“Dimri i vetmisë së madhe”
roman për partinë dhe popullin

“Dimri i vetmisë së madhe” <br />roman për partinë dhe popullin
Gazeta "Zëri i Rinisë" hapi një diskutim për romanin e shkrimtarit Ismail Kadareja "Dimri i vetmisë së madhe". Shkrimet që i erdhën redaksisë Shqiptarja.com shfaqnin përshtypje e mendime lexuesish të ndryshëm, midis të cilëve kishte vlerësime, vërejtje, dhe ndonjë rast ndonjë mendim jo të drejtë siç qe ai i F.Shalësit që thoshte se shkrimtari shkruante sipas oreksit të lexuesit të huaj. Duke mbyllur diskutimin, po botojmë këtë shkrim.

Në historinë e një kombi ka ngjarje të tilla që janë të pashlyeshme nga kujtesa e popullit: përmbysjet dhe lindjet e mëdha, gjëmimet e luftërave dhe tërmeteve shoqërore, qëndresat heroike dhe që i japin shkëlqim të ri vitalitetit dhe dinjitetit kombëtar, momente të mëdha të betejave dhe fitoreve. Në masivin e këtyre majave të lavdisë së kombit ka ngjarje të tilla që i kalojnë kufijtë e tij dhe atëherë ato i përkasin historisë së njerëzimit. Në këtë masiv dhe e kësaj natyre është lufta e partisë me shokun Enver Hoxha në krye për mbrojtjen e marksizëm leninizmit nga tradhtia e revizionistëve hrushovianë. Viti 1960 qe viti i dramës së madhe... Delegacioni ynë i kryesuar nga shoku Enver u çori maskën revizionistëve hrushovianë në mbledhjen e 81 partive në Moskë dhe tregoi se Partia e punës së Shqipërisë ishte besnike e patundur dhe vazhduese e denjë e mësimeve të pavdekshme të Marksit, Engelsit, Leninit, Stalinit….

Ishte detyrë e letërsisë sonë që t'ua transmetonte brezave këtë moment të madh. Shkrimtari Ismail Kadareja i vuri vetes pikërisht një detyre të tillë në romanin "Dimri i vetmisë së madhe" dhe është meritë e tij që realizoi këtë gjë artistikisht me forcë përgjithësuese. Në qendër të veprës qëndron ideja e luftës parimore të partisë sonë të udhëhequr nga shoku Enver Hoxha dhe e demaskimit të tradhtisë së revizionistëve hrushovianë. Në shërbim të saj vihen linjat dhe episodet e romanit e në radhë të parë linja kryesore e tij, ajo e ndeshjes së delegacionit tonë në mbledhjen e 81 partive më Moskë. Duke e trupëzuar e mishëruar këtë linjë si dhe këtë luftë në figurën e shokut Enver, autori e ka skalitur atë me shumë ndjenjë, dashuri e vërtetësi. Figurën e udhëheqësit na e ka dhënë të karakterizuar nga kthjelltësia dhe largpamësia ideologjike, nga principialiteti dhe guximi për të thënë të vërtetën në sy, nga urtësia dhe mençuria, nga besnikëria e madhe ndaj kauzës së popullit dhe të revolucionit, nga internacionalizmi proletar. Në figurën e tij është vetë shoku Enver, vetë lufta e Partisë sonë. Konstruktimi i një vepre me dimensione të tilla ku gjen pasqyrimin me tërë vërtetësinë dhe shtrirjen figura e udhëheqësit është suksesi i madh, meritë dhe shenjë pjekurie për letërsinë tonë të re të realizmit socialist. …karakteristikë e romanit është se figura e udhëheqësit jepet në momente kulminante me tërë dimensionet e nevojshme. Në skalitjen e saj autori di të ruajë raportet midis madhështores, por jo të mistifikuar, të njerëzores, por jo të zakonshmes. Në çdo situatë që u vendos,në darkën e Kremlinit, në natën e "Zimave" të zinj, në vigjiljen e mbledhjes, ballë për ballë me antagonistin e tij kryesor Hrushovin, në sallën Georgevskaja, në meditacionin e tij në një ditë dimri për të përballuar bllokadën, pra në të gjitha çaste dramatike, figura e tij i ka dimensionet që kërkojnë këto momente kulminante. Me përshkrimin e udhëheqësit, letërsia jon iu bën sfidë letërsive skematike, dogmatike, borgjeze e revizioniste. Përshkrimi i figurës së udhëheqësit është një sukses cilësor i realizmit socialist. Le të përshkruajmë një pasazh për të parë sesa të afërt e të dashur dhe njerëzore na e përshkruan autori atë:
"U bë një heshtje delikate si një qelq i madh. Enver Hoxha një copë herë i mbajti sytë ulur, diku në drejtim të tavllës, ku kishte shkundur cigaren. Ndjehej përjashta përpjekja e erës për të ulëritur.
-Nesër hapet mbledhja, tha Enver hoxha sikur të fliste me vete. Asnjëri prej tyre nuk mund të thoshte gjë. Mendjet tyre të vëna në gjendje pritjeje, kishin pushuar së krijuari fjalë.-Më kujtohet kur isha nxënës në Gjirokastër, dimrit vërshëllente era, ja kështu, dhe unë bashkë me një shok i vinim krahët ndonjë muri që të mos na zinte veriu dhe flisnin për komunizmin. S'e mendoja kurrë.
-Ju shoku Enver, ju që na keni udhëhequr..-filloi të fliste një nga specialistët.
-E ç'i do fjalët e mëdha e ndërpreu butësisht Enver Hoxha, le të pimë këtë kafe të qetë.
Një nga gratë ruse që shërbente poshtë në kuzhinë po na sillte kafetë.
-Nuk më erdhi kot ndërmend Eskili pak më parë, tha Enver Hoxha. Ai shoku që ju thashë e dinte shumë Eskilin. Çdo herë që profesori i letërsisë së vjetër greke përmendte tragjeditë e humbura të Eskilit, ai psherëtinte.
Ai ëndërronte që të gjendeshin tragjeditë e humbura. Të gjithë ia dinin këtë pasion dhe e ngacmonin. E pse duhet të gjenden ato tragjedi, - i thoshte një nga shokët, edhe pa to bota ka mjaft tragjedira. Ndoshta humbja e tyre nuk është e rastit, thoshte një tjetër. Ndoshta është një farë nevoje për harrim. Kaq vite kanë shkuar dhe nuk më harrohen këto fjalë. Bota është e mbushur me tragjedira, por ne kujtonim se komunizmi nuk do t'i njihte ato. Po s'ishte ashtu.
Ai piu kafen gjer në fund.
-S'ishte ashtu, pëshpëriti duke lënë filxhanin mbi tryezën e vogël.
Besniku nuk i hiqte duart prej filxhanit. Gjithë plakat e Shqipërisë do të zgjasnin duart e rreshkura për ta përmbysur atë filxhan, që të shihnin fatin e mëtejshëm të Shqipërisë. Ai u përpoq ta dëbonte menjëherë atë mendim nga koka".
Ngjyra që sundon në roman është epika. Ajo që ndodh në kështjellën e Kremlinit, të kujton tragjedinë e Shekspirit. Në kështjellën e Makbethit thuren planet më monstruoze kundër revolucionit dhe komunizmit. Gjeneralët që vërtiten në mbrëmjen e 7 Nëntorit janë si thika që kërcënojnë me vrasje. Përmes këtij tragjizmi ngrihet si një epos homerik guximi dhe trimëria e delegacionit tonë… Figurë që një vend të gjerë në roman është ajo e Besnik Strugës. Ai është komunist i vendosur që s'ka rezerva, korrekt dhe i përpiktë në detyrë. Besniku mundohet ta ndjekë në çdo hap udhëheqësin në ngjarjet e Moskës, i bën jehonë fjalës së tij dhe është ushtar i Partisë pa fraza të bujshme. Si komunist i thjeshtë ai e ka të vështirë të mbajë mbi supe një barrë aq të rëndë, sepse nuk ka dimensionet e udhëheqësit, gjerësinë, largpamësinë dhe ekuilibrin e tij. Kështu shpjegohet që ai ka një tronditje të madhe pas ngjarjes së Moskës...Në këtë plan zhvillohet edhe marrëdhënia e tij me Zanën, megjithëse kjo linjë ka nevojë për ndonjë rregullim, sidomos në aspektin e punës së Besnikut për ta mbajtur atë afër...
Duke dashur të theksojë rrezikun e degjenerimit të moral të rinisë nën presionin e ndikimeve të huaja borgjeze e revizioniste, autori ndalet disi gjatë në një grup të rinjsh të "Rrugës së Dibrës" dhe në disa figura vajzash. Edhe pse i shkruan këto kapituj pa ndonjë patos e frymëzim të veçantë, fakti që zënë në vepër një vend të konsiderueshëm, përbën një teprim që duhet korrigjuar. I preokupuar mbas linjave kryesore, kemi përshtypjen se autori nuk i ka kushtuar vëmendjen e nevojshme këtyre kapitujve, por jo se nuk e kanë preokupuar...(shkurtim teksti).

Romani "Dimri i vetmisë së madhe" i Ismail Kadaresë dëshmon për një ngritje të ndjeshme cilësore të prozës së tij në gjininë e romanit...Në roman gjemë karaktere të individualizuar dhe të tipizuara sipas mënyrës së tij, e cila konsiston në gjetjen e detajeve që i vendos në shërbim të evidentimit të këtyre karaktereve. Është i dukshëm dhe shumë i ndjeshëm densiteti i mendimeve dhe lakonizmi i frazave që vihet re në mënyrë ët e veçantë tek ky roman i autorit. Gjuha e pasur e shkrimtarit këtu ka fituar edhe më shumë ngjyrë dhe forcë, sidomos në dialogun e shkathët, të mprehtë dhe plot nëntekst që e hasim rëndomtë në roman e veçanërisht në pjesën "Mysafirë në Kështjellë".

(Artikulli është i shkurtuar në mjaft fragmente. Janë ruajtur argumentet bazë të mbrojtjes së veprës së Kadaresë nga autorët e këtij shkrimi. Dh.H)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete

Rama njofton ndryshimet në qeveri, Balla shkarkohet si ministër i Brendshëm, Peleshi kreu i grupit të PS! Ikën Mete