TIRANË- “Prodhimi–kthesa drejt rritjes ekonomike”, kështu quhej forumi i mbajtur sot në Tiranë, një diskutim ndryshe për librin "Ditari i tranzicionit ekonomik" të Akademik. Prof. Dr. Anastas Angjelit. Në forum morën pjesë anëtarë të Akademisë së Shkencave, përfaqësues të mendimit ekonomik, përfaqësues të botës akademike, organizatave të biznesit, të medias, etj.
Gjatë diskutimeve në këtë forum nga të gjithë diskutantët u vu theksi në disa çështje.
“Kthesa drejt rritjes ekonomike është një kthesë që shkon drejt prodhimit, nëpërmjet ri-prioritizimit të ekonomisë dhe identifikimit të sektorëve prioritarë. Është e rëndësishme që ky proces riprioritizimi të shoqërohet edhe me një sërë reformash mbështetëse. Pra, politika duhet të vihet në mbështetje të ekonomisë dhe jo ‘vice- versa’”, u diskutua mes të tjerash në forum.
Sipas tyre, “Lehtësimi i identifikimit të faktorëve dhe mundësive të rritjes ekonomike, pra i sektorëve dhe industrive që duhet të kenë përparësi, përbëjnë domosdoshmëri për garantimin e rritjes ekonomike”.
 
QEVERITË, POLITIKA TË DUHURA PËR RRITJEN EKONOMIKE
“Në funksion të përmbushjes së objektivave të rritjes ekonomike, qeveritë do të duhet të adoptojnë politikat e duhura në mënyrë që të lehtësojnë zhvillimin e sektorit privat në një linjë me avantazhet krahasuese të vendit dhe të përfitojnë nga avantazhet hyrëse në tregjet e ndryshme. Kjo kërkon së pari, identifikimin e faktorëve dhe prioriteteve së rritjes ekonomike, që shoqërohet me gjenerim të punësimit dhe kushteve-kuadër të masave lehtësuese për të. Së dyti, marrjen në konsideratë të gjithë faktorëve të mësipërm, por, në veçanti, ata që ndikojnë më shumë, të cilët janë një kompozim relativ i resurseve natyrore, punës, kapitalit human dhe kapacitetit fizik, që në faza të ndryshme të zhvillimit janë të ndryshme. Së treti, mbajtjen në qendër të vëmendjes së sistemi i nxitjes së rritjes ekonomike (rritja ekonomike moderne) është një proces i vazhdimit të novacionit teknologjik, rritjes dhe diversifikimit industrial dhe përmirësimit të tipave të ndryshëm”.
 
KTHIM TE BUJQËSIA DHE FASONËT
Një nga sektorët më kryesorë të zhvillimit të ardhshëm post-tranzicion që është identifikuar mbetet ai i riaktivizimit të bujqësisë, peshkimit, turizmit, fasonëve dhe minierave.
I gjithë ky riprioritizim i ekonomisë, sipas diskutimeve dhe , duhet të mbështeten nga tre reforma të rëndësishme, siç janë: reforma rregullatore, reforma e sigurimeve shoqërore dhe e pensioneve dhe reforma në arsimin e lartë si dhe zhvillimi i shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.

Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)