“Djepi i engjëjve”, streha e
dashurisë për foshnjet e braktisura

 “Djepi i engjëjve”, streha e<br />dashurisë për foshnjet e braktisura
Të paguash për fajin e të tjerëve. Kjo është ajo që po ndodh me Drinin, Anxhelion, Danielin dhe Sarën. Ata kanë një të përbashkët: “Janë fryt i një lidhjeje të dështuar”. Fëmijë të braktisur në një kazan plehrash, të lënë në dyer të një apartamenti apo edhe në maternitet është ana e errët e shoqërisë shqiptare.

Por ekzistojnë edhe nga ato nëna që janë treguar “më zemër butë”, kanë braktisur fëmijët e tyre te ‘Djepi i ëngjëjve’ në maternitetin ‘Mbretëresha Geraldin’. Kjo qendër pret të gjithë fëmijët e sapolindur që braktisen nga prindërit dhe mbeten të vetëm në sallat e lindjes. Infermieret shndërrohen në personat më të rëndësishëm dhe që janë me ta në momentet më të veçanta të një fëmije.

Qendra “Djepi i engjëjve”
“Djepi i engjëjve” është themeluar nga OSAAB ( Organizata për mbështetjen e fëmijëve të braktisur të Shqipërisë) në vitin 1995. Kjo qendër që ndodhet në katin e parë të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” , është një mbështetje për nënat e reja të cilat për arsye nga më të ndryshmet nuk mund të përkujdesen për bebet e tyre. Mjafton një deklaratë e lëshuar prej tyre dhe mund të rikthehen dhe t’i marrin përsëri pasi kanë krijuar kushtet minimale për përkujdesjen e foshnjes. Me një mesatare prej 35 foshnje në vit, ‘Djepi i ëngjëjve’ është përkujdesur për rreth 700 foshnje në gjithë historikun e saj. Të ardhurat për qendrën mblidhen nga vullnetarë nga e gjithë bota të cilët kontribuojnë jo vetëm financiarisht por edhe duke u përkujdesur disa orë në ditë për engjëjt e braktisur. Aktualisht ndodhen katër foshnje, tre djem dhe një vajzë. Më i vogli prej tyre ka vetëm gjashtë ditë që ka ardhur në jetë, i braktisur nga prindërit e tij pasi familja nuk ka mundësi ekonomike për ta mbajtur atë, ashtu si tre vëllezërit e tjerë. Më fatlumi prej tyre është Anxhelino, më i madhi nga “shokët e dhomës”, vetëm tre muajsh. Nëna e tij, studente e braktisur nga partneri i saj por edhe nga familja ka deklaruar që do ta marrë nga kjo qendër sapo të krijojë kushtet minimale për rritjen e një bebeje. Ndërsa Danieli dhe Sara, tre dhe dy muajsh do të qëndrojnë dhe disa ditë në këtë pavion ku do të dërgohen në jetimore, për të nisur më pas një rrugëtim i cili nuk do të jetë i lehtë për ta.

Rregullat për pritjen e fëmijëve në qendër
Sipas rregullores, fëmija do të qëndrojë në jetimore dhe nuk mund të birësohet nëse më parë nëna lëshon deklaratë se do ta takojë gjithmonë fëmijën e saj. Në të kundërt, qendra i dërgon në jetimore dhe ajo ka të drejtë t’i japë për birësim. Rregullat janë të përcaktuar qartë që në fillim, por bëhen dhe përjashtime. Një fëmijë mund të qëndrojë te qendra deri në dy ose tre muaj po ka dhe raste ku afati shtyhet deri në pesë muaj. Këto përjashtime bëhen vetëm kur nëna ka një arsye shumë të fortë ose për shkak të vonesave në dokumente. Sa më shpejt të dalin nga spitali aq më mirë është për birësimin e tyre.

Shkaqet
Sipas Florindës, infermiere në  këtë repart, mosha mesatare e nënave që braktisin fëmijët e tyre te mateniteti “Mbretëresha Geraldinë” është 25- vjeç po ka pasur edhe raste që vajza në moshën 15- vjeçare që janë gjendur përballë kësaj situate. Sipas saj numri i foshnjeve të braktisura ka pësuar zbritje, por për këtë nuk duhet të gëzohëmi, pasi është rritur numri i aborteve. Lindjet nga lidhjet jashtë martesore janë arsyet të cilat dominojnë përveç kushteve jo të mira ekonomike, braktisjes nga partneri apo edhe të dhunës. Sipas statistikave ndër vite janë më të shumta vajzat nga zonat rurale pasi në vendet ku jetojë e kanë të pamundur të ndërpresin shtatëzaninë e padëshirueshme.

Statistika
Referuar shifrave të marra nga viti 2010-2015, në Shqipëri çdo vit braktisen te ky repart më shumë se 20 foshnje.  Sipas të dhënave,  në vitin 2010 janë lënë në dyert e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” 27 vogëlushë. Numri ka pësuar një rritje të ndjeshme duke arritur maksimumin me 35 foshnje në vitin 2011 dhe 2013 e ndërsa në 2012 te “Djepi i engjëjve” janë braktisur 26 foshnje.  Viti që ka shënuar numrin më të vogël të foshnjeve të braktisur 2014 me 23 foshnje, ndërkohë në vitin që lam pas, në 2015 “Djepi i engjëjve” ka pasur 24 foshnje.

Sipas punonjëses sociale të këtij pavioni, Mira Asllanit, modernizimi i shoqërisë, pavarësia e femrës nga burri apo familja e saj kanë ndikuar fatmirësisht në uljen e numrit të foshnjeve të braktisura.
 
E mira absolute është që asnjë prindër, për asnjë arsye të mos braktisë krijesën e tyre. Por duke qenë se asgjë absolute nuk ekziston, “Djepi i engjëjve” është e keqja më e mirë për fëmijët e braktisur, të cilëve u sigurohet, strehim, ushqim, përkujdesje, vëmendje dhe dashuri pa kushte nga "nënat e tyre shpirtërore"
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

'Topalli me diasporën, nuk e di a do ketë energji?!' Meçe në 'Studio Live': Nuk e shoh normale që sekretet e shtetit të jenë tek telefoni i Monikës

'Topalli me diasporën, nuk e di a do ketë energji?!' Meçe në 'Studio Live': Nuk e shoh normale që sekretet e shtetit të jenë tek telefoni i Monikës