TIRANË - Një operacion i përbashkët mes policisë Shqiptare dhe asaj Italiane kanë vënë në pranga 14 persona, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin drogë me avion nga vendi ynë në drejtim të Italisë. Sipas policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Fluturimi i lirë”, 8 persona u arrestuan në shtetin italian dhe 6 të tjerë në Shqipëri. Mes personave të arrestuar është kreu i bandës i identifikuar si Sokol Burhamaj, piloti i avionit të ulur në Brindisi me 120 kg marijuanë, Vilson Lamaj dhe shefi i personelit të Policisë Vlorë, Vladimir Zanaj. Mediat italiane raportojnë se avioni sportiv “Aereoprakt A22”, me ngjyrë të verdhë ishte nisur nga fshati Xhelilaj i Vlorës në drejtim të Italisë. Aksioni ka nisur në Itali 6 muaj më parë, kur janë ndaluar 4 persona. Burimet thanë se pas hetimit të tyre është arritur në zbulimin e rrjetit.