“Në gjurmët e Italisë në Shqipëri”
çelen ekspozitat e arkitekturës

“Në gjurmët e Italisë në Shqipëri”<br />çelen ekspozitat e arkitekturës
TIRANE- Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, në bashkëpunim me institucionet shqiptare e universitetet italiane e shqiptare, ka nisur dje aktivitetet e programuara për Semestrin e Presidencës italiane të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Dje pasdite, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një konferencë shtypi për shpalljen e nismës në ambientet e Kryeministrisë, ku u çel edhe një ekspozitë me punimet e disa artistëve italianë. Në fjalën e tij, Kryeministri Rama u shpreh se shqiptarët deri vonë e identifikonin Europën me Italinë. “Deri vonë, Evropa për ne ishte Italia dhe pjesët e tjera të saj për ne dukeshin shumë larg. Ndërkohë që kur mendonim Italinë apo ndiqnim televizionin italian e lidhnim gjithmonë Italinë me Europën”, tha Rama.

Ndërsa duke folur për ekspozitën e djeshme, kryeministri Rama u shpreh se, sigurisht vetëm pamja e këtyre objekteve të shfaqura këtu nuk mjafton për të njohur kontributin e madh që arkitektura italiane ka dhënë për Shqipërinë. Ndërsa ambasadori italian, Massimo Gaiani falënderoi kryeministrin Rama dhe u shpreh se “Ideja është t’u tregojmë, t’u shfaqim shqiptarëve, sidomos qytetarëve të Tiranës punën e një grupi mjaft të madh e me talent arkitektësh italianë”.
 
Foto dhe fakte, vlerësimi i kontributit italian
 
Objektivi kryesor i nismës është vlerësimi i kontributit që kanë dhënë në Shqipëri arkitektët si Armando Brasini, Florestano Di Fausto, Vittorio Ballio Morpurgo, Gherardo Bosio në vitet 1925-’43, përmes një Konference Shkencore sot më 12 dhe nesër më 13 dhjetor 2014. Konferenca do të ndiqet nga një seri ekspozitash të vendosura në ndërtesat e projektuara prej tyre, një video e realizuar nga regjisori Roland Sejko me material arkivor të Institutit Luce dhe të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe një guidë “xhepi” dygjuhëshe – shqip dhe italisht- mbi ndërtesat italiane të aksit monumental të Tiranës.

Nisma zgjerohet edhe në kampin e arkitekturës bashkëkohore dhe ofron rastin për të prezantuar projektet e realizuara për qytetet e ndryshme shqiptare nga disa studio arkitektonike italiane më në zë, që marrin pjesë në Konferencë dhe ekspozojnë veprat e tyre në një nga selitë e ekspozitave. Të premten, 12 dhjetor, në orën 19.30 do të organizohet, në Teatrin Kombëtar, ceremonia Përuruese gjatë së cilës, pas fjalës përshëndetëse të Autoritete dhe prezantimit të projektit, do të projektohet videoja Simetri Vol. 4 e regjisorit Roland Sejko me material të Institutit Luce dhe Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit në bashkëpunim me Shoqatën Syri Blu - Anna Cenerini Bova.
 
Aktivitetet e së shtunës. Ekspozita në Bulevard dhe selitë qeveritare
 
Të shtunën, 13 dhjetor, në orën 11.00, do të përurohen ekspozitat e vendosura në disa seli përgjatë Bulevardit të Tiranës, duke filluar nga selia e Kryeministrisë e vijuar me vizitën në Politeknikun e Tiranës, Rektorat, Institutin e Arkeologjisë dhe Universitetin e Arteve. Kjo nismë do të ofrojë gjithashtu rastin për të prezantuar punimet gjatë viteve të fundit në Shqipëri të disa studiove më në zë të arkitekturës italiane. Do të marrin pjesë, ndër të tjera, Mario Cucinella me projektin Empatia creativa, Atena Studio, fitues së bashku me Atelier 4 të llotarisë Orikum të Konkursit Riviera, Filippo Taidelli me shtëpinë atelier të artistit të famshëm Adrian Paci në Shkodër.
 
Ekspozitat në kryeministri dhe Ardian Paci në Shkodër
 
Ekspozitat do të vendosen në ndërtesa të ndryshme të aksit monumental: në Kryeministri do të ekspozohen 3 panele të mëdha në shkallën 1:500 të planit urbanistik për qendrën e Tiranës projektuar nga Brasini, Di Fausto dhe Bosio. Pranë selisë së Politeknikut do të vendosen ekspozitat mbi aktivitetin e kërkimit të kryer nga Universitetet e Milanos, Torinos, Firences dhe Barit, ndërsa selia e Rektoratit do të mirëpresë ekspozitën për të kaluarën dhe të tashmen e Bankës Kombëtare e Shqipërisë kuruar nga Universiteti Sapienza i Romës dhe një ekspozitë fotografike të Donata Pizzi-t. Instituti i Arkeologjisë do të mirëpresë një ekspozitë programuar për  2015-n me titull "Arkeologjia italiane në Shqipëri mes 1924 dhe 1943. "Kërkimi, dokumentimi, ruajtja". Në përmbyllje, tek Universiteti i Arteve do të ekspozohen, projektet e studiove italiane që kanë punuar kohët e fundit në Shqipëri.

Vitet 1925-1943 dhe projektet më të fundit të arkitekturës italiane
  
“Konferenca, ekspozitat, videoja dhe guida "e xhepit" do të përshkojë historinë e arkitekturës italiane në Tiranë gjatë viteve 1925-1943. Referimet e disa profesorëve pjesëmarrës në Konferencë do të analizojnë aspekte të ndryshme, nga fillimet e SVEA në 1925 deri në itinerarin kulturor transnacional ATRIUM (Architecture of Totalitarism Regimes of the XX century in Europe's Urban Memory) aprovuar nga Këshilli e Evropës në prill të 2014, nga kontributi i Bosio-s analizuar nga disa këndvështrime të ndryshme deri në trashëgiminë italiane gjatë viteve të Enver Hoxhës, nga vepra e artistëve si Giulio Rossi dhe Alfredo Biagini në dekoret të Bankës Kombëtare të Shqipërisë tek restaurimi profesional e konservativ i sapokryer i ndërtesës së projektuar nga Ballio Morpurgo.

Nga pikëpamja shkencore këto tema do të trajtohen në një Konferencë Shkencore të premten 12 dhjetor, duke filluar në orën 9.00, pranë Sallës së Madhe të  Politeknikut të Tiranës, me pjesëmarrjen e Universiteteve të Barit, Firences, Milanos, Roma Sapienza, Tiranës e Torinos. Do të vijojë, në orën 16.30, prezantimi i projekteve të kohëve të fundit për qytete të ndryshme shqiptare nga Studiot Arkitektonike Arx, Atena Studio, Mario Cucinella, Studio Scardaçione dhe Filippo Taidelli


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)  

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

U kap gjatë natës në Skrapar, kush është 27-vjeçari i arrestuar për shtëpi bari në Angli dhe i deportuar në Shqipëri në vitin 2023

U kap gjatë natës në Skrapar, kush është 27-vjeçari i arrestuar për shtëpi bari në Angli dhe i deportuar në Shqipëri në vitin 2023