“Një operacion që i kthen
buzëqeshjen gruas së gjymtuar”

TIRANE-Doktor Sokol Isaraj është kirurg plastik në Qendrën spitalore Universitare Nënë Tereza, në repartin e djegieve. Ai tregon për gazetën Shqiptarja.com se si një operacion plastik për rindërtimin e gjoksit mund të rikthejë buzëqeshjen te pacientet që kalojnë këtë patologji. Por në vendin tonë, edhe në këtë drejtim ka shumë pak informacion.
A kryhen në Shqipëri operacione të rindërtimit të gjoksit te gratë që pësojnë heqje të pjesshme apo të plotë pas një neoplazie? Nëse po, që kur dhe cfarë mundësie kanë gratë shqiptare për ta realizuar këtë ndërhyrje në vend?
Rikonstruksioni i gjirit është një operacion jo shumë i shpeshtë në vendin tonë. Shpjegimet janë të shumta, por ajo që mendoj se është aresyeja kryesore për një gjë të tillë është mungesa e informacionit. Në shumicën e vendeve të zhvilluara sot në botë, një gruaje që do t'i nënshtrohet heqjes së pjesshme ose të plotë të gjirit, i shpjegohen qysh në fillim opsionet e rikonstruksionit. Kjo në një farë mënyrë e ben atë më të fortë psikologjikisht për të përballuar luftën me kancerin. Nga ana tjetër tek ne akoma nuk ka ardhur koha që të gjithë së bashku, pacient dhe mjekë, të mendojmë për cilësinë e jetës. Cilësia e jetës është në thelb të rikonstruksionit të gjirit: askush nuk e mendon në një vend të zhvilluar që të jetojë një jetë të cunguar (në rastin tonë pa njërin apo pa të dy gjinjtë) në një kohë kur mundësitë e rindërtimit të tij ekzistojnë. Besoj që e kundërta ndodh në vendin tonë, ku shumica mjaftohen me faktin që të mundin kancerin.
Në vendin tonë kryhen operacione të tilla të rikonstruksionit të gjirit. Duke përjashtuar klinkat private, për të cilat është e vështirë që të dihet një informacion i hollësishëm, unë mund të pohoj se rikonstruksioni kryhet nga kirurge plastikë të Shërbimit të Djegies dhe Kirurgjisë Plastike (QSU "Nene Tereza") si dhe nga mjekët kirurgë onkologë. Janë këta të fundit që operojnë grate me kancer gjiri dhe që sipas njohurive të mia kanë tentuar të përdorin edhe disa teknika të rikonstruksionit të gjirit. Praktikisht mund të them se mundesitë e rikonstruksionit të gjirit tek ne ekzistojnë.
Eshte mundësia që ky operacion të kryhet në të njëjtën kohë me heqjen e tumorit, për të shmangur dy ndërhyrje kirurgjikale?
Rikonstruksioni i menjëhershëm i gjirit është i mundur. Por për një gjë të tillë duhen ngritur protokolle të përbashkëta me mjekët onkologë, për të përzgjedhur rastet që mund të përfitojnë nga një qëndrim i tillë. Aktualisht nuk besoj se ka akoma mundësi për rikonstruksion të menjëhershëm total të gjoksit, në një kohë që një gjë e tillë bëhet rëndom në qendra të përparuara në vendet e zhvilluara.
Ky lloj operacioni është i mundur vetëm në strukturat private?
Operacioni mund të kryhet si në strukturat shtetërore edhe në ato private. Përvoja botërore tregon që operacione të tilla janë pronë pothuaj gjithmonë e strukturave shtetërore, për shkak të kostos së lartë dhe për faktin se operacioni nuk konsiderohet si procedurë estetike por si një nevojë, dhe si i tillë përballohet nga sigurimet shëndetësore të pacientit. Eshtë një kategori rikonstruksionesh të gjoksit (Free flaps: DIEP, SGA, TGU, Free TRAMs, janë disa nga këto operacione shumë të sofistikuara që kryhen me mikroskop) që janë shumë të kushtueshme, kostoja mund të kalojë 50000 US. Vetëkuptohet që këto kryhen vetëm në struktura shtetërore.
Aktualisht mënyrat e rikonstruksionit të gjirit mund të përmblidhen:
a. me indet e vetë pacientes: levizet lëkure, dhjam dhe muskul prej kurrizit për në drejtim të gjoksit: operacioni quhet Lattissimus Dorsi Autolog;
lëvizet lëkurë dhe dhjam e muskul prej pjesës së poshtme të barkut, është e njëjta procedurë si bëhet për heqjen e dhjamit të barkut, por në vend që pjesa e "tepërt" të hidhet, përdoret për të rindërtuar gjoksin: operacioni quhet Lembo TRAM, dhe është ai që kryhet më shpesh tek ne për shkak së LDA rindërton vetëm masa jo shumë të mëdha gjoksi, kurse TRAM mund të ofrojë sasi më të madhe indi dhe prandaj mund të përdoret për rikonstruksione masash më të mëdha.
b. me ndihmën e një proteze silikoni:
vetëm proteza mund të përdoret shumë rrallë, sepse pas heqjes së gjirit, lëkura është e paket dhe si të thuash "nuk e mban" dot një protezë. Kështu që pothuaj gjithmonë përdoret edhe një procedurë tjetër që quhet "zgjerim i lëkurës" ("ekspandim kutan") i cili krijon një farë teprie lëkure dhe në një etapë të dytë futet proteza permanente e gjoksit.
c. sot përdoret edhe injeksioni me dhjam i gjoksit i kombinuar me një aparat që quhet BRAVA (i cili ushtron vakum për disa javë mbi lëkurën e gjoksit, në mënyrë që si të thuash të krijohet hapësirë për dhjamin që do të futet). Procedura megjithëse reklamohet më shumë forcë, ende nuk është përqafuar nga të gjithë me të njëjtin entuziazëm, dhe janë vetëm disa qendra të caktuara në të gjithë botën që ofrojnë këtë mundësi rikonstruksioni (që është edhe një mundësi për ato që duan të zmadhojnë gjoksin pa protezë)
Sipas eksperiencës suaj, si ndryshon gjendja fizike dhe psikologjike e një gruaje para rindërtimit të gjoksit dhe pas ndërhyrjes plastike që ju kryeni?
Përvoja ime në rikonstruksionit e gjirit nuk është shumë e pasur, megjithëse kam bagazhin e duhur teorik dhe praktik për të bërë pothuaj secilën prej teknikave të përmendura më sipër. Në fakt sapo jam kthyer nga USA, ku isha për një bursë të ofruar nga Shoqata Amerikane e Kirurgjise Plastike (ASPS) për International Scholars. Me anë të kësaj burse kisha mundësine të vizitoja klinika me emër shumë të madh në Karolinën e Veriut, Ëashington DC, Neë York. Rreth 60% e aktivitetit të këtyre klinikave kishte lidhje me rikonstruksionin e gjoksit, dhe jam shumë i lumtur që kam patur mundësinë të bashkëpunoj me emra nga më të njohurit në botë për rikonstruksionin e gjirit. Jo vetëm kaq por kam patur trainime në lidhje me këtë problem edhe në Irlandë dhe në Skoci. Megjithë këtë, ndoshta për arsyet që përmenda më sipër, rastet e rikonstruksionit nuk janë aq shumë sa do të duhet të ishin. Nga ajo përvojë që kam në lidhje me rikonstruksionin e gjirit, përshtypjet janë tejet pozitive. Në fund të procesit nuk ka asnjë pacientë që të mos ngelet e kënaqur, bile mund të them se shumica janë më shumë se thjesht të kënaqura. Rifitimi i një gjiri tashmë të humbur në një farë mënyre i kthen atyre buzëqeshjen, i jep mundësi të bëjnë një jetë normale pa patur nevojë të fshihen apo të mbulojnë mungesat që kanceri i ka shkaktuar. Shumica e pacienteve më kanë pohuar se kur mjeku onkolog i ka thënë se "tashmë jeni e lirë nga kanceri" për to ka filluar një jetë e re, por kur kanë dalë nga salla me një gjoks të rikonstruktuar, vetëm atëherë janë ndjerë se janë gati të fillojnë të jetojnë këtë jetë të re.
Ndoshta nuk kam hapësirë të citoj artikujt e duhur por shumica e përvojes botërore tregon se rikonstruksioni i gjoksit është një prej faktorëve që përmirëson dukshëm cilësinë e jetës, ndoshta duke edhe ndihmuar në luftën psikologjike kundër kancerit të gjirit.
(shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen