“E diela shqiptare”, e Remka Huruglicës

“E diela shqiptare”, e Remka Huruglicës
Remka Huruglica, ka 27 vite që është larguar nga Kosova e saj , vite që e kanë përplasur me kultura, mentalitete, mënyra të ndryshme jetese. Nga ajo kohë jeton në Toronto, Kanada, e bindur se është po aq shqiptare sikunder ka lindur  pavarësisht se nuk ka jetuar për një kohë të gjatë në tokën amë. Por, po aq shqiptarë,  janë dhe fëmijët e saj , madje në shumë raste vë re se ata kanë një shqisë më shumë shqiptare se prindërit e tyre. Kanë mall !  Kosova për Remkën është dhe do të mbetet brengë e përjetshme. Një dhimbje që vjen prej vedit e mbetet po aty, si batica e zbatica e detit që merr e bjen veç vedit asgja ma shumë. Midis Shqipërisë dhe Kosovës, nuk mund të bëjë ndonjë dallim. Remka thotë se , jemi një. Në Shqipëri kryesisht kalon pak kohë, pushime në përgjithësi,ndërsa në Kosovëm aty është jeta e saj . Saranda për të mbetet nje vend i pazëvendësueshëm, bile pa rezerva ajo e quan në këtë intervistë,  kryeqendra e turizmit Europian dhe e komoditetit turistik.  Prej tri vitesh drejton dhe menaxhon pragramin prej 30 minutash në gjuhën shqipe në valët e radios.  Programi “E diela shqiptare”,  është i vetmi program radiofonik në gjuhën shqipe, në valët 15.40 AM dhe 91.9 FM si dhe në internet. Në periudhën kohore prej 30 minutash, promovon  aktivitet dhe bizneset e komunitetit shqiptar me banim dhe veprim në teritorrin e Kanadasë. Gjithashtu ka bërë të mundur transmetimin e kontakteve dhe intervistave me personalitete të fushave të ndryshme të jetës mbarëshqiptare. Këtu ka patur mundësinë të intervistojë politikanë, shkrimtarë, artiste,  zëri i të cilëve mendon se ka plotësuar një pjesë të jetës që ju  mungon. Ndihet krenare që i është dhënë mundësia që përmes zërit të saj  të dëgjohet,  zëri i mijëra shqiptarëve.  Ëndrra ka  shumë, ka dëshira dhe inspirime, Ndaj edhe thote se , kurrë nuk është vonë për të shpresuar e sidomos kur qëllimi është i bukur, i qartë dhe i mrekullueshëm. 

rukie
 
 
F.N : Ju keni vite që jeton larg Kosovës, vendit tuaj të lindjes… sa shqiptare ka mbetur Remka pas kaq vitesh që është larguar nga vendlindja e saj ?
 
R.H: Janë plot 27 vite që jam larguar nga Kosova ime, vite që më kanë përplasur me kultura, mentalitete, mënyra të ndryshme jetese,  me halle mbijetese si mua ashtu edhe familjen time. Jam e bindur se unë jam po aq shqiptare sa kam lindur,  pavarësisht mosjetesës në nje kohë të gjatë në tokën amë. Po aq shqiptarë janë edhe fëmijët e mi, madje në shumë raste vë re se ata kanë një shqisë  më shumë shqiptare nga ne prindërit e tyre. Kemi mall!
 
F.N: Si do ta përcaktoni ju Kosovën ?
 
 H: Kosova…!!! Kosova për mua është dhe do të mbetet brengë e përjetshme. Një dhimbje që vjen prej vedit e mbetet po aty, si batica e zbatica e detit që merr e bjen veç vedit asgja ma shumë. Sot, zyrtarisht Kosova gëzon lirinë e shumë-kërkuar dhe firmosur me gjak ende të patharë, me eshtra të pavarre dhe me varre të pa emra.  Por, a thua dimë se çfarë është liria tashmë?!  Sa herë kthehem në vendin tim shoh nji amulli të jashtëzakonshme. Flas e bisedoj me miq, me të afërm dhe me të panjohur, e ndjej se asgja nuk është në vendin e vet. Sistemi ka ndryshuar, po njerëzit më duket se jo. Ende nuk e dinë se të jesh i lirë nuk do të thotë të kesh të garantuar “drejtësinë”,  kur atë nuk e ke në familje e mes miqve.

rukie
 
F.N: Po shqiptarinë sot ?
 
R.H: Jetojnë mes komplekseve dhe dëshirës për t’u “modernizuar” pa ndryshuar mentalisht; janë të paqartë në atë çfarë kërkojnë. Shoh qarqe intelektualësh që qëndrojnë në heshtje, sepse askush nuk i dëgjon më e as i vlerëson për atë që kanë. Natyrisht që kjo është një periudhë kohore tranzitore por këto janë elementë që i japin drejtimin e gabuar një shoqërie që kërkon civilizim. Ende nuk kam parë, për shembull, protesta masive mbi edukimin akademik, shkollat, programet mësimore e edukative, protesta mbi trajtimin sa më mirë të mësuesve dhe edukatorëve e kur flas për protesta, kam parasysh ato protesta që njoh te populli im , që zgjojnë një botë të tërë e jo më një shtet të sapoformuar. E nga sjellja e një populli detyrimisht përcaktohet edhe politika që do të ndiqet me të e për të. Kam frikë, sepse nga kjo amulli, përjetësisht do të përfitojnë e të pasurohen ata që nuk duhet, të paaftët. Thonë se nëse qingji nuk qan, nana nuk i jep me pi. Ja, ndoshta nuk po dimë me qa, e as ne që kemi ik, nuk po ju dukemi si lot. Ne jemi ende me problemet tona. Historia ka ndikuar mjaft në personalitetin tonë; megjithatë një gjë më lumturon, jemi popull që kërkojmë, përpiqemi për më të mirën. Ende ruajmë traditën e madhe të familjes që na përcjell dhe kërkojmë më të mirën për fëmijët, duke nisur që nga shkollimi. Kjo për mua do të thotë shumë. Ne jemi dhe mbetemi popull eksplorator i më të mirës për të ardhmen.  Ne shqiptarët jemi përfaqësues të rracës më të bukur me gjak mbretëror, gjithnjë në kërkim të vetes dhe përsosmërisë civile dhe kombëtare.

rukie
 
F.N: Cili është kujtimi më i afërt që ju vjen tani në mëndje nga rinia juaj ?
 
R.H: Oh, kujtime. Kujtime kam mjaft, të afërta të largëta, të sotme. Nuk mund të ndaj asnje prej tyre . Qshtw një jetë e tërë.
 
F.N: Ju vini çdo vit , në Shqipëri dhe Kosovë… dhe si të thuash në nëj farë mënyre e ndani jetën tuaj mes Kanadasë… Shqipërisë dhe Kosovës…
 
R. H: Shqipëria, ka qënë , është dhe do të mbetet ëndrra e madhe e çdo shqiptari. Midis Shqipërisë dhe Kosovës, personalisht nuk mund të bëj ndonjë dallim, jemi një. Ndryshime të vogla. Në Shqipëri kryesisht kaloj pak kohë, pushime në përgjithësi, megjithatë shoh ndryshime pozitive sa herë që vij. Ndërsa për pjesën tjetër, Kosovën , aty është jeta ime dhe si edhe thashë më lart kam pështjellime ndjesish, mendimesh. Së pari ndjehem mirë se shkoj në vendin tim, aty ku ndjehem vetvetja më shumë se askund tjetër. Kënaqem kur shoh se ka zhvillime dhe ndryshime pozitive. Mërzitem, kur nuk gjej njerëz që i njoh atje e kur dëgjoj se duan të largohen të tjerë. Mërzitem kur shoh gjasa që nuk më pëlqejnë dhe nuk duhet të ndodhin. Megjthatë jam shumë optimiste, gjithnjë sa herë shkoj e vijë më pëlqen të shoh dhe të pohoj se është për mirë.

rukie
 
F.N: Cilat janë ndjesitë tuaja në këto ndalesa tuajat ? Si e patë turizmin shqiptar këtë verë ?
 
R.H: Si gjithnjë, një mrekulli. Kam kënaqësi të veçantë kur flas për këtë aspekt. Shqipëria është një mrekulli turistike dhe me pak punë do të mund të bëhet akoma edhe më bukur. Ka burime natyrore krejtësisht të virgjëra që mendoj se duhen ruajtur. Një mrekulli e përhershme, njerëz të mrekullueshëm e punëtorë, natyrë, qetësi e shërbim…gjithçka që kërkohet. A ka vend për më mirë?!  Po, si kudo, ka gjithnjë vend për më shumë e për më mirë…
 
F.N: Po Sarandën…  ?
 
R. H: Saranda për mua mbetet destinacion i pazëvendësueshëm dhe me sa shoh nuk jam e vetmja. Ka shumë ndër ne që janë vendosur me banim atje. Kjo do te thotë se Saranda, sipas meje, është kryeqendra e turizmit Europian dhe e komoditetit turistik
 
F.N: Ju jetoni prej shume vitesh në Toronto, Kanada … duke u rikthyer pas në vite , cila ishte përballja juaj me jetën amerikane ?
 
R. H: -Së pari, Kanadaja nuk është USA. Ka ndryshime thelbësore. Kam vënë re ndryshim të madh midis jetës si emigrant në Europë dhe këtu, në Kanada. Kanadaja si shtet multikultural ka prioritet e veta për ne në krahasim me Europën dhe pa diskutim në krahasim me Kosovën dhe Shqipërinë në tërësi. Ka qënë vështirë edhe pse të mësuar me jetën e emigrantit. –          Kanadaja është vend i mundësive të mëdha, gjithnjë nëse di se çfarë kërkon.

rukie
 
F.N:  Prej disa kohësh ju drejtoni valët e radios për komunitetin shqiptar , cila është përmbajtja e emisioneve që ju përgatisni  ?
 
R,H: Prej tri vitesh unë drejtoj dhe manaxhoj pragramin prej 30 minutash në gjuhën shqipe në valët e radios. Programi “e diela shqiptare” është i vetmi program radiofonik në gjuhën shqipe, në valët 15.40 AM dhe 91.9 FM si dhe në internet.  Në periudhën kohore prej 30 minutash, promovoj aktivitet dhe bizneset e komunitetit shqiptar me banim dhe veprim në teritorrin e Kanadasë. Gjithashtu kam bërë të mundur transmetimin e kontakteve dhe intervistave me personalitete të fushave të ndryshme të jetës mbarëshqiptare. Këtu kam patur mundësinë të intervistoj politikanë, shkrimtarë, artistë etj zëri i të cilëve mendoj se ka plotësuar një pjesë të jetës që na mungon.

rukie
 
F.N:  Sa i ndjeshëm është komuniteti shqiptar ndaj programit tuaj ?
 
R. H: Personalisht ndihem krenare që më është dhënë mundësia që nëpërmjet zërit tim, të dëgjohet edhe zëri i mijëra shqiptarëve. Ndihem gjithashtu në një farë mënyre e plotësuar, pasi mjedisi ku punoj më ofron mundësinë e të ndjerit qytetare e një botë të civilizuar që punon dhe jep pa shpërblim ëndrën e saj. Sa për dëgjuesit, nuk mund të flas me bindje. Unë ndjej detyrë të jap pa kushte. Mundohem të bëj më të mirën. Me sa di, prgrami dëgjohet. Sa?!…, vështirë të thuhet dhe nuk dua të zbukuroj ose të gënjej.

rukie
 
F.N:  Ju jeni qënë nismëtare dhe të mbledhjes së fondeve për njerëz në nevojë në Shqipëri dhe në Kosovë … çfarë mund të tregoni për këtë eksperiencë ?
 
R.H: Ka qënë dhe mbetet një nga qëllimet e familjes time që prej fillimit të eksperiencës së emigracionit. Të ndihmosh njerëzit në nevojë, bashkëatdhetarët e tu ka qënë tradite e përjetshme e shqiptarëve, ne jemi dhe duhet të mbetemi trashëgimtarë të denjë të kësaj mardhënieje. Personalisht mund të them se jam ndjerë mirë, pavarësisht se nuk ishte e lehtë, sidomos përvoja e parë e këtij shkurti. Për këtë do të doja të falenderoja tej mase familjen time që ka qenë përkrahja dhe ndihma më aktive dhe e fuqishme në çdo kohë, miqtë e afërt dhe të gjithë ata që u ofruan sapo u njohën me qëllimin e kësaj nisme.

rukie
 
F.N:  Si gazetare, me përvojë cili do te ishte përcaktimi juaj për komunitetin shqiptar në Kanada dhe respektivisht në Toronto ku jetoni ?
 
R.H : E ç’mund të them… Si kurdo e ngado. Mundohemi të integrohemi. Mundohemi të jemi kanadezë pa harruar se jemi shqiptarë, natyrisht edhe me veset tona po edhe me ato vlera që mundohemi një pjesë e mirë nga ne të kemi.
 
F.N:  Ju kanë përcaktuar edhe si ambasadore të vendit tuaj në Kanada … si ndihet Remka përballe këtij përcaktimi ?
 
R,H : Për mua është vlerësim i madh, por në fund të fundit edhe pa këtë lloj emërimi jam munduar që së bashku me familjen time, kudo ku kemi jetuar, të jemi përfaqësues të denjë e të drejtë të Kosovës sonë.

rukie
 
 F.N:  Albanian Excellence nën kujdesin e Presidentit të Republikës, z. Bujar Nishani, është në përgatitje të një memorandumi për imazhin e gruas mbarëshqiptare të shekullit të XXI … , si një emër më vlerë në diasporën shqiptare si mund ta përcaktoni ju këtë nismë dhe a mendoni se do të gjëjë mbështetjen në zonjat shqiptare në Kanada ku ju jetoni ?
 
R,H: Mendoj se është një nismë me shumë vlera. Të vlerësosh rolin e gruas në një shoqëri si e jona do të thotë se jemi në udhë të mbarë. Sa për përkrahjen e saj nga zonjat me banim në Kanada, mendoj se do të gjejë përkrahje të menjëhershme pasi komuniteti shqiptaro kanadez përgjithësisht duket si i lënë pas dore nga qarqet politike dhe qeveritare të shqipërisë dhe pothuaj i pavlerësuar pavarësisht se ka arritje të mëdha intelektuale.

rukie
 
F.N:  Ëndrra juaj që ka mbetur ende pa u realizuar ?
 
R.H:  Ëndrra…Kam shumë, kam dëshira dhe inspirime, kurrë nuk është vonë për të shpresuar e sidomos kur qëllimi është i bukur, i qartë dhe i mrekullueshëm./ATSH/

rukie


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )
 

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit