“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”,
një histori që na lartëson

“Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”,<br />një histori që na lartëson
Ia vlen që në fundjavë ta heqim mendjen nga ligësitë politike e vështirësitë e jetës që na mbysin çdo ditë, dhe të mirësohemi e njerëzohemi sado pak në oazet e bukura të letërsisë. Në të vërtetë, këto vite janë pakësuar disi këto oaze, por fatmirësisht ato që kanë mbetur, janë të bollshme për të freskuar kokën e trupin njëkohësisht, e për të na bërë më njerëzorë për kohët që vijnë. Të paktën kështu mendoj, pas mbarimit të leximit të një libri, për të cilin kam kënaqësinë të shpreh ndonjë mendim e opinion, nëse gazeta e nderuar e juaj më lejon.

Mund edhe të rastisësh ta gjesh këtë libër, roman historik, të shkruar nga një emër, që në këtë fushë e ka fituar fronin e vet. Libri që “Toena” inteligjente ka ditur të na japë quhet “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe emri i kësaj shkrimtareje të “heshtur”, por tashmë shumë të njohur është Mira Meksi. Sot, ndoshta në çdo 5 vajza apo gra, një prej tyre e ka emrin Teuta, emër i një gruaje, mbretëreshës të Ilirisë në vitet 230-228 p.e.s., kohë që udhëhoqi e rivalizoi perandorë të mëdhenj.

Do të duhej mendja dhe dora e kësaj mbretëreshe, për të ruajtur këtë shtet të lulëzuar e për ta çuar atë më përpara. U vu në krye të ekspeditës ushtarake ilire (230 p.e.s.) kundër Lidhjes Epirote jug, e në saje të luftërave që bëri në det e në tokë, shpartalloi grupimin detar grek, duke pushtuar edhe Korkyrën e famshme, ishullin me rëndësi strategjike në detin Jon. Shpejt u bë objekt interesimi, veçanërisht i Romës.

E sulmuar nga kjo perandori e frikshme, nga diplomacia e pas tavolinave (ajo që i merr shpirtin shqiptarëve edhe sot) në vitin 228 p.e.s. Iliria ra. Legjendat thonë se Teuta vdiq e vetmuar. Kaq është ajo ç’ka dihet për këtë mbretëreshë.

Kush e di se sa mijëra faqe do të ishin shkruar në të tjerë vende, për një rast analog. Një grua që në shekullin e 3-të p.e.s. ka mbretëruar në një nga kombet më të zhvilluara e të kulturuara të Evropës lindore, e aq më tepër ka sfiduar edhe Romën me luftë!

Me qindra e qindra faqe janë shkruar për heronj “anonimë”. Legjenda folklorike e viteve 1300 Robin Hudi, është kthyer në një hero jo vetëm i Anglisë, por i të gjithë atyre që janë në luftë me jetën. E kush do ta njihte Robin Hudin e viteve 1300, nëse nëpërmjet “Ivanhoe”, atë nuk do ta gdhendte penda e artë e Valter Skotit? Mira Meksi, kjo grua, kjo shkrimtare gjurmuese deri në molekulë të personazheve, e cila na ka befasuar me jetën e Frosinës të Janinës dhe që ka arritur deri në enigmën e të Kuqes të Onufrit, tani me 370 faqe, Teutën, këtë simbol të femrës e krenarisë tonë kombëtare na e ka gdhendur në qiellin e paanë të letërsisë.

Tani, krahas librave të tjerë, bibliotekat tona i hijeshon edhe Teuta e madhe e ilirëve, ajo vasha e mrekullueshme e delikate “me trupin si sirenë, flokët ngjyrë mjalti, sytë e qelibartë dhe lëkurën e praruar”, e deri te gruaja e pamposhtur, mbretëresha e denjë për popullin e vet, diplomatja e pazakontë me “përkrenare mbi gërshetat e thurura..., gjoksi i të cilës shkundullit nga dridhma të panjohura brenda parzmores prej metali”.

Nuk është luks të krenohemi me të parët tanë. Jo thjesht se kanë qenë ilirë e udhëhiqeshin nga burra të fisëm e shpatarë të vrazhdë, por edhe pse dinin t'i besonin jetën e tyre, si fare pak popuj të tjerë, një gruaje si Teuta, që me “trimat  e saj luftonin me një tërbim që i bënte shpatat të lëshonin xixa përmbi parzmakët dhe tarogzat e kundërshtarit. Mjerë kush dilte para shpatave të ilirëve”. Misioni që ka marrë përsipër kjo shkrimtare, kjo Mira Meksi është i pazakontë.

Sepse ka arritur, që nëpërmjet asaj që quhet “magji” e të shkruarit, të na sjellë ngjarje krejtësisht të gjalla, që të bëjnë të dukesh deri edhe si protagonist. Shkrimtarja, e imët në pamje por e “rëndë” në mendjen që e komandon dhe në shpirtin që e frymëzon, ka ditur në mënyrë mjeshtërore, ta ndaj bukurinë e hijeshinë e gruas, nga detyra që asaj ia kanë atribuuar “hyjnitë e Ilirisë”.

Paralelizmi që ajo i ka bërë, thënies se “për dashurinë jap jetën, kurse për atdheun dashurinë”, me atë të mbretit Agron se “gruaja mund të jetë e jotja, mbretëresha i përket vetëm Ilirisë”, tamam në kontekstin e kohës që ndodhin ngjarjet, është e mjaftueshme për ta ngritur nivelin e perceptimit të historisë nga ana e kësaj shkrimtareje, aty ku qëndron niveli i historianëve tanë seriozë, që janë përpjekur ta shkruajnë historinë e Iliri-Shqipërisë me korrektesë shkencëtari, shkrirë brenda luftës që i kanë imponuar  këtij populli të lashtë, luftëtar e krenar.

Të shkruash për mbretëreshën Teutë, dhe historinë e saj, është një mision jo vetëm tepër i vështirë, por edhe fisnik e thellësisht atdhetar. E kur arrin që me këtë krijimtari shtrihesh krejtësisht në truallin ilir, si dhe gërmon në thellësitë e tij, siç ka bërë kjo “arkeologe” afër fundit të vitit që kaloi, arrin të ndihmosh jo me dogma por me jetë reale cilindo ilir të mëpastajshëm, shqiptarët, që jo vetëm ta kuptojnë më mirë, por t’ju japë edhe një motiv me jetëgjatësi mijëravjeçare, për të qenë krejtësisht të bindur e të sigurt për lashtësinë dhe kulturën e tyre.

“Drita që përshkruante shtresat e ujit - shkruan Meksi me pendën e vet që drithërohet  së bashku me të - që nga portat e shkëmbinjve të thiktë mbi det dhe mbërrinte në guvë, së bashku me dritën e diellit që filtrohej nëpër poret e gurit të shtuftë të kubesë të saj, bënin që deti aty brenda të kishte një ngjyrë blu të thellë, ndërsa gjithçka që dallohej përfund tij shndriste si argjendi”.

Ja, më thoni se ku mund të gjendet ky vend, ku bashkohet toka me detin, përveçse aty në ato tokat “barbare”, ku toka është konsideruar e shenjtë dhe bregu i detit një mbrojtës, ku sipas Heredotit, “është i banuar nga popuj jo grekë të cilët flasin një gjuhe “barbare" e që në një kohë të lashtë quheshin Pellazgë”, që shpikën panteonin e perëndive, të cilin grekët e adoptuan më vonë. Shihni edhe sot! Shkoni në ndonjë “qoshe” të virgjër të këtij bregdeti,  e menjëherë do ta kuptoni se pse shkrimtares plot vlerë, i drithëron fjala së bashku me shpirtin.

Ujë, tokë e ajër, që duket sikur i ka ndërthurur vetë Poseidoni, për tu prehur pas tallazeve e rrebesheve që binin mbi “hyun Ilyrios, vatrën, të shkuarën, të ardhmen, kujtesën, fuqinë dhe shpirtin tonë”.

     Vetëkuptohet, që të shkruash një libër, është e pamundur nëse bashkë me virtuozitetin e pendës dhe kthjelltësinë e mendimit, nuk kondenson edhe një punë tepër të rëndë, që “minatorja” e palodhur Mira Meksi duhet të ketë kryer, duke deshifruar, lexuar e stërlexuar, hulumtuar e hetuar deri në mikron dokumentet autentike, të historisë të kësaj mbretëreshe. Ia ka arritur e na e ka sjellë mbretëreshën tonë të lashtë e zulmëmadhe mu përpara syve, gati ta prekim.

Ashtu, përmes “brohorimave të flotës që kishte luftuar krahë saj duke shungulluar detin”, ashtu si edhe në shtratin e vet intim, i cili jo vetëm nuk ka “cenuar” hirin e saj femëror, por e ka përcjellë atë siç përcillet çdo hyjni, e bukur dhe e zgjuar deri në thellësi të shpirtit të saj.

Të lexosh se si në shekullin e 3-të para Krishtit, jo të luftosh për sytë e bukur të Helenës për të cilën rrënohet gjithçka, por për të zhvilluar e forcuar truallin e dheut të vet, rrethuar nga komandantë që para beteje njohin vetëm shprehjen “jam ushtar i juaj mbretëreshë deri në vdekje”, nuk është një histori e zakonshme mbretërish, por një traktat i vërtetë për një “hyjni” paqeje, që megjithëse grua, dinte ta mbronte atë nëpërmjet një luftë, të barabartë me ushtarët e vet.

Një histori, që i këndon instinktit jetësor, i cili mund të vijë vetëm nga një popull i emancipuar, që për dheun e vet toleron shumë, çdo gjë, derisa të mos kapërcehet “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, kjo “kushtetutë shpirtërore”, qëndisur me kaq mjeshtëri e kaq hijeshi nga Mira Meksi, nga kjo shkrimtare stili i të cilës tashmë e ka kapërcyer Ilyriosin e “saj”.

Natyrisht që unë flas vetëm si një lexues, por një lexues që pretendoj për atë që kërkoj të lexoj. Ndaj ndoshta më lejohet edhe ndonjë lloj “ekzaltimi” i ligjshëm, duke ulur kokën plot respekt, ballë estetëve studiues të letërsisë që dinë aq mirë ta veçojnë bukurinë, pa kursyer vërejtje, që unë nuk jam në gjendje ti shoh.

Sepse, kam lexuar një libër që ndoshta edhe më ka “verbuar” pak, e që jo vetëm ma ka hequr frikën e shuarjes të letërsisë këtu, por më ka bindur se në atë vend ku shkruan e kanë shkruar Kadareja, Agolli, Xoxe, Marko, Shuteriqi, Qosja e shumë personalitete të tjerë, nuk ka se si konstelacionet e tyre letrare të mos shoqërohen nga yje të rinj që rrinë aty plot dinjitet e pretendim.
Mira Meksi
















































Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Mars 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot

Zgjedhjet në Himarë/ Në dy qendra votimi në fshatin Kuç nuk ka nisur ende votimi! Në një QV u bë afishimi i listave sot