Në Tiranë edhe pse ka disa tregje, përsëri nuk mungojnë tregtarët që shesin produktet e tyre në trotuare apo ambiente të improvizuara. Tregtarët ambulantë të cilët gjenden nëpër rrugët e Tiranës tregojnë për vështirësitë dhe kushtet që ata tregtojnë, por ka edhe nga ata që nuk pranojnë të flasin nga frika se ndërhyjnë autoritetet për aktivitetin e tyre.

Një ndër personat që ushtron këtë aktivitet është edhe Rozena Kuqi e cila shprehet se jeton në kushte shumë të vështirë, dhe del për të tregtuar në rrugë për të siguruar të ardhura për familjen. Kuqi shprehet më tej se: "Kam 2 fëmijë jetimë dhe vijmë këtu për të nxjerrë bukën e gojës. Autoritetet vijnë këtu shpesh herë ku na kërkojnë të paguajmë për vendin ku ne punojmë".

Kuqi thekson më tej se ka një vit që ushtron këtë aktivitet dhe për familjen e saj ky është i vetmi burim i të ardhurave. “Edhe në kushtet e këqija të motit dalim se nuk kemi ku të shkojmë tjetër dhe mundohem të strehohem diku për tu mbrojtur nga të ftohtit apo nga shiu. Nuk kemi ku të shkojmë, jemi shumë keq nga gjendje ekonomike”.

Ndërsa një qytetar tjetër shitës ambulant në rrugë, Aleksandër Mema shprehet se zgjohet në mëngjes që në orën 6:00 dhe ka 2 vende që ushtron aktivitetin e tij. “Me vështirësi nxjerrim shpenzimet tona sidomos për qiratë. Në përgjithësi nuk ka edhe aq shumë punë dhe kam afërsisht 5 vjet që merrem me këtë punë”.

Ndërsa Rexhep Oka, një tjetër tregtar ambulant në Tiranë shprehet se ka 20 vjet që merret me këtë aktivitet, që i siguron vetëm një jetesë të thjeshtë. “Nga autoritetet e bashkisë kemi pasur edhe pengesa. Nganjëherë produktet i shesh nën çmimin që i marr unë vetë në mënyrë që të qarkullojë leku”- shprehet Oka.

Pothuajse në çdo rrugë të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranë shikon tregtarë ambulantë. Më shumë ky lloj aktiviteti është i përqendruar pranë shkollave dhe zonave më të populluara.


Anadolu Agency

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)