“La Kukaraca”, karnavalet
e panjohura të Beratit

“La Kukaraca”, karnavalet<br />e panjohura të Beratit
Quheshin karnavalet “La Kukaraca”. Emanuel Ndrio nuk e saktëson dot prejardhjen e tyre. Ishte fëmijë kur e shijonte këtë festë në qytetin e Beratit, por ende ruan kujtimet e tyre, fotot me veshjen nga më të çuditshmet. Në këto foto syri të zë një lloj kapele me pendë alla braziliane, të cilën e veshin shumica e aktorëve të karnavaleve, vegla të ndryshme muzikore, shalle, kapuça e kapela të çdo lloji.

Gjestet e humorit dhe situatat gazmore e bënin këtë festë shumë më të veçantë dhe të gëzueshme, sidomos për fëmijët. Emanuel Ndrio kujton me nostalgji pajtonin me nusen e stolisur me portretin e djallit. Pajtoni ecte nëpër qytet dhe pas e ndiqnin të rritur e fëmijë me këngë e vargje humoristike.

Ky imazh e ka ndjekur Ndrion deri në vitet ‘60, kur bashkë me fenë shteti komunist ndaloi zakonet dhe traditat dhe bashkë me to edhe forma të tilla të argëtimit popullor. Tashmë prej disa vjetësh në Berat, Karnavalet kanë filluar të festohen së bashku me Ditën e Verës, por pakkush e di se ato quheshin “La Kukuraca”.

Ende pak  është folur për traditën e tyre. Nga etnografët është folur shpesh se karnavalet janë zhvilluar kryesisht në Korçë, në Shkodër e në Gjirokastër, por Ndrio na rrëfen se përveç këtyre lloje karnavalesh të njohura ka ekzistuar edhe tradita e karnavaleve “La Kukuraca” të Beratit. 

KARNAVALET NISNIN PAS DITËS SË VERËS. DITA E TRIKAVE


Në Shqipëri karnavalet kanë qenë një dukuri kryesisht qytetëse, pohojnë studiuesit, megjithëse disa zëra pohojnë se në thelbin e tyre ruhen disa pjesë folku që vijnë nga ritualet pagane, të cilat ruhen ende në shumë e shumë zona rurale të Shqipërisë.

Qytetari beratas, autor i librit “Gorrica ime”, Emanuel Ndrio zotëron disa foto të ruajtura me fanatizëm në familjen e tij, të cilat rrëfejnë jo vetëm si është themeluar lagjja e Gorricës, vendlindja e tij, por edhe rolin e gorricarëve në jetën e qytetit të Beratit.

Ndrio rrëfen se karnavalet e Beratit kanë pasur një ritual të veçantë dhe karakterizoheshin nga këngë valle, veshje dhe lojëra specifike. Sipas Emanuel Ndrios, karnavalet festoheshin në mesin e dy festave të tjera të ardhjes së pranverës, siç janë 14 marsi, Dita e Verës, dhe pak më vonë niste Dita e Trikave e pastaj nisnin Karnavalet.

Aktorë dhe pjesëmarrës të këtyre karnavaleve ishte i gjithë populli i Beratit, por tradita e tyre ruhej shumë më e fortë mes ortodoksëve të lagjes Gorricë. Ndrio rrëfen sesi zhvillohej festa e Karnavaleve në vitin 1939, kur Shqipëria sapo ishte pushtuar nga Italia fashiste.

Të bën përshtypje sesi qytetarët patriotë të Beratit nisën të ndryshonin tekstet e këngëve duke parodizuar pushtuesit. Në librin “Gorrica ime”, Ndrio rrëfen me shumë  thjeshtësi dhjetëra detaje interesante dhe familjare nga jeta e tij në lagjne Gorricë të Bertait, por rrëfimet e tij në këtë libër modest sjellin një shërbim të mirëfilltë në studimet etnografike shqiptare. Ndrio thotë se “Një varg festash fetare e pagane ndërthureshin me njëra tjetrën gjatë kohës që prisnin edhe festën e Pashkëve.”

Emanuel Ndrio tregon sesi përveç karnavaleve festonin dhe ditën e Tirkave:
Kjo feste bëhej njëherë në vit. Fëmijët mblidhnin rrogozat e vjetër, i bënin mullar dhe i vendosnin mbi lumë duke u vënë flakën dhe duke kënduar”:
Trika, Trika, me rrogoza
Rrogoza për trika,
Trika e shën Gjinit
erdhi edhe shkoj
dhe Shën Pjetrin afroj, etj.

Po çfarë kujton Emanuel Ndrio në librin :Gorrica ime” për festën e karnavaleve në vitin 1939, kur Italia pushtoi Shqipërinë.
 
-Më e këndshme ishte dita e Karnavaleve. Në oborrin e Kostës mblidheshim ne fëmijët djem dhe vajza të veshur për festë me maska (syreta) e dilnim rrugicë më rrugicë si dhe nëpër dyqanet e qytetit. Me vete në një kanistër kishim shirita kuq e zi, në kohën e luftës me ndihmën e nja karfice ia vendosnim qytetarëve dhe përshpërisnim: “ndihmë për luftën”.

Ndihmat që mblidhnim ua dorëzonim më të rriturve që merreshin me këtë punë. Disa nga këta ishin Naunka Xhamo, Anastasi Kosta, Athina dhe Aliqi Haxho, Violeta dhe Elca Xinxo, Vasil Qyrana, Vasil Naço. Ndihmën më të madhe na e jepnin më të rriturit si Afërdita Tutulani, Afërdita Taçi, Mellani Dhaskali, etj. Këta formonin skuadrat tona të pionierit në kohën e luftës për çlirim. Duke festuar karnavalet këndonim:

Ndonëse i vogël jam
Dhe pushkë nuk kam
Fashizmit i bëj dëm
Sa një partizan

Luftoj për liri
Me sa kam fuqi
S’tremben asnjëherë,
Jam pionier
(Ky refren përsëritej”

Kur makina të ecë
Unë prapa i shkoj
Dhe e bëj të ngecë
Se gomat ia shpoj

Me këtë këngë në gojë marshonim nëpër qytet. Parulla jonë ishte “pa dallim feje, krahine dhe ideje”.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve

Bllokimi i aksit Thumanë-Kashar/ Morën pjesë në protestë, policia fillon shoqërimin e disa prej banorëve