TIRANË - Një grup të rinj të kryeqytetit organizojnë të vetëm një lëvizje qytetare për të mbjellë 1000 fidanë në zonën më të ndotur të Tiranës, në landfillin e Sharrës.
 
Nisma quhet "Mbill Pemën tënde". Të rinjtë mblidhen në një zonë të kryeqytetit për t’iu drejtuar më pas landfillit. Të rinjtë shprehen se këtë të shtunë do të heqin dorë nga një kafe për të blerë një fidan që kushton 100 lekë.
 
Janë rreth 400 vullnetarë të cilët ndodhen në landifillin e Sharrës për të mbjellë fidanët. Aktivistët thonë se çdo qytetar e ka mundësinë që ti shërbej kryeqytetit, mjedisit dhe një ajri më të pastër.

“Është koha ku gjithë qytetarët të japin shembullin e tyre për një mjedis më të mirë dhe landfilldi ndoshta është aksioni më i bukur që po zhvillohet këto ditë për faktin sepse gjithë këto fidanë nesër pasnesër do eliminojnë një pjesë të mirë të ndotjeve, tymrave dhe gazrave që çliron landfilldi. Jemi absolutisht të vendosur ti mbjellim fidanët sot, jemi diku te 400 aktivistë, ambientalistë dhe vullnetarë të cilët kanë dëshirën për të vepruar dëshirën për tu marrë konkretisht me një aksion dëshirën për të bërë diçka pozitive për mjedisin ku jetojmë. Gjithë qytetarëve iu bëj thirrje që ta ndjekin nismën "Mbill pemën tënde" të ndjekin nismat të cilat i shërbejnë komunitetit dhe mjedisit.”- u shpreh një prej aktivistëve.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)