TIRANE - Kurban Bajrami, festa islame gjatë së cilës flijohet një kafshë në emër të Zotit, i ka ndarë besimtarët në dy anë. Myslimanët në Shqipëri, Turqi e Maqedoni do të festojnë Kurban Bajramin më 25 tetor (ditën e enjte), ndërsa pjesa tjetër e botës si dhe shqiptarët e Kosovës do presin Kurban një ditë më vonë, më 26 tetor (ditën e premte).

Përplasja brenda të njëjtit komunitet në një ndër ditët më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë, ndodh për herë të parë që të festohet me dy data.

Diferenca mes vendeve është krijuar për shkak të kalendarit hënor. Hoxhallarët e Turqisë thonë se e kanë parë hënën (përmes së cilës në kalendarin islam fillon muaji i ri) një ditë më parë se Arabia. Kjo ka shërbyer që Komunitetet Myslimane të ndahen në dy palë.

Agron Hoxha nga Komuniteti Mysliman në Shqipëri, tha për Ina (Iliria Neës Agency) se për festimin e Kurban Bajramit më 25 tetor është rënë dakord me Kosovën, Maqedoninë e Turqinë, marrëveshje e cila nuk është zbatuar nga ana e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ne kemi marrë parasysh kalendarin hënor, ata vendimin e marrë në Arabinë Saudite, por kjo nuk përbën shqetësim", ka theksuar Agron Hoxha, duke shtuar se e rëndësishme është që Kurban Bajrami të festohet.

Sipas ritit islam, nuk mund të bëhet kurban pa u kthyer haxhinjtë nga mali i Arafatit. Ndërsa kthimi i tyre ndodh në 26 tetor, një pjesë e myslimanëve thonë se do t’i referohen kësaj date për të festuar Kurban Bajramin, ndërsa të tjerët i referohen kalendarit Hënor sipas hoxhallarëve turq për të festuar me 25 tetor dhe jo sipas Arabisë Saudite.

Festa e Kurbanit ka të bëjë me sakrificën që bëhet në emër të profetit të myslimanëve, Ibrahim. Kjo sakrificë është prerje e një kafshe (dele, qengj ose cjap) si kurban. Pas sakrificës së kafshës, sipas Kuran-it, mishi duhet të ndahet në tri pjesë: Një pjesë për të varfrit, një pjesë për të afërmit dhe fqinjët dhe pjesa e fundit për familjen.

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)