“Homo Balcanicus”, vihet në
vend amaneti i Niko Nikollës

“Homo Balcanicus”, vihet në<br />vend amaneti i Niko Nikollës
TIRANE - Libri “Homo Balcanicus”, i njërës prej penave më të shquara të humorit, Niko Nikolla, botuar nga “Toena”, u promovua mbrëmë në Tiranë. Dy vajzat e tij, Flora dhe Zana, e botuan këtë libër si plotësim të një amaneti që kishte lënë pas babai i tyre. Niko Nikolla ishte kujdesur për çdo detaj të këtij libri që nga kopertina, shkrimi i përdorur në të ashtu edhe për përmbajtjen e tij, shprehet e bija, gazetarja e njohur Flora Nikolla. Libri përmban rrëfenja dhe tregime nga Gadishulli i Ballkanit, të cilin autori me fisnikërinë që e karakterizonte donte ta kthente “nga një fuçi baruti, në një fuçi humori”, është vlerësimi i parë që i është këtij libri. Niko Nikolla është njohur si njeriu që drejtoi për 25 vjet revistën “Hosteni”, revista e parë opozitare në Shqipëri.

Nikolla publikoi libra në fushën e publicistikës,humorit dhe prozës. Shkrimtari i madh Dritëro Agolli e ka vlerësuar librin e Nikollës duke u shprehur se “Homo Balcanicus”, është gërsheti i fantazisë dhe i realitetit. Në kujtimet e miqve të tij Niko Nikolla është portretizuar si njeri i thjeshtë, që rrinte jashtë ekspozimit e tribunave e me pak fjalë por fjalët e tij kishin peshë. Libri “Homo Balcanicus”, vjen në treg në një kohë që gjinia e humorit po humbet dhe më pak shkrimtarë munden të shkruajnë në këtë gjini. Këtë shqetësim shkrimtari Nikolla e ka ndjerë që kur ishte gjallë. Në vitin 1991, ai mori nismën për të botuar revistën Ballkan ku shkruan penat më të njohura të humorit nga gjithë gadishulli i Ballkanit. 

Ndërsa studiuesi Qemal Sakajeva e vlerëson në këtë mënyrë librin e Niko Nikollës: “Libri i Niko Nikollës është i gjerë, i larmishëm dhe plot variacion. Atje do të gjedh jetë endacakësh dhe heronjsh, jetë udhëtarësh dhe aventurierësh, jetë trimash legjendarë dhe personazhesh legjendë. Në to zien historia dhe afirmohet qëndresa dhe identiteti ynë. Faqe pas faqesh me një stil dinamik pa ujë frazistë e kozmetikë fraze, shprehet dashuria dhe dhimbja për njerëzit dhe vendin”. Me tej, Sakajeva rrëfen edhe sesi në këtë kategori tregimesh të librit “Homo Balcanicus” humori përzihet me tragjiken. Përçimi i mesazheve të paqes përmes humorit është një karakteristikë e Niko Nikolës që është vlerësuar nga të gjithë shkrimtartë dhe intelektualët e njohur të vendit.

Në vitin 2007 në nderim të tij shoqata e Botuesve Shqiptarë ka shpallur dhënien e çmimit, Niko Nikolla, për veprën më të mirë në gjininë e humorit dhe të satirës pas propozimit të një grupi personalitetesh të kulturës si, Dritëro Agolli, Xhevahir Spahiu, Gaqo Bushaka ,Vangjush Gambeta, Filip Çakulli, Fisnik Sina, Luan Laze, etj. Ky çmim shpallet çdo muaj maj, kur ka edhe ditën e lindjes humoristi i shquar shqiptar Niko Nikolla. Kontributi që njeriu i njohur i humorit dhe i letrave Niko Nikolla, ka dhënë për vite me radhë në Shqipëri dhe më gjerë është shpallur i pashlyeshëm. Gjatë 40 vjetëve krijimtari dëshmon prirjet përparimtare dhe përpjekjet për një shoqëri në zhvillim, përmes kontradiktave dhe angështisë së regjimit totalitar gjatë dhe pas përmbysjes së tij në tranzicionin e vështirë demokratik. 

Niko Nikolla botoi një seri të madhe librash, në fushën e humorit dhe të prozës. Përmendim këtu : “Shënime të një gazetari”, “Pushtimi i Amerikës”, “Një angleze në rrugën e Dibrës”, “Furtuna e janarit”, “Lamtumirë Vlorë”, “Njeriu pa emër”, “Zhyl Verni në katror”, “Mjaltë dhe Gjak”, “Kronika nga Fronti i Dytë”, “Vdekja e varrmihësit”, “Një lumë midis dy shenjtorëve”, “Dallëndyshet e dimrit”, “Koloneli me një sy”. Mes vlerësimeve që ka marrë për veprimtarinë e gjerë publicistike dhe letrare është dhe Urdhëri Naim Frashëri i klasit të parë (1978). Më 2003, për “kontributin në fushën letraro-artistike, kontributin si gazetar, si veprimtar për qytetin e tij të lindjes”, Këshilli bashkiak i Pogradecit unanimisht, i dha Niko Nikollës titullin “Qytetar Nderi”. 


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 9 Shtator 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri

Media amerikane “CN Traveler”: Plazhet më të mira në Shqipëri