TIRANE-Komisioni Hetimor Parlamentar i drejtuar nga PD për zgjidhjen e marrëveshjes me CEZ ka degjeneruar në fyerje personale mes kryetarit të komisionit Edmond Spaho dhe nënkryetarit Eduart Shalsi, në kohën që do të niste dëshmia me zv/ministrin e Financave, Erion Luçi.

Në këto kushte mbledhja u ndërpre vetëm pak minuta pasi kishte nisur.

Me rinisjen e seancës, i vetmi deputet i PS-së që qëndroi ishte nënkryetari i komisionit Eduart Shalsi, ku edhe në këtë rikthim të mbledhjes nuk kanë munguara akuzat.

Kreu i komisionit Edmond Spaho tha se duhet të dëshmojë dëshmitari ky në këtë çështje e që është zëvendësministri Luçi për të cilin artikuloi edhe akuza.

Nënkryetari Shalsi tha se nuk mund të thërriste në seancë një dëshmitar që paragjykohet duke ngritur akuza ndaj tij.

Në këto kushte, komisioni nuk e zhvilloi asnjë seancë dëgjimore me dëshmitarët pasi maxhoranca u largua dhe kishte mungesë kuorumi.

Kryetari Spaho tha se do t'i drejtohet kreut të Kuvendit me kërkesë për të shtyrë afatin e komisionit ndërsa njoftoi se të hënën do të vijë për të dëshmuar avokatja e shtetit, Alma Hicka si dhe dëshmitarë të tjerë.

Debati para se të ndërpritej mbledhja e komisionit
Eduard Shalsi: “Iu kërkoj të qëndrojmë orar e pa orar të zhvillojmë të gjitha seancat me dëshmitarët. Herën tjetër ikët për ndeshjen.”
 
Edmond Spaho: “Je i pafytyrë.”
 
Eduart Shalsi: “Palaço, karagjoz, s’të vjen turp je dhe goxha burrë. Të vazhdojë seanca, por jo me këtë gjuhë.”
 
Edmond Spaho: “Është e drejta juaj të vendosni si do silleni.”

Pas këtyre debateve Shalsi ka vendosur të ndërpresë seancën ndërsa është shprehur se mund të vijojë por jo me këtë gjuhë.

Pas një pushimi disa minutësh ku debati në komision ka vijuar me tone të larta pa praninë e medias, ka rinisur sërish me diskutime mes të pranishmëve.

Debati pasi rinisi mbledhja e komisionit
Eduart Shalsi: "Ju nuk mund t'i kërkoni dëshmitarëve sesi duhet të flasin. Bëni dhe deklarata. Nxirrni konkulzione para kohe".

Edmond Spaho: "Mora frymëzim nga Taulant Balla."

Eduart Shalsi: "U përballëm me skema të shëmtuara këtu, për fajin tuaj."

Eduart Shalsi: "Nëse doni t’i kthejmë normalitetin komisionit pavarësisht se çfarë mendojmë, formalisht të ruajmë dinjitetin e këtij komisioni. Por nuk u lejoj të abuzoni. Kërkoni të zgjasim afatin e komisionit, ndërkohë keni folur më shumë ju se sa dëshmitarët."

Edmond Spaho: "Vijoni të jeni hipokrit për 5 minuta. A do i thërrisni kolegët të vijnë në komision." (Nga PS i pranishëm vetëm Shalsi)
 
Edmond Spaho: "S’po na lini të bëjmë punën, po ndiqni strategji bllokimi dhe sabotimit te komisionit. Zonja Gjylameti i kërkoi Luçit të largohet, është dëshmitari kyç në këtë çështje. Silleni të flasë. Nuk i përgjigjeni asnjë prej thirrjeve tona për të lënë datë mbledhje."

Eduart Shalsi: "Për çfarë do ta pyesësh dëshmitarin apo për t’i thënë që janë vjedhur 300 mln euro."
 
Edmond Spaho: "Të ballafaqohet me akuzat, ti thirre dëshmitarin."
 
Eduart Shalsi: "Po bën gabim pasi e akuzon, pasi e paragjykon."

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com