Zhurma e fundit rreth aparaturës së përgjimit në Ministri të Brendshme, në të vërtetë po bën një skaner real, se si funksionon shteti shqiptar, dhe si komandohet ai ende nga Sali Berisha.

Nëse do të ishim një shtet normal dhe nëse ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, do të bënte një skandal, duke përgjuar ilegalisht politikanë me një aparaturë ilegale, atëhere piramida e shtetit duhet të funksiononte kështu: Shefi i Shërbimit Informativ, që mund t’i binte në dorë informacioni, duhet të njoftonte presidentin e Republikës dhe së bashku duhet të vinin në lëvizje Prokurorinë. Pastaj afera do të bëhej publike, do të shkruanin mediat, do reagonte opozita, natyrisht do fliste dhe Berisha.

Kjo është skema e një shteti normal.

Ajo që ndodh këtu është që flet Berisha, duke sajuar një histori, hesht SHISH, duke i hedhur benzinë zjarrit, dhe pastaj reagon presidenti i Republikës, duke u nisur nga zhurma në publik.

Kjo është panorama më e shëmtuar që nxjerr në dritë zhurma e sajuar, rreth aparaturës së përgjimit. Vetë mënyra se si kanë reaguar institucionet e larta të shtetit shqiptar, tregon jo vetëm mungesën e seriozitetit të shtetit, por dhe faktin që ata ndjehen ende vartës të Sali Berishës dhe reagojnë vetëm kur flet ai.

Në një shtet normal, kur një mashtrues paranojak si Berisha përflet emra si të përgjuar, ai thirret i pari për t’u hetuar, dhe pastaj institucionet e shtetit reagojnë mbi vërtetësinë apo pavërtetësinë e asaj gënjeshtre, e cila cenon deri sigurinë kombëtare të vendit. Por, tradita më e fundit që po përpiqen të konsolidojnë në Shqipëri treshja Nishani- Ajazi- Llalla, është që të vihen në lëvizje për deklarata të Berishës, pa hetuar Berishën.

Fjalal vjen, shteti u vu i gjithi në lëvizje pas denoncimit të Berishës për ndërhyrjen e Shullazit në Universitet, dhe mirë bëri, por kur gjatë hetimit, ata që citoi Berisha u tërhoqën nga deklaratat e tyre, Berisha nuk u thirr të hetohej dhe të nxirrte burimet e tij, duke rrezikuar ta lërë dhe Shullazin të lirë pas kësaj.

E njëjta gjë në rastin konkret. Berisha publikon një faksimile të sajuar vetë, fut dhe një shifër 375 zyrtarë të përgjuar, jep disa emra sipas fantazisë së tij, edhe perverse, edhe idiote njëkohësisht, dhe në finale reagon dhe presidenti i Republikës.

Nëse presidenti i Republikës është informuar nga letra që ka sajuar Berisha, ai , Ajazi dhe Llalla duhet të shkarkohen vetëm për këtë shkak, si persona të paaftë dhe shoqërisht të rrezikshëm me paaftësinë e tyre, pasi kanë përmbysur piramidën e shtetit dhe nuk kanë kryer detyrën e tyre.

Por, meqë kjo histori është sajuar sa të shtyjë dhe një javë kundër reformës në drejtësi, do përfundojë sërisht pa u hetuar Berisha dhe pa u marrë vesh kush janë ata 375 të përgjuarit.

E vërteta e hidhur është se shteti shqiptar vihet në lëvizje nga sajime politike të Berishës, i legjitimon ato duke sajuar dhe procedurë hetimi, dhe në finale, nuk hetohet vetëm burimi i dizinformimit.

Kjo nuk ka të bëjë me faktin se Berisha ndjehet i përgjuar apo opozitarë e pushtetarë ndjehen të rrezikuar nga një përgjim ilegal. Po të jetë për atë punë, më shumë të rrezikuar ndjehen socialistët në pushtet nga ndonjë përgjim illegal, se sa ata të opozitës. Të përgjosh këtë opozitë është të harxhosh energji kot, pasi ajo është personalizuar aq shumë nga Berisha dhe aksionet e tij personale, sa nuk ka nevojë ta përgjosh, por vetëm ta dëgjosh e ta lexosh dhe të flesh i qetë, se kanë shkuar për lesh.

Problem është se ky rast tregon se si Berisha, njësoj siç ka degraduar opozitën, ka degraduar dhe ato institucione të rëndësishme të shtetit shqiptar që kontrollon ende, për shkak të vesit që ai ka për të përdhunuar çdo gjë të vetën. Prokuroria, SHISH dhe Presidenca, ende ndjehen vartës të tij, dhe në vend që ne të informohemi prej tyre dhe pastaj të debatojmë me Berishën, ata informohen nga Berisha dhe reagojnë duke prodhuar debat politik.

Këto përgjime më shumë se sa na tregojnë a ka dashnore Mul Noka, a ka pirë Ben Ristani, apo çfarë brekësh ka blerë Armina, a ka hëngër aragosta Esmerlada Shkjau, apo a ka marrë dozën Berisha, na tregojnë një shtet jo serioz, deri në karagjozllëk, i cili është kthyer në një piramidë kokëposhtë, mbështetur ende tek Berisha.

Redaksia Online
Shqiptarja.com