Zyrtarë të Bostonit dhe shteteve të tjera në ShBA, kanë reaguar ashpër kundër kopertinës që ka zgjedhur revista “Rolling Stone”, ku shihet fotografia e sulmuesit të dyshuar për shpërthimet në Maratonën e Bostonit, Dzokhar Tsarnaev.

Kryebashkiaku i Bostonit Thomas Menino tha se faqja kryesore e publikuar, paraqet një shije të keqe, pasi i ofron Tsarnaev trajtimin e një “personaliteti të famshëm”.

Rolling Stone ka lëshuar një komunikatë më vonë, ku ka mbrojtur përzgjedhjen e saj, duke thënë se ajo reflekton “përkushtimin e gjatë të Rolling Stones për një mbulim serioz dhe të kujdesshëm, të ngjarjeve më të rëndësishme politike dhe kulturore të ditës”.

Për shkak të protestës publike, disa biznese amerikane kanë thënë se nuk do të shesin numrin e ardhshëm të revistës.
 
Tsarnaev është i akuzuar për vrasjen e tre njerëzve dhe plagosjen e 260 të tjerëve në Maratonën e Bostonit më 15 prill.

Bashkë me vëllain e tij, ata kanë përpunuar dy bomba artizanale. Tsarnaev është shprehur i pafajshëm për të gjitha akuzat në ditën e parë të gjykimit kundër tij.

Ai është i vetmi i akuzuar në këtë rast, pasi forcat policore i vranë të vëllanë gjatë operacionit të kapjes së tyre.

Marrë nga Evropa e Lirë
(v.gj/shqiptarja.com)