“Raprezalje” pas fitores të së majtës

“Raprezalje” pas fitores të së majtës
TIRANE - Pas fitores masive të së majtës shqiptare në zgjedhjet lokale të vitit 2011, qeveria është hakmarrë, po ashtu masivisht, duke ulur në nivelin minimal fondet nga buxheti qendror. Kjo ka ndodhur në një kohë kur janë rritur shpenzime për paga e shpenzime të tjera operative të qeverisjes qendrore.

Sipas USAID-it, aktualisht, qeveritë vendore në Shqipëri, jo vetëm që nuk janë duke marrë të njëjtën sasi të të ardhurave totale - të shprehur si përqindje e PBB-së - si 10 vjet më parë, por ato tani janë duke marrë më pak tek të ardhurat totale publike se çdo vit më parë, që nga viti 2002.

Të ardhurat e qeverisjes vendore në raport me PBB-në, si dhe në raport me të ardhurat publike, janë rritur në mënyrë të konsiderueshme në periudhën 2002-2007, arritën kulmin në vitin 2009, por ranë me shpejtësi në vitet 2010 dhe 2011.

Kjo rënie është mjaft e habitshme duke pasur parasysh faktin se, si PBB, ashtu edhe totali i të ardhurave publike, është rritur, në fakt, me mbi 30% (në terma nominalë) midis viteve 2007 dhe 2011.

Gjatë vitit 2010 dhe 2011, edhe pse rritja e PBB-së në total ishte gati 15%, shpenzimet publike pësuan rënie në nivelet e 28.6% të PBB-së, ndërsa shpenzimet vendore ranë në nivelin më të ulët të raportuar ndonjëherë, në 2.1% të PBB-së dhe 7.5% të shpenzimeve të përgjithshme publike.

Në 2012-n, shifra u ul edhe më tej, në gati 2%. Situata për shpenzimet vendore në Shqipëri mbetet në nivel mjaft të ulët në krahasim me vendet e Bashkimit Evropian, thekson raporti, ku nivelet e shpenzimeve publike nën-kombëtare llogariten mesatarisht në 12.7% të PBB-së dhe 25.7% e shpenzimeve publike.

Qeveria është bërë pengesë për një rritje të të ardhurave të bashkive e komunave të caktuara. Me nxjerrjen e rregulloreve administrative, për shkak të politikës së shtrënguar të borxhit të qeverisë qendrore, huamarrja e qeverisjes vendore është tkurrur shumë, pasi ajo ka filluar të zbatohet përmes lëshimit të urdhëresave administrative të ministrisë së Financave, thekson USAID.

Duke vënë në dukje se qeveritë vendore do të ndjejnë peshën më të madhe të politikave kombëtare për reduktimin e borxhit publik. Në të gjithë Programin e Ekonomik dhe Fiskal 2012-2014 nuk thuhet asnjë gjë për strategjinë e Qeverisë për huamarrjen vendore, për disbursimet e kredive ekzistuese që janë bllokuar nga urdhrat administrativë, dhe çdo gjë i lihet diskutimit të buxhetit vjetor.

USAID kritikon edhe faktin që taksat e pasurisë në Shqipëri (në vitin e tyre të pikut të mbledhjes) përbëjnë një pjesë të papërfillshme të PBB-së, krahasuar me vendet e tjera në rajon, vetëm 0.1%.

Agjencia e SHBA thekson se Shqipëria duhet të rishqyrtojë kuadrin ligjor për grantet e transfertat që të rrisë stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe parashikueshmërinë e të ardhurave të pushtetit vendor. Teorikisht, kjo duhet të bëhet përmes hartimit të një ligji gjithëpërfshirës për financat e pushtetit vendor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë