Lëvizja “Mjaft” përmes një raporti mbi performancën e qeverisë për 365 ditët e qeverisjes së saj gjatë vitit që lamë pas, thotë se ekzekutivi nga 25 premtimet që kishte bërë për të realizuar në vitin e parë, ka realizuar vetëm 6 prej tyre.
 
Ndër të tjera, 9 prej tyre janë të parealizuara, 7 të realizuara pjesërisht dhe 2 premtime janë raportuar si të pamatshme.
 
Në premtimet e pambajtura listohen disa prej premtimeve të bëra nga koalicioni i majtë, kryesisht PS-ja, për të cilat qeveria ka ndërmarrë edhe disa reforma të thella për përmbushjen e tyre.
 
Si një nga premtimet e pambajtura për të cilin qeveria është kritikuar nga opozita është ai për uljen me 6% të taksës së faturës së energjisë elektrike për konsumatorët familjarë apo dhe mosrealizimi i shëndetësisë falas, si dhe mbështetja me pension për familjarët e policëve të rënë në krye të detyrës.
 
Miratimi më datë 31 korrik 2014, i ligjit të ri për Policinë e Shtetit nr. 108/2014, nuk solli asnjë ndryshim sa u përket premtimeve për rishikim pensioni apo pension të veçantë për policët e rënë në krye të detyrës, si dhe sigurim jete për policët që punojnë ende në polici”, thuhet në raport.
 
Më tej, në lidhje me premtimin për shëndetësinë falas, citohet se “megjithëse qeveria, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, prezantoi paketën për vizita falas në disa spitale private, kjo nuk përbën ndryshim rrënjësor të sistemit apo një politikë të qëndrueshme, kjo mbetet në kuadrin e tentativës për të quajtur të ezauruar këtë proces”, teksa shtohet se nuk është arritur as premtimi për përmirësime radikale në sistemin e shëndetësisë.

Paketa për Reformën në Drejtësi, si dhe premtimi që ka bërë më shumë bujë nga koalicioni i majtë, ai i hapjes së 300 mijë vendeve të reja të punës. “Gjatë kësaj periudhe, që përkon me një vit e katër muaj qeverisje, është bërë pak për të mos thënë aspak në kuadër të reformimit thelbësor të sistemit të drejtësisë.

Gjatë kësaj periudhe janë konstatuar disa ndërhyrje anësore në sistem, pa impakt direkt në përmirësimin e performancës së gjyqësorit. Partia Socialiste premtoi se sektorët kryesorë që do të gjeneronin vende të reja pune ishin bujqësia, fasonët dhe turizmi, gjë që nuk kap shifrat e premtuara”, thuhet në argumentimin e dy premtimeve të pambajtura. 


Redaksia Online
(shqiptarja.com)