TIRANE- Gjatë vitit të kaluar nga mjekët e familjes janë shpërndarë 4,2 milion receta të rimbursueshme ose e thënë ndryshe 1.5 receta për çdo shtetas shqiptar. Për Ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj kjo shifër është konsideruar e lartë ashtu sikurse edhe shifrat e konstatuara për analizat laboratorike si dhe për ekzaminimet imazherike, ndaj ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit e institucioneve shëndetësore që të kryejnë një analizë të efektshmërisë, ndërsa për mjekët të zbatojnë protokollet e mjekimit.

Por për të shmangur të gjitha këto problematika dhe që sistemi shëndetësor të jetë i të gjithë shqiptarëve kreu i shëndetësisë së bashku me drejtorin e Fondit të Sigurimeve kanë treguar projektet që parashikohen brenda këtij viti, që janë receta elektronike dhe karta e pacientit. “Ju prezantoj iniciativën tonë për të kaluar nga përdorimi i librezës së shëndetit te karta e shëndetit. Ky projekt do të përmirësojë dukshëm cilësinë e punës së mjekëve dhe farmacistëve, si dhe kontrollin e tyre.

Ne do të kthejmë kështu kohën dhe rolin e mjekut në familjes në funksion të shërbimit ndaj pacientëve, pasi ata nuk do të jenë më të detyruar të plotësojnë fletë-libreze pa fund, por me një mjet të thjeshtë, kartën e shëndetit, pacientët do të marrin shërbimin e duhur shëndetësor", tha Beci. Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se edhe receta që lëshon mjeku, tashmë do të jetë recetë elektronike, e cila nuk i jepet pacientit në dorë, por kalon direkt në sistem dhe se në të do të përshkruhet vetëm emri xhenerik i ilaçit dhe jo emri i patentës.

“Janë dy elementë shumë të rëndësishëm, që do të na vlejnë për këdo dhe duhet të jemi të vetëdijshëm, nuk duhet ta nisim me idenë se kështu do të menaxhojmë më shumë para. Në radhë të parë, edhe pse fondi është institucion financiar, misionin e ka kujdes shëndetësor", tha Beqja. Sipas tij, tashmë është duke u punuar edhe për listën e barnave të rimursueshme, ndërsa së shpejti do të nisë depistimi i popullatës ku parashikohet të përfshihen rreth 900 mijë vetë.

Të dhëna mbi vitin 2013
-40 për qind  është mesatarja vjetore e shfrytëzimit të shtratit në spitalet e vendit
-Nivel i ulët i vizitave ambulatore nga poliklinikat e specialiteteve
-Dominojnë shtrimet urgjente kundrejt atyre të planifikuara.
-Pensionistët marrin edhe pjesën më të madhe të rimbursimit me 45 %
-Të sëmurët me sëmundje tumorale vitin e kaluar kanë zënë 9 % të rimbursimit.
-Hipertensioni zë 23 % të rimbursimit total të sëmundjeve kronike, në të njëjtin nive me vitin e kaluar.
-Diabeti  19 %  të rimbursimit ndërsa rezulton se është rritur 3 për qind më shumë se vitin e kaluar.
-Glaukoma (sëmundje e syve) kap 5 % të rimbursimit të sëmundjeve kronike, dhe 1 % më shumë se 2012
-Epilepsia zë 4 % rimbursimit të sëmundjeve kronike ose 0.1 % më shumë se viti i kaluar.
 
Projekte për 2014
Kalimi nga libreza e shëndetit në kartën e shëndetit, duke sjellë lehtësi për mjekët, pacientët dhe farmacistët.
Nisja e projektit pilot në Durrës për vendosjen e recetës elektronike
Miratimin e listës së barnave me rimbursim, ku parashikohet zgjerimi i përfituesve
Hartimi i paketave të shërbimeve shëndetësore dhe kostofikimi i tyre


Shkrimi u publikua sot (12.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)