“Ëndërr”, një eksplorim në
përmasat më intime të martesës

“Ëndërr”, një eksplorim në<br />përmasat më intime të martesës
Romani “Ëndërr” i Arthur Schnitzler, botimi më i ri i shtëpisë botuese “Pegi” përkthyer në shqip nga Afrim Koçi, është një eksplorim surreal i përmasave më intime të martesës.
Ëndrra dhe realiteti pështjellohen në këtë novelë enigmatike, e përqendruar në misteret e erosit dhe të kërkimit të kënaqësisë së kulluar.

Pasi e shoqja i rrëfen fantazitë e saj seksuale me një tjetër burrë, doktor Fridolini, personazhi kryesor, endet nëpër rrugët e Vienës e bëhet pre ngjarjesh gati të pabesueshme që ndodhin jashtë vullnetit të tij, thuajse si në zhgjëndërr.

Historia kulminon në një ballo me maska, një situatë e mistershme ku përzihen individualizmi i fshehur, seksi dhe rreziku. Schnitzler-i, i përcaktuar edhe si “Frojdi i letërsisë” rrëmon në psikologjinë e personazheve të veta duke u prirë atyre udhën drejt një hapësire ku mendimet më të fshehta, dëshirat dhe ankthet gjejnë shtegun për t’u shpalosur tërësisht e paturpshmërisht.

Duket se autori pyet veten se si dy njerëz të zgjuar, tërheqës dhe të ndjeshëm mund të ndajnë një shtrat, një fëmijë dhe një jetë për vite me rradhë kur dëshirat e zjarrta erotike, të  drejtuara tjetërkund, janë të pashmangshme. Ndoshta përgjigja qëndron te gënjeshtra, në një balancë sekretesh midis dy të huajsh; e megjithatë vullneti i tyre për të hetuar fantazitë e kaluara dhe të tashme të njëri-tjetrit e bën martesën e tyre të pazakontë. Nëse ky origjinalitet e afron apo jo shkatërrimin e çiftit, kjo mbetet për t'u zbuluar.

“Ëndërr” ka frymëzuar regjisorin e njohur Stanley Kubrick për të realizuar filmin e bujshëm “Eyes ëide shut” me aktorët Nicole Kidman dhe Tom Cruise.
 “The Guardian” shkruan se romani “Ëndërr” i Arthur Schnitzler-it është teoria e Freud-it e shndërruar në mish e kocka, ajo tregon se kur seksi, ëndrrat dhe turpi mblidhen së bashku mund të zbulohen shumë e shumë gjëra për kafshën njeri.

Ndërsa “Publishers Ëeekly”  shkruan se personazhet e Schnitzler-it kthehen gjithmonë nga këto ëndrra me sy të hapur e me sy të mbyllur, por përditshmëria në të cilën strehohen shpërfaqet si një lustër që mbulon problemet e pazgjidhura dhe shqetësuese që ngjyrosin këtë portret të shpirtit binjak.

Arthur Schnitzler (1862 -1931) ka qenë shkrimtar, dramaturg dhe mjek austriak me origjinë hebreje. Karrierën e nisi si mjek për ta lënë më pas atë profesion e për t’iu kushtuar tërësisht shkrimtarisë.

Është ndër të parët që përdori “monologun e brendshëm” për të përshkruar fillin e mendimeve të  personazheve të tij. Në gjithë veprën e Schnitzler-it dallohet gjurma e pashlyeshme e atit të psikanalizës Sigmung Freud-it, me të cilin e lidhte edhe një miqësi e ngushtë. I ndikuar prej tij, Schnitzler-i ka aftësinë të thellohet në hetime të holla psikologjike, mbështetur në hirin e ironisë dhe skepticizmit, gjithnjë pa i lënë asnjë shteg sentimentalizmit.

Veprat e tij shpesh janë kontroversiale, sidomos për përshkrimin pa doreza të seksualitetit dhe ndikimit të tij mbi përditshmërinë tonë. Ka shkruar poezi, drama, novella dhe në secilën gjini ka qenë një individualitet krejtësisht i dalluar. Fräulein Else, Komödie der Verführung, Theresa, Flucht in die Finsternis janë disa nga titujt e tij më të njohur nga publiku mbarëbotëror.

Kryevepra e tij, romani i shkurtër “Ëndërr”, përfaqëson edhe një nga shembujt më të arrirë të një historie-alegori. Botuesi i tij pretendon se “Ëndërr” është një përfaqësim i vërtetë i jetës personale dhe kohës së Schnitzler-it. I martuar dhe me dy fëmijë, ai njihej për përndjekjen e pangopur ndaj grave të reja. Pas vdekjes, dyshimit për moralitet të dobët, iu shtua dënimi i veprës së tij nga regjimi nazist.

Ky botim realizohet falë ndihmës financiare të Komisionit Europian. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 5 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë, s’u lejuan të votonin me karta të skaduara, reagon Omonia