullore masive?! Dhe alogjizmi i tij shtyhet më tej, kur ndërkohë që thotë se Alenaca e tij po ndikon mbi Policinë e Shtetit, pra që mazhoranca na i hapërka rrugë kërkesave të opozitës, përse ky lider kaq i “sukseshëm” u ankohet vazhdimisht ambasadorëve të huaj, në takime veç e veç dhe të prbashkëta me ‘ta, se mazhoranca tregohet arbitrare me opozitën!? Më tej, përse deputetë opozitarë - pjesëmarrës në takimin e fundit BE – Shqipëri iu qanë  Komisionerit Evropian për Zgjerimin, se  pjesëmarrës të mazhorancës rrahin në Parlament deputetë të opozitës!?.            

Gjithçka i takon një periudhe aktuale të dridhshme, kur nga mazhoranca kuvendore dhe Qeveria e kryesuar prej Edi Ramës po bëhen të gjitha përpjekjet për t’iu akorduar Shqipërisë statusi zyrtar i Shtetit Kandidat për në Bashkimin Evropian, ndërsa opozita e inkriminuar kok’e këmbë kërkon të marrë nëpër duar meritat e këtij akordi. Dhe, nëse nuk do të arrihet kjo, atëhere të vazhdojë me hove të reja për të përmbysur qeverisjen e ndryshimeve.

Prandaj, edhe kur Lulzim Basha ka vajtur në Gjermani etj, ku i është ofruar apo rezervuar ndonjë takim politik vetëm i nivelit të mesëm, pretendimi i tij ka qenë lobimi për statusin, ndërkohë që njoftimet zyrtare nga selia e PD kanë informuar edhe që kryetari i saj u është deklaruar bashkëbiseduesve kundër Qeverisë – trafikante të shtetit të tij(!?). Kundër atij trafikimi të drogës, që lulëzoi njësoj dhe njëkohësisht me zhvillimin tërë vrik të bimës së saj pikërisht në kohën e ish qeverisjes së djathtë, ndërsa është Qeveria e Aleancës për Shqipërinë Evropiane ajo që në zbatim të Programit të vet vuri për herë të parë në lëvizje forcat e Policisë së Shtetit për të ndërmarrë ndërhyrje të përmasave të tilla.

Por, nëse Sali Berisha, Lulëzim Basha dhe bashkëpunëtorët e ngushtë të tyre vazhdojnë me refrenin “Ç’më duhet mua çfarë bëj unë!” jo vetëm që perspektivën politike individuale e kanë të mbyllur në sfond, por edhe faktorizimi i Partive pas logove të të cilave mundohen të fshehin dështimet politike të shoqëruara me rritje të kriminalitetit po zbehet gjithmonë e më shumë. Po zbehet gjithmonë e më shumë, aq sa qysh tani ka filluar të lindë nevoja për t’u zëvendësuar me forca të tjera të djathta në spektrin politik të vendit. Dhe, plotësimi i kësaj nevoje nuk duket e largët. Nuk duket e largët, sepse koha vjen për ata që dinë ta presin atë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase