Albania Rafting Group ka ndihmuar në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit aventurë dhe rafting në zonat rurale , në tërheqjen e një numri në rritje i turistëve në fshatrat e largëta, gjenerimin e të ardhurave për bizneset turistike lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës / mundësive rekreative për të rinjtë.
Kjo është vetëm një histori, të tjera na presin... Por ne nuk do të ndalemi me kaq. Pa dashur ta metaforizojmë, po ecim në rrjedhën lumit me ëndrrën për të shkuar larg, për të sjellë pranë vetes njerëz që e duan dhe e “trajtojnë” mirë vendin.
Edhe ata që nuk janë të tillë patjetër që mund të mësojnë sesi ti shërbejnë vendit dhe t’ia shtojnë vlerat Shqipërisë.
Ne do vazhdojmë të japim arsye, se ky vend mund të bëhet një potencial i rëndësishëm turistik në rajon. Në fund të këtij sezoni veror vërejme se turizmi detar, turizmi blu ka mbizotëruar turizmin në Shqiperi. Megjithatë deri më tani nuk ka qënë në fokus të strategjisë kombëtare zhvillimi real i turizmit. Gjërat kanë rrjedhur për inerci.
Turizmi është ekonomi, siguron punësim dhe të ardhura. Këtij qëllimi i shërben vetëm një turist i cili largohet i kënaqur nga Shqipëria. Deri tani është hedhur nje kapital i konsiderueshëm në zonën bregdetare, me inisiativë private dhe turisti nuk ka zgjidhje reale, por vendoset para shijes individuale të privatit.
Problemet e turizmit importohen nga viti në vit: ndërtimi gjatë vijës bregdetare pa kriter; studimet e fizibilitetit pranë zonave turistike nuk pasohen nga planifikime urbane; infrastruktura rrugore është ndërtuar si një e nevojshme e domosdoshme dhe jo duke u bazuar në impaktin në zonat turistike; mungon siguria e shëndetit dhe siguria ushqimore; nuk ka çertifikim dhe standartizim; ka mungesë te strukturave të ndërhyrjes së shpejtë dhe të njësive të kontrollit dhe monitorimit; modelet e tualeteve ekologjikë nuk i gjen në asnjë plazh publik; mungesë e vëmendjes së pushtetit vendor për pastrimin e plazheve, i cili është mjaftuar me dhënien me qira të hapësirave pranë bregdetit; vëmëndje e ulët e ruajtjes së trashëgimisë kulturore; sensibilizim i pakët për mbrojtjen e natyrës dhe mjedisit; nuk ka mjaftueshëm burimeve njerëzore në turizëm pasi nevojiten trajnime të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve njerëzore.
Zhvillimi i turizmit është i lidhur drejtëpërsëdrejti me degët e tjera të ekonomisë si bujqësia, industria e drurit, tekstilet, arsimimi dhe formimi profesional, mjedisi dhe shëndetësia. Çdo Ministri duhet t’i kushtoje rëndësi dhe pritoritet çështjeve që lidhen me turizmin. Edhe pse ekziston legjislacioni i linjës së parë ai duhet të pasurohet me vendime, akte rregullative të cilat vendosin kritere dhe e bëjnë zbatimin e tyre të detyrueshëm. Në rast të mos-zbatimi të parashikohet ndëshkimi përkatës. Produkti turistik duhet t’i përshtatet kërkesave dhe pritshmërive të konsumatorit. Nëse konsumatori largohet i kënaqur do të thotë që ne jemi duke e bërë mirë punën tonë.
Ne duhet të lobojmë me tregun vendas për të rritur fluksin e vizitave jo vetëm gjatë sezonit të verës. Me ofrimin e udhëtimeve rafting në bazë të stadardeve dhe normave të sigurisë, apo nëpërmjet itinerareve të ndryshme të aktiviteteve në natyrë ofruar nga të tjera kompani turistike, tëgjithë përpiqemi të orientojmë konsumatorin Shqiptar drejt produkteve turistike të cilat shërbehen përgjatë gjithë vitit dhe e shtyjnë atë drejt pushimit aktiv dhe argëtues.
Patjetër që mungesa e resorteve dimërore dhe e zhvillimit të turizmit të bardhë largon një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të shqiptarëve në vendet fqinjë. Reforma në ndarjen administrative patjetër që sjell të mira. Nuk është normale që brenda një territori të vogël të kemi kaq shumë njësi të pushtetit vendor, të cilat e bëjnë shumë të vështirë dhe të gjatë vendimarrjen për plane veprimi në një rajon të caktuar.
Një model i një ndarje administrative në njësi më të mëdha sjell rritjen e kapaciteteve kulturore dhe të natyrës për një territor të caktuar dhe rritjen e burimeve njërëzore si administratorë të mirë të planeve të integruara. Megjithatë ne kemi një trashëgimi shumë të madhe kulturore, e cila nis me parqet arkeologjike të antikitetit (më shumë se cdo vend tjetër i Ballkanit,përjashtuar Greqinë) për të vazhduar me muzeumet, artin dhe artizanet, folklori, kulinaria, natyra e pakrahasueshme e deri te njerëzit e shquar.
Ne nuk mund të konkurrojmë me vlera të importuara. Zakoni dhe traditat e shumëllojshme nga njëra krahinë në tjetrën tregojnë për autenticitetin që gjen në Shqipëri, prandaj ne duhet të ndërtojmë një turizëm të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Ne mund të edukojmë njëri-tjetrin e të bashkëpunojmë që të ofrojmë shërbime turistike me impakt sa më të ulët në mjedis dhe duhet të përpiqemi të ruajmë shpirtin shqiptar. Gjatë këtyre 10 viteve ne zhvilluam një produkt turistik me standarde ndërkombëtare.
Por jo vetëm kaq. Rafting na mësoi të jemi një skuadër, të kemi një synim të përbashkët dhe të kemi ritëm të njëjtë, në mënyrë që të mund ta përshpejtojmë. Ne arritëm të hedhim hapin tonë të vogël, por të rëndësishëm drejt projekteve të mëdha dhe drejt realizimit të synimit tonë kryesor: kthimin e vëmëndjes dhe tërheqjen e investimeve të mëdha dhe të përgjegjshme drejt zonave te braktisura dhe të harruara të Shqipërisë, thesareve të natyrës tonë. Një ëndërr që e sheh vetëm mbetet thjesht nje ëndërr, ajo që ëndërrohet së bashku kthehet në realitet. Mirënjohje të gjithëve ju qe na keni ndjekur dhe mbështetur. Faleminderit që jeni bërë pjesë e skuadrës sonë!
Shkrimi u publikua sot (27.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)