“Në Elbasan ka zëra se Baba Fajën
e Baba Fejzon i ka vra Qeveria”

“Në Elbasan ka zëra se Baba Fajën<br />e Baba Fejzon i ka vra Qeveria”
Si dhe sa e kishte ndikuar popullsinë vrasja e Baba Fajës dhe baba Fejzos, të cilët sipas versionit zyrtar të kohës ishin vrarë nga kryegjyshi Dede Baba Abazi?  Ngjarja e bujshme e marsit 1947 ishte përhapur menjëherë në gjithë shqipërinë. 

Një ditë pas ngjarjes, me 19 mars 1947 gazeta Bashkimi kishte dhënë pikërisht këtë lajmin me pak rradhë mbi ngajrjen: ”Dje pasdreke n’ora 3 në kryegjushatë u krye një krim i poshtër e i shëmtuar. Patrioti Baba Faja  dhe Baba Fejzua u vranë nga Dede Baba Abazi, i cili pas krimit të poshtër vrau edhe veten”.
Versioni zyrtar ishte se Dedei kishte vrarë fillimisht Baba Fajën tek shkallët e kryegjyshatës me një plumb pistolete dhe në momentin kur kishte dalë Baba Fejzo kishte vrarë edhe atë po me një plumb e në fund kishte vrarë edhe veten.

Komentet e shumta sidomos në rrethet e besimtarëve bektashinj kishin ngritur menjëherë dyshimet mbi këtë version duke mos besuar në asnjë moment se kryegjyshi do të shkaktonte një të tillë gjakderdhje pikërisht në kryegjyshatë kundër çdo  besimi dhe norme bektashiane. Madje disa zëra thonin se drejtuesit e lartë bektashinj nuk ishin vrarë më një plumb pistolete por me breshëri automatiku. Gjithësesi ende sot nuk është botuar asnjë dokument ekspertize apo foto që do të dëshmonin më qartë mbi këtë ngjarje.

Mbi këtë ngjarje të bujshme të vitit 1947, ende e mbështjellë me mister, dje botuam një pjesë të dokumenteve që ruhen në AQSH mbi këtë ngjarje. Në dokumentet e djeshme dëshmohej fushta propagandistike që po zhvillonte regjimi në të gjithë qarqet e vendit për të përhapur versionin zyrtar të kësaj ngjarjeje. Madje në dokumentin e parë botuar në numrin e djeshëm të Shqiptarja.com, jepeshin  hapur udhëzime se si duhej bërë propaganda për këtë ngjarje në mënyrë që kundërshtarët e regjimti të mos e përdornin vrasjen e Baba Fajës dhe Baba Fejzos për të kritikuar regjimin komunist.
Në pjesnë e dytë të dokumenteve mbi këtë fushatë propagandistike të organizuar e orientuar nga kupola më e lartë e regjimti, raportohen të dhëna mbi perceptimin e kësaj ngjarje në rrethet e Elbasanit, Tiranës, Beratit, etj.
Më poshtë sjellim pjesën e dytë të dokumenteve:
 
(Vijon nga dje)
Pjesa e dytë e dokumenteve
 
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR
Elbasan                             
Elbasan, më 2-4-1947
Nr. Extra
KOMITETIT QËNDROR TË P.K.SH.
(Seksionit Organo-Instruktiv)
T i r a n ë
Gjegje telit Nr. 175/3 datë 31-3-47.
Kleri Bektashian i këtushmë në pjesën ma të madhe i desaprovon reformat sidomos atë të martesës. Vrasja e Baba Fajës dhe Baba Fejzos nga Dedei, ka prodhue pëshpëritje jo të mira.
Akti i Dedeit dënohet si kriminel por nga ana tjetër qëndrimi i tij kundra këtyne reformave quhet i drejtë; kështu del që reformat s’u pëlqejnë, por edhe qëndrimi i Dedejit konsiderohet jo me vënd. Ka disa klerikë të cilët mbajnë qëndrim indiferent dhe agitojnë të çfaqen në forma të njanës ose tjetrës anë, për të shikue sa interesohet Qeverija dhe qëndrimin e shumicës së klerikëvet.
Ndër bektashijt qi ndodhen në qytet edhe në disa katunde të Çermenikës, vrasja e Baba Fajës sidomos të cilin e njifnin, i ka prekë. Edhe nër t’a dominon në pjesën ma të madhe opinioni që kanë klerikët. Ata s’i quejnë me vënd reformat. Ashti nji përqindje e vogël e cila i aprovon.

Vrasja dhe tentativa për të bamë këto reforma nuk ka krijue rryma ti bajë qi dhe këtu të ndihen këto ndryshime pikpamjesh, të bahet luftë mendimesh nër t’a.
Asht për t’u theksue se ka ndër disa opinione se mos vrasja asht krye nga Qeverija. Por ky mendim vetëm se asht ndi dhe s’ka gjetë kredi ndër Bektashinjtë të gjithë.
Gjithashtu vrasja komentohet nga pjesa ma konservatore e të vjetrit si nji akt qi bahej nga fuqija ligjnore për të pastrue rradhët e vet klerikëve, por dhe ky opinion s’gjen kredi.
Gjer tani na kemi informata se në pjesën ma të madhe Bektashinjtë nuk i aprovojnë reformat, konsiderojnë Dedein si mbrojtës të fesë dhe e dënojnë vetëm mënyrën me të cilën si reaksionar tue krye krimin.
Ma vonë do t’ju dërgojmë edhe nji letër me informata që do të kemi.
P/Komitetin Qarkor
P.(Thoma Deliana)
(firma, vula)
 
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE
KOMITETI QARKOR
S H K O D Ë R
Nr. Prot. 29/II-Res                                       
Shkodër, 2-4-1947
 
KOMITETIT QENDROR TË P.K.SH.
T i r a n ë
 
Në lidhje me t’uejin Nr. 158 Res. Dt. 25-3/47.
Për sa i përket vrasjes së Baba Fajës dhe Fejzos populli i ynë ka diskutuar ndër ditët e para dhe asht ba kurjoz të dijë ma tepër se si ngjau vrasja e tyre në sa ma vonë nuk asht interesuar të dijë ma gjatë por asht lanë po thuaj krejtësisht në heshtje.

Në qarkun t’onë nuk kemi teqe bektashishë d.m.th. nuk ka nji organizim. Janë afro 2-30 përsona që janë të këtij tarikati por që janë të shkëputur dhe pa organizim. Kemi nji teqe nga tarikati Rifai dhe kjo asht në qendër por që dhe këto janë krejtë të shkëputur dhe pa organizim, pjesa ma e madhe e muipëve janë elementa llafazan dhe pa kredi në popull, njerës qesharakë.
Rreaksioni në kët mas ka dashtë të shfrytrëzojë rastin dhe ka lëshuar parulla por ma tepër duke atakuar Partinë. Kan paraqitur baba Fajon e Fejzon si elemente të shtier nga Partija për të ba reforma të reja si atë të hekjes së mjekrës, të veshjes me petka civile, dhe të martesës. Këto parulla nuk kanë zanë vend në popull dhe as që janë interesue të dijnë ma gjatë.
Asht ndigjue se Dedaj ka qenë vazhdimisht keq me këto dhe në kundërshtim për çeshtje Partish, dhe nga kjo janë nxanë në bisedë dhe aj i ka trathëtue dhe i ka vra tinzishtë.
Asht ndigjue në fillim se baba Fajon dhe Fejzon i ka vra Partija Komuniste, dhe këto nuk janë vra nga Dedaj.
Ndër N/Prefekturat si Koplik, Mirditë, reaksioni asht mundue t’aparaqesi krejtësisht të kundërtën, tue thanë se i ka hye pushka në mes vedit njerës të qeverisë, janë vra tre xhenerala në mes të njani tjetrit dhe qeverija tash i ka punët keq etj.

Ndër bisedat që kanë pasur shokët me njerzë të tarikatit të bektashive asht vrejtë se çështjen e reformave nuk e kan pasur me sy të keq, ka dalë se tani nuk asht koha që të ndryllemi në fanatizëm për dukje dhe nga ana tjetër të shpërdorojmë, p.sh. përsa i përket martesës, për çeshtjen e veshjes me roba civile, kët e kan komentuar duke thanë se edhe si kurë të mos bahesh kjo nuk ka gja, mbassi si udhëheqës ato të dallohen kështu dhe për mjekrën. Nga disa të tjerë asht folë se baba Feizo dhe Faja kan dashtë t’ja imponojnë me zorë Dedajt për reformat me autoritetin e Qeverisë. Masa në përgjithësi siç e theksuem nuk e ka komentuar shum por ka aprovuar se baba Fajo e Fejzo janë ken patriot të ndershëm dhe se kan luftue e drejtue çeta. Partizanë që në fillim dhe sidomos për Baba Fajon gjatë luftës. Demaskimi i Dedajt për veprën kriminale që ka krye ashtu vue në dukej nga ana e antarëve të Partisë kudo që nga populli janë kërkuar skjarime gjithashtu ndër biseda ndër rrethe të ngushta, asht demaskuar vepra e poshtër e Dedejt dhe paraqitja e baba Fajës dhe Fejzës si patriot.
 
P. Komitetin Qarkor të Partisë
  (Adil Çarçani)
 (firma, vula)

Nr. 93/4/                                                  3/IV/47.
 
Koçi Xoxe
 
     Në qarkun tonë nuk ka bektashjanë. Vrasja e Baba Fajës dhe e Baba Fejzos, nuk ashtë marë vesh akoma në tër Qarkun. Baba Faja, këtu njifet ma tepër si nji luftëtar udhëheqës i lëvizjes se sa fetar. Nga rrethet që njihet është folur me keq ardhje për vrasjen e tyre. Nji sheh reaksjonar nga Bicaj, ka biseduar me rrethin e vet se ata u vran pse kishin dalë nga dini. Nuk ashtë dëgjuar ndonjë koment tjetër nga populli.
 
Veis Gjebero
         
PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE               
KOMITETI QARKOR – BERAT                        
Vdekje fashizmit
Liri Popullit
Nr. 6/151 i prot.                                   
Berat, më 3/4/947
KOMITETIT QENDROR TË P.K.SH.
(Seksjonit Organo-Instruktor)
T i r a n ë
 
Gjegje radiogramit t’uaj Nr. 175/3 datë 31/III/947.
     Vrasja e Baba Fajës dhe Baba Fejzos u muar veshë vonë në Qarkun t’onë e sidomos në Skrapar ku ka shumë Bektashinjë. Më parë e muarëm vesh se vdiq për Baba Fejzon dhe jo për vrasje. Përpara se të bëhesh vrasja qarkulloj një parullë e cila doli nga Dëshnica dhe u përhapë në të gjithë Skraparin se Baba Fejzua u martua dhe flitshin keq për të duke thënë se dhe këta na kanë gënjyer deri tashti dhe tash kërkojnë të martohen. Ky nuk ishte një mejtim i përgjithshëm vetëm i disa reaksjonarve që nuk e kanë dashur Baba Fejzon dhe i disa pleqve fanatikë. Kurse disa të tjerë elementa të rinjë dhe njerz të lidhur me luftën e kanë aprovuar dhe kanë thënë se edhe ata njerzë janë duhet të martohen. Më mirë të martohen se sa të bëjnë ilegalisht. Në Skrapar ka dhe disa Baballar që janë reaksjonar dhe që në këto kohët e fundit kanë bërë Myhyp shumë persona dhe paju marrë taksin e zakonshëm të Myhypllëkut. Këta Baballarë janë më shumë ata të cilët e luftojshin Baba Fejzon sigurisht nëpër ato rrethet e tyre fanatike. Tash me vrasjen e Baba Fejzos në këto rrethe të këtyre Baballarve që e kanë qendrën andej nga Tomorrica dhe Potomi kanë folur kundra këtyre dyve dhe mundohen t’a paraqitin Deden si Shenjt. I vrau Baba Bektashi thonë se më nuk duroi mëkatet që ata dojshin të bëjshin. Nga ana e Qendrës së Çepanit e Therepelit nuk është ndjerë ndonjë gjë vetëm në raste të vogla. Kurse populli i këtyre krahinave i ka ardhur keq për Baba Fejzon, pse Baba Faja nuk njihet, dhe ka folur shumë kundra Dedes. Ne e njohim atë thonë ishte këlysh i Baba Kamberit gjakatar dhe ai si Baba Kamberi. Shokët e Partisë që punojnë n’ato vende ku ka Bektashinj po punojnë për t’a demaskuar veprën gjakatare të Dedes dhe avantazhi që kemi në këtë është se Baba Abazi njihet mirë në këto anë si mik i ngusht i kriminelit të Luftës Baba Kamberit dhe se Baba Fejzo njihet pse ka luftuar n’ato zona. Më zor është nga Tomorica dhe Potoni ku ka mjaftë fanatizëm, dhe ku qëndrojnë Baballarët e më sipërmë. Këta Baballarë janë mjaftë të korruptuar dhe nga kjo anë po kapemi n’axhitacjonin t’onë.
P. Komitetin Qarkor
(Reis Malile)
 (firma, vula)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet

Lirimi i Sali Berishës, Idajet Beqiri në ‘Frontline’: Thikë pas shpine për sistemin e drejtësisë, mund të prish provat si në 21 janar! Kikia: Sulmon gjyqtarët kur si pëlqejnë vendimet