Me ftesë të drejtuesit të këtij departamenti, akademikut Artan Fuga, Guilliaume Bigot, që aktualisht drejton Shkollën e Menaxhimit dhe Biznesit në Paris, pasi ka prezantuar librin e tij “Tradhëtia e shefave”, ka bërë edhe një analizë mbi sistemin e krijimit të menaxherëve, probleme të lidershipit, marrëdhënieve që krijohen midis shefave dhe vartësve në një grup pune.
“Pse vartësit i binden shefave?”- pyet Bigot, i cili sqaron se kjo vjen për tre arsye: Frika ndaj ndëshkimit të shefit, interesi i personelit, admirimi ndaj shefit.
Në leksionin e tij, studiesi ka bërë një dallim interesant midis komandimit tradicional që bëjnë shefat, që ai e quan komandim ushtarak dhe komandimit menxherial. Një shef i mirë në kuptimin e suksesit të tij, duhet sipas studiuesit, të respektojë personalitetin e vartësit, të frymëzojë besimin e vartësit në vend të terrorit, ti bëjë të binden nga admirimi prej tij dhe ti kërkojë gjërat të realizuara në mënyrë absolute.
Por si mund të bëhemi shefa? Ku e ka origjinën ky nocion?
Sipas Bigot, nuk është më çështje cilësish gjenetike për tu bërë ose jo shef. Tashmë janë futur në lojë faktorë të tjerë. Në procesin e formimit të shefave janë futur rregulla artificialë. Këtu studiuesi e përmbledh idenë e tij me shprehjen e famshme të Aristotelit: Njeriu është kafshë politike!
Pse është i rëndësishëm një shef i mirë?
Autori na njeh me “Fenomenin e mashkullit sundues”. Kjo do të thotë se kur shefi është i dobët, i gjithë grupi do të përfitojë nga kjo duke dashur të bëhet sundues dhe kjo e përçan grupin, në vend që ta konsolidojë atë. Nëse shefi është i mirë, grupi bëhet më i mirë, nëse shefi është i keq, grupi bëhet më i keq. Gjithmonë në kuptimin profesional.
Bigot konsideron shumë të rëndësishme hierarkinë e grupit të punës, që duhet të legjitimohet nga koncepti i së mirës së përbashkët. Pushteti i shefit vlen vetëm kur ai njeh dhe respekton të mirën e përbashkët që e njeh i gjithë grupi. E njëjta gjë vlen për politikën. Kur pushteti nuk ndjek të mirën e përbashkët, legjitimiteti i tij mbaron.
Në mbyllje të konferencës, studiuesi francez tha se gjendja dhe marrëdhënia midis shefave dhe grupit, grupit dhe hierarkisë, pushtetit dhe të mirës së përbashkët, është kthyer mbrapsht. “Shefi është kudo, por nuk është askund, sepse ai po zhduket bashkë me grupin, hierarkia po zhbëhet, performanca nuk vlerësohet më në grup, por individualisht”, tha Bigot. Ai pohon se rol të madh në këtë ka luajtur edhe teknologjia që mundëson realizimin e çdo pune pa qënë e nevojshme prania e shefit.
Pra, sot në shoqëri, ata që dje ishin shefa të këqij, sot shfaqen si menaxherë “të mirë” dhe kjo sepse kur lidhjet miqësore zënë rol të madh në hierarkinë drejt majës së shefave, në krye dalin të pazotët.
Pas leksionit të mbajtur për më shumë se një orë, Bigott pati një bashkëbisedim aktiv me studentët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Tiranë.
Redaksia Online
(Alteo Hysi/shqiptarja.com)