“Kundër-revolucioni” rumun
dhe sikleti i PD me 18 Shkurtin

Në fillim të viteve tetëdhjetë, kur në Poloni shpërthyen protestat e “Solidarnosit” kundër regjimit komunist në fuqi, Tirana zyrtare u vu në siklet të madh për t’i interpretuar ato. Problemi ishte se komunistët shqiptarë i konsideronin komunistët polakë si revizionistë, pra si komunistë që u kishin ikur mësimeve të Stalinit dhe ishin në armiqësi me ta. Parashikimet e Tiranës zyrtare ishin se, klasa punëtore e atyre vendeve do ngrihej një ditë e t’i përmbyste “revizionistët”, për të vendosur komunizmin e vërtetë.
 
Tani që klasa punëtore polake ishte ngritur në këmbë, kishte formuar “Solidarnosin” me Les Valesën, dukej se donin t’i përmbysnin vërtetë, por jo për të vendosur “komunizmin e vërtetë”, por kapitalizmin.
 
Këtu dilemat e propagandës së Tiranës zyrtare u bënë shumë të mëdha dhe vetëm një mendje e hollë zagorite pranë tyre, arriti të bëjë një ese politike me titullin “Kundër-revolucioni në revolucion”, ku përpiqej të argumentonte se revizionizmit po i vjen fundi nga një revolucion, që në fakt ishte po ashtu kundër-revolucionar.
 
Më kujtohet ky libër, se jam torturuar për një kohë të gjatë si nxënës, që ta kuptoja atëhere se ç’po ndodhte, dhe m’u deshën vite ta kuptoja qartë.
 
Po kaq e vështirë është sot t’i shpjegosh një demokrati se çfarë janë protestat në Rumani dhe pse ato janë “kundër-revolucionare” për PD.
 
Protestat në Rumani drejtohen kundër atyre politikanëve që duan të zbusin “Vetting”-un në Shqipëri, ose ta bllokojnë me Gjykatë Kushtetuese, siç bëri PD, ose kundër atyre politikanëve që janë kundër reformës në drejtësi dhe zbatimit të saj.
 
“Kundër revolucionarët” rumunë, as më shumë, as më pak, po kërkojnë kokën e “Lulzim Bashës” rumun, “Sali Berishës” rumun, “Adriatik Llallës” rumun, e kështu me radhë. Ata po kërkojnë të shkojnë në shtëpi ata politikanë që duan masa më të buta ndëshkimi ndaj politikanëve dhe trupës së drejtësisë.
 
Tani PD është mes dy zjarresh. Është mes nevojës së një modeli suksesi për protestat, që është modeli rumun, dhe nevojës që protestuesit e Tiranës të mos përdorin ato parrulla që përdorin protestuesit rumunë. Protestuesit rumunë kërkojnë ndëshkim të politikanëve dhe gjykatësve të korruptuar, forcim të reformës në drejtësi dhe e bëjnë këtë, edhe pse ka vetëm disa muaj që sapo është konfirmuar shumica e re politike.
 
Opozita e Tiranës e do filmin rumun, si një filmë pa zë, vetëm me pamje dhe me parrulla “flu”, ku të mos lexohen mbishkrimet. Ata e kanë të vështirë t’ua shpjegojnë mbështetësve të tyre, se ata në Rumani po protestojnë ekzaktësisht kundër asaj që po bën PD në Shqipëri. Në një farë mënyre, protestat e Rumanisë janë reaksioni ndaj atyre që duan të zbusin reformën në drejtësi, janë “antimitingu” që duhet të bëhet në Tiranë më 18 shkurt, kundër atyre që duan të shpëtojnë politikën nga ndëshkueshmëria e ligjit, kundër atyre që janë gati të vriten në mes të Kuvendit, për të mos dëshmuar Shkëlzen Berisha, kundër atyre që janë gati t’i vënë flakën Shqipërisë, sa herë dikush përmend burgun për Sali Berishën.
 
Filmi rumun i protestave është një kundër-revolucion që opozita kërkon ta kthejë në revolucion në Shqipëri, por që e ka të vështirë ta shpjegojë. Dhe njësoj si Tirana e viteve tetëdhjetë, dhe këta “agjitpropët” e PD në Facebook, kanë filluar të qëmtojnë vetëm disa të mira nga revolucioni rumun, p.sh numrin e madh të pjesëmarrjes, fotografinë e sheshit të mbushur dhe nevojën që “shqiptarët të kenë gjak rumun”, por jo më parrullat apo motivin e asaj proteste. Ajo nuk është më revolucionare, por reaksionare për opozitën shqiptare. Është njësoj si “Solidarnosi” i Les Valesës në vitet tetëdhjetë për Tiranën komuniste.


Redaksia Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen