Jemi mësuar ta identifikojmë turizmin në jug për verën dhe në veri për dimrin.

Por aktorë të ndryshëm, përfshi dhe qeverinë dhe donatorët e huaj punojnë për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitin në Shqipëri. Në këto kushte, një bashkëpunim i ngushtë po zhvillohet për shkëmbim eksperiencash mes Himarës të njohur për plazhet dhe turizmin blu, dhe Valbonën të shquar për turizmin malor.

Në kuadër të nismës “Në zbulim të mistereve të Jugut”, Instituti i Librit dhe i Promocionit organizoi dhe realizoi një vizitë në Valbonë me një grup përfaqësuesish të Bashkisë Himarë, të interesuar për zhvillimin e bizneseve në shërbim të turizmit në zonën e tyre. Qëllimi i vizitës ishte të mundësonte zbulimin nga afër, nëpërmjet vizitave në biznese të ndryshme të vogla dhe më të mëdha që ofrojnë shërbime të ndryshme për turistët në Valbonë.

Për këtë qëllim u zhvilluan takime ku u diskutua midis përfaqësuesve të të dyja palëve, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Tropojës, Besnik Dushaj dhe drejtori i drejtorisë së kulturës së kësaj bashkie Can Tahiri, përveçse përfaqësuesve të bizneseve të Valbonës.
Në vazhdim, Instituti i Librit dhe i Promocionit organizoi në qendër të Himarës, një takim të gjerë kushtuar zhvillimit të turizmit gjithëvjetor në këtë zonë, ku merrnin pjesë veç shumë banorëve vendas, edhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare së Turizmit Ardit Çollaku, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, pjesë e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese si Eduart Shalësi (kryetar i këtij komisioni parlamentar) Namik Kopliku, Robert Bitri, Fatmir Toçi, zëvendësministri i Kulturës Zef Çuni, kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro, konsulli i Bosnjës në Shqipëri Fiqiri Kllari, historiani Irakli Koçollari, Xhemal Mato (specialist në mbrojtje të mjedisit), Can Tahiri (nga Tropoja) e shumë të tjerë.

U organizuan gjithashtu një ekspozitë pikture, me tablo të piktorëve më të mirë të peizazhit, të realizuara në zona të ndryshme të qendrave të banuara të Bashkisë Himarë, u prezantuan 30 botime të reja kushtuar 15 qendrave të banuara të Bashkisë Himarë (10 fshatrave të Bregut dhe 5 fshatrave të Lumit të Vlorës) të gjitha destinacione të mundshme turistike (në anglisht dhe në shqip, botime të mbështetura nga GIZ)) u organizua një ekspozitë i produkteve vendase që prodhohen në mënyrë artizanale, qëndisma, velenxa, triko, jastëkë, mbulesa, çorape, banda muri, veshje karakteristike etj., vaj ulliri, reçelra të ambalazhuara, limonë, mandarina, portokall, çaj mali, rigon... si dhe u ekspozuan gatesa tradicionale të zonës që madje u shijuan dhe u pëlqyen shumë nga të ftuarit.

Në mbyllje të këtij aktiviteti u realizua një koncert me numra të ndryshme, valle popullore të Tropojës (nga grupi i Tropojës i ftuar në këtë aktivitet), grupi polifonik i Himarës dhe ai i Pilurit.
Më pas të gjithë të ftuarit u ngjitën në Pilur, për të bërë një vizitë në shtëpinë e Kristo Çipës, të certifikuar nga “GIZ” si shtëpi pritëse turistësh. Aty të ftuarit patën mundësi të shijonin rakinë dhe gatime të vogla tradicionale të zonës. Në qendër të fshatit Pilur performoi për një gjysmë ore grupi i valleve të Bashkisë Tropojë.

Një ditë më pas, të gjithë të ftuarit u zhvendosën në fshatin Kuç, ku u organizuan një sërë aktivitetesh të tjera: në shkollën e Kuçit u festua me nxënësit dhe mësuesit e shkollës si dhe shumë banorëve të pranishëm, ardhja e festave të fundvitit. Më pas në një prej mjediseve në qendër të fshatit u zhvillua një bashkëbisedim i gjatë me banorët vendas për mundësitë e zhvillimit të turizmit në zonën e tyre malore dhe u prezantua kolana e librave turistikë kushtuar 15 zonave të banuara të Bashkisë Himarë.

Në takime morën pjesë edhe banorë nga fshatrat e tjerë të zonës.
Më pas, të ftuarit patën rastin të vizitonin stendat ku ishin ekspozuar produkte të zonës, mjaltë, djathë, raki dhe punime artizanale si dhe shijuan gatesa tipike të kësaj zone përgatitur nga amvisat e fshatit Kuç: byrekë me djathë, harapash, pendispanë, revani, mish qingji të pjekur në hell, bakllava.

turizmi
turizmi
(Foto nga aktiviteti "“Në zbulim të mistereve të Jugut”)

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)