U dha përshtypja sikur në radhët e ushtrisë greke po formohet “UÇK e Greqisë”, e cila do kthejë armët tona kundër nesh kur të vijë ora e “Shqipërisë së Madhe”
Natyrisht, nuk është mbushur ushtria greke me shovinistë shqiptarë të cilët depërtuan në rradhët e Forcave të Armatosura greke sipas urdhërave të ndonjë qëndre në atdheun e tyre ose jashtë tij, për të vepruar sipas ndonjë plani konkret.
Me logjikë te ftohtë, kuptohet se ata që synojnë qëllime te dyshimta, nuk dalin nëpër fotografira publike, bile edhe të gjithë së bashku, duke mbajtur simbole të një shteti tjetër në repartet ushtarake veshur me uniformën e ushtarit grek.
Nga ana tjetër, asnjeri nuk mund të vendos dorën mbi Ungjill, për të përjashtuar skenarë të tillë, por në rastin konkret duket qartë se kemi të bëjmë me një demonstrim të zakonshëm të ndërgjegjes kombëtare prej disa të rinjve me prejardhje shqiptare.
Nëse më kujtohet mirë, para disa vitesh, kishim ndodhira të tilla në ushtri me të rinj homogjenë me prejardhje nga ish – Bashkimi Sovjetik, të cilët grupoheshin së bashku në repartet ushtarake dhe ziheshin me kolegët e tyre “grekë të pastër”
Është e kuptueshme se këta rekrutë do të përballohen me ligjin për shkeljen e rregullave ushtarake.
Por do të ishte e padrejtë nëse gjykohet veprimi i tyre si provokacion i paramenduar, dhe aq me keq të konsiderohet si kërcënim ndaj ushtrisë dhe rrjedhimisht edhe ndaj kombit grek, pavarësisht se veprimi i tyre përbën një budallallëk dhe është i dënueshëm.
Nuk ka asnjë arsye që ata djem t'i bëjmë pre të nacionalizmit shqiptar, sepse deshën të tregonin me atë mënyrë dashurinë për vendin e prejardhjes dhe atdheun e prindërve të tyre. Sigurisht që do hetohen më gjerë, dhe veprimi i tyre do ndiqet në rrugë disiplinore, apo ndoshta edhe ligjore, por me procedura të një vendi demokratik.
Por nuk mund, dhe nuk duhet, të paragjykohet dhe gjykohet ndërgjegja e tyre.
Në Greqi jetojnë mijëra fëmijë emigrantësh nga Shqipëria, të cilë janë pjesë e shoqërisë greke dhe që e duan Greqinë, por duan edhe vendin e prejardhjes së tyre. Kjo është e drejtë e pamohueshme e tyre. (Në luftën e Kosovës, më kujtohet një major i ushtrisë amerikane, por me prejardhje greke dhe mburrej se ishte kushëri i miss-Bota Irini Skliva, i cili në xhipsin e tij ushtarak mbante edhe simbolin e flamurit grek me të cilin krenohej).
Këta të rinj, të cilët janë qytetarë grek, janë thirrur të shërbejnë në Forcat tona të Armatosura dhe do të ishte kriminale nëse, sapo të hynë në portën e repartit, ti çojnë drejt e në “krematoriumin” e “armiqve të kombit”, dhe njëkohësisht duke i bërë peshqesh në prehërin e ekstremistëve shqiptarë.
Sigurisht është detyrë e administratës së ushtrisë që të ruaj integritetin e ushtrisë, por gjuetia e shtrigave është tejet e rrezikshme dhe duhet të shmanget.
Dhe për më tepër, në këtë rast, drejtuesit e ushtrisë duhet të përkujdesen për këta të rinj kur të dërgohen për të shërbyer në kufi. Dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar cfarë do soj “instruktori” që ti keqtrajtojë./Luan Zyka-TemA
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com