“Poeteka”, Si u shua tradita

“Poeteka”, Si u shua tradita
Nisi në Durrës në vitin 2004 si një nga traditat më të mira të festivaleve në Shqipëri. Nuk i munguan poetët nga Shqipëria, as ftesat nga vendet e huaja. Çmimi i parë i festivalit mbante emrin “Unaza Poeteka”. Festivali ndërkombëtar i poezisë u zhvillua me sukses deri në edicionin e gjashtë me një program të pasur, ku media, autorë, vizitorë dhe turistë i jepnin qytetit turistik një pamje festive. Në këtë festival vunë “Unazën” e trofeve poetë të kalibrit si Maria Lusia Spaziani (Itali) në 2006-n, Casimiro De Brito nga Portugalia. Ai është i dyti pas Pesoa-s. Erdhën Claudia Keelan dhe shkrimtari i njohur Hart VVegner nga SHBA, poetja Fiona Sampson nga Anglia, etj. Në të shtatin edicion festivali e prishi traditën. Ministria e Kulturës (MKRS) nuk dha fonde. Nuk erdhën më poetët. Durrësi mbeti pa festival. Fama e tij u zbeh dhe një vit më parë ai u izolua në mjediset e Teatrit të Metropolit të Tiranës me lexime letrare. Këtë traditë nuk e prishi drejtori Arian Leka, i cili pasi e humbi betejën për ta ruajtur festivalin në atë lartësi që e ngjiti me aq mundim, nuk gjeti një rrugë më të mirë, veç përpjekjes për të mbajtur gjallë frymën akademike. Kur e pyet, jep një përgjigje tepër retorike për fatin e “Poeteka”-s. Na bënë të kuptojmë që ta lëmë të qetë, siç do bënte çdo humbës betejash të lavdishme...

Pse e humbi festival traditën?

Ministria e Kulturës nuk dha fondet. Që prej dy vjetësh ky institucion ka shkatërruar të gjitha festivalet e traditës. MKTRS nisi të prishte me radhë të gjitha tradita e festivaleve, të festivalit të poezisë në fillim, të teatrit, “Butrintin”, më pas, të festivalit të filmit me metrazh të shkurtër, etj. Edhe pse neni Neni 26. pika 1-a, citon përgjegjësinë e saj për festivalet, këto po shuhen. “Poeteka” ka hyrë në edicionin e tetë, pa e ndërprerë veprimtarinë e saj, por nuk është më një festival poezie i atyre përmasave. Ka një program aktivitetesh të bukura dhe me frymë sociale, duke mbijetuar nga përkrahja e AMSHC-së, Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile që jep Asistencë Financiare “për nisma qytetare në të mirë dhe interes të publikut”. Por a ishte misioni i “Poeteka”-s dikur... vetëm një gjest “në të mirë dhe interes të publikut”. Drejtori i këtij festivali, thotë variantin e tij në intervistën për Shqiptarja.com



I
Arian, si e keni filluar festivalin “Poeteka” sivjet?
-“Poeteka” ka filluar që në muajin shkurt. Projekti do të zgjasë 14 muaj. Mbështetja është prej AMSHC-së. Sot kishim një aktivitet në auditoriumin e Qendrës së Formimit Policor: “"Përkthimi - Gjithçka përkthehet... Gjithçka është përkthim...!". Profesor Edmond Tupja shpjegoi edhe fjalën status. Secili prej nesh është në një status të caktuar të cilin e braktis për një status të ri. Ky status mund të jetë një status poetik, jopoetik, mund të jete social, joprofesional dhe ne këtu kemi menduar që “Poeteka” të hyjë si ndërmjetës midis statusit aktual, statusit në kërkim midis botës së lektorëve. “Poeteka” do t’i vejë në dispozicion të komuniteteve të ndryshme ku do të ketë poezi, leksione si ky i sotmi, përkujtime, promovime të revistës me numrin e vet, poezi tematike siç ishte rasti i kolonës së “Ballkanit” që ne përurojmë pas pak ditësh, pas javës që vjen.


Duke trajtuar përkthimet, a është koha që ato të kenë një status?
-Ne zgjodhëm një grup, të cilët ndoshta nuk janë konsumatorët direkt të përkthimit letrar, por ata janë njerëzit që vihen përballë përkthimit shoqëror, janë ata që duhet të përkthejnë shoqërinë. Ata janë të ekspozuar ndaj përkthimit shoqëror. Menduan se ky është momenti që duhet ndërhyrë me një mesazh si ky i sotmi sesi duhet të përkthejmë gjuhën e njëri tjetrit, si duhet të futemi në gjuhën e njëri-tjetrit dhe kjo është pikërisht motoja që kemi zgjedhur.


Përdorja e Google Translate, futur në tekstet letrare dhe akademike, çfarë pasojash sjell?
-U shpreh në këtë aktivitet. Ne jemi në një auditor i cili e përdor fshehtas përkthimin automatik. Është një lloj i përkthimit pa praninë njerëzore, i përkthimit dinak përmes një instrumenti i cili zotëron një fjalor, por nuk ka një ndjeshmëri. Zotëron të gjithë inventarin e fjalëve, madje më shumë sesa kujtesa njerëzore, por nuk është i zoti t’i organizojë dhe t’u japë shpirt këtyre fjalëve. Është mënyra më e pashpirt që mund t’i afrosh një njeriu; të përkthesh me Google Translate.


Po problemet e përkthimit të letërsisë si qëndrojnë?
-Përderisa ne e konsiderojmë përkthimin punë dhe e kemi zhveshur nga misionet, që këtu fillon një problematikat e mëdha. Përkthimi nuk shihet si mision, se çfarë të marrim prej përvojës letrare dhe jo letrare të teksteve për t’ia sjellë kulturës sonë dhe çfarë kemi për t’u dhënë teksteve të tjera.

Le të kthehemi te fati i festivalit “Poeteka”, e cili vitet e fundit ka ndryshuar fushën e spektaklit, nga veprimtaria me poetët në Durrës shtyhet nëpër shkollat dhe auditorët?
-Nuk është ky qëllimi i ndryshimit të “Poeteka”-s. Besoj se shtatë edicione ishin më se të mjaftueshme për të shteruar të gjithë skenën poetike të produktit vendas dhe ftesës. Tani jam për një komunikim më ndryshe të poezisë në vetvete, por të poezisë dhe poetit si një instrument shoqëror të poezisë, si një mënyrë jetese. Synimi është për ta bërë poezinë një lloj besimi, jo për ta bërë poezinë një lloj kulti, ngaqë hyjnë vetëm ata që dinë, vetëm ata që njohin rregullat. Nuk ka të bëjë me strukturime që ndoshta ju i kishit në pyetjen tuaj. Ka të bëjë më projeksionin e ri...



II.


Një ditë nga “Poeteka 2012”

“Përkthimi” në bankat e Akademinë së Policisë


Organizatorët e festivalit “Poeteka” ishin në auditoriumin e Qendrës së Formimit Policor (Sauk, Tirane. Veprimtaria përmbante një ligjërate, bashkëbisedim dhe ilustrime rreth kontekstit ndërkulturor dhe social të "përkthimit" si term i hapur dhe domethënieve te tij në shoqëritë post-totalitare dhe ato të komunikimit masiv”. Tema ishte: "Përkthimi - Gjithçka përkthehet... Gjithçka është përkthim...!". I ftuar ishte profesor Edmond Tupja dhe moderator Arian Leka. Ç’domethënie ka koncepti "të përkthesh"? A shpreh ky koncept të njëjtën gjë kur kalon nga njëra shoqëri në tjetrën, nga njëra kulturë në tjetrën: çfarë mund të përkthejmë dhe ç'mbetet pa përkthyer në një komunikim brenda së njëjtës shoqëri dhe a mund t'i përkthejmë, për t'i bërë tonat, konceptet apo modelet e shoqërive të tjera? Përkthehet vetëm fjala apo tashmë gjithçka përkthehet dhe gjithçka është shndërruar në përkthim? Organizatorët duke qenë se edhe mjete të tjera sot përfillen si "gjuhë" ndërkomunikimi", kana trajtuar problemet si mund ta përshtatim dhe ta përkthejmë gjuhën, komunikimin, apo mënyrat sjelljes dhe të paraqitjes sa herë që vihemi përballë komunitetit. Gjithashtu në auditor u trajtua në kudër të “Poeteka 2000” edhe procesi i ndërmjetësimit, negocimit dhe interpretimit të këtyre mjeteve shprehëse, përkthyer si metagjuhë komunikimi, si dhe roli i kulturës në këtë komunikim. Një nga problemet më të mprehta është abuzimi kur përkthehet me Google Translate. ”Unë 40 nxënësve të mi ua ktheva detyrat, përkthimet, sepse i kishin bërë me Google Translate”, tha profesor Tupja, i cili bëri një paraqitje në rrafshe shkencore mbi praktikat dhe teoritë e përkthimit.

(DH.H/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)

Shkodër/ Digjen 2 makina, 4 minuta më pas hidhet lëndë plasëse pranë një banese! Identifikohet njëri prej autorëve (EMRAT)