Një situatë e tillë vazhdoi edhe për disa vite pas ’90, por me ndryshimet demografike dhe urbanistike lagjes i ra shkëlqimi i dikurshëm. Por një gjë nuk ka ndryshuar prej shumë e shumë vitesh,emri i kësaj lagjeje, Sefer Efendiu. Nga kjo lagje kanë dalë figura të shquara që kanë kontribuar në fusha të ndryshme.E fundit është politikania Grida Duma banore e hershme e kësaj lagjeje.
Por cili ka qenë ky personazh që mundi ti rrezistojë kohëve dhe sistemeve politike?Si në kohën e diktaturës por edhe në demokraci emri i Sefer Efendiut mbeti i gdhendur në krye të rrugës. Historia e Sefer Efendiut vazhdon të tregohet nga brezi në brez në qytetin e Durrësit.Në fakt personazhi quhej Sefer Kazazi por Efendi është titulli që ju dha në fillim të shekullit të kaluar kur u shpall hafiz dhe atij i mbeti emri Sefer Efendiu që durrsakët e vjetër e shqiptojnë efeniu duke e ngrënë gerëmn “d”.
Është pikërisht Sefer Efendi Kazazi ai që u vendos në këtë zonë të Durrësit dhe që krijoi lagjen e cila mori emrin e tij.Kjo u arrit në sajë të aktivitetit të tij ekonomik dhe patriotik duke ndikuar edhe në formimin e banorëve të kësaj lagjeje që u vendosën aty në pronat e tij dhe me miratimin e tij. Në fillim ata që u vendosën rrëzë kodrës u punësuan në aktivitetet e tij ekonomike e më pas morën zanate dhe i ushtruan ato në mënyrë private.
Në formimin e tij,Sefer Efendiu ishte ushtarak,arriti të marrë gradën e kolonelit të ushtrisë së Perandorisë turke, por një ngjarje në Bosnjën e asaj kohe, ku ai shërbente, ja ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës.Një vrasje e kryer prej tij gjatë nje sherri me një ofiqar turk i cili i preku sedrën kombëtare, bëri që Sefer Efendiu të nxjerrë nga milli shpatën dhe të mos e fusë përsëri aty pa i prerë kokën atij që i ofendoi vatanin.Më pas ai doli përpara gjyqit ushtarak i cili e dënoi me vdekje dënim i cili më pas u transformua në syrgjyn në Cadin e largët falë ndërhyrjes së nënës së tij siriane nga nje derë mjaft e pasur.Florinjtë e saj i shpëtuan jetën Sefer Efendiut por edhe ndërhyrja e Gani Toptanit,atëherë pjesë e shpurës së Sulltan Hamitit ndikoi në fatin e tij.
Rauf Kazazi,Mjeshtër i Merituar i Sportit”tashmë 83 vjecar,është nipi i Sefer Efendiut.Ai rrëfen jetën e gjyshit të tij që ngjan me përrallat e Një mijë e netëve por që në fakt është jeta e vërtetë e Sefer Efendi Kazazit.
Cila është origjina e fisit Kazazi?
Ne jemi me origjinë nga Tirana, por gjyshi jonë, Seferi i famshëm, u vendos në Durrës për shkak të rrethanave të jetës së tij.
Cila është historia e Sefer Kazazit apo e Sefer Efendiut sic e njohin durrsakët?
Unë e di historinë e familjes sonë që nga koha e Mahmud Kazazit stërgjyshi im dhe babai i Sefer Kazazit.
Mahmudi, falë aftësive të tij arriti të bëhej oficer madhor në ushtrinë turke që në atë kohë sic dihet ka qenë shumë e fuqishme.Disa vite shërbimi ai i kreu në Siri.Po në Siri ai u dashurua me një vajzë që u bë edhe gruaja e tij.Ajo quhej Sabrije. Me Sabrijen ai pati vetëm një djalë, Seferin.
Seferi u lind në Tiranë në vitin 1857.Kazazët ishin një fis i njohur dhe me miq të shumtë. Prindërit u kujdesën për edukimin dhe arsimimin e djalit të tyre Seferit.Babai Mahmudi zgjodhi karrierën ushtarake për djalin e tij.Kështu në moshën 14 vjecare e regjistroi në shkollën e kadetëve në qytetin e Manastirit.Po në këtë shkollë, disa vite më vonë studioi edhe Mustafa Qemal Ataturku.
Pasi përfundoi mësimet në Manastir ai shkoi në Stamboll për të vazhduar studimet më tej në Akademinë Ushtarake.Në Stamboll ai u formua jo vetëm si ushtarak por edhe si njeri me vlera të larta por edhe me dashurinë për vendin e tij. Kjo edhe për shkak të kontakteve të shumta me patriotë shqiptar të vendosur në kryqytetin e Perandorisë më të madhe të kohës. Në atë kohë rilindasit tonë kishin krijuar”Shoqërinë e Stambollit”.
Kur ende ishte me studime në shkollën e kadetëve,në moshën 17 vjecare,mori pjesë në luftimet e ushtrisë osmane në Kaukaz ku u dallua për trimëri dhe aftësi ushtarake. Pasi përfundoi akademinë në Stamboll me rezultatet të larta,ai u emërua oficer madhor në Bosnje me detyrën e komandantit të garnizonit pranë Urës së Mbrostarit.
Edhe pse në shërbimin e ushtrisë turke ai kishte manifestuar qëndrime kundër pushtimit turk të Shqipërisë.Në këto kushte ai shoqërohej me ushtarakë shqiptarë që shërbenin në ushtrinë osmane.Dicka e tillë kishte rënë në sy të shërbimeve sekrete të ushtrisë turke.Sidoqoftë ai ishte graduar me gradën e kolonelit. Ndërkohë ishte martuar me një grua boshnjake me të cilën pati dy vajza.
Cila ishte karriera e Sefer Efendiut?
Një ngjarje e pazakontë do ti jepte jetës së tij një rrjedhë krejtësisht tjetër.
Një mbrëmje në Mostar,ai shkoi në një prej kafeneve e cila frekuentohej nga ushtarakë dhe ofiqarë të qytetit.Atje nisi të këndojë një këngë shqiptare dhe i kërkoi orkestrës që ta shoqëronte.Por në lokal gjendej gjithashtu edhe një funksionar turk me detyrë diplomat me gradën kolonel.Ai e ofendoi Seferin duke i thënë “Pis Arnaut Shqipëria nuk ekziston”.Kjo fyerje nuk u kapërdi prej tij dhe i kërkoi menjëherë duel diplomatit.Pa e zgjatur nxorri shpatën nga milli dhe e goditi turkun mbi supe duke i prerë kokën.
Lajmi u përhap me shpejtësi dhe ai u arrestua dhe u burgos.Më pas doli përpara gjykatës ushtarake e cila i dha atij dënim me vdekje me varje në litar. Lajmi shkoi menjërë në familjen e Seferit në Tiranë.Prindërit u alarmuan dhe u vunë në lëvizje për të shpëtuar djalin e tyre. Nëna Sabrija menjëherë shkoi në vendlindje në Siri ku mori pasurinë e saj të konvertuar në florinj në mënyrë që të paguante faljen e jetës së të birit.
Vec kësaj prindërit e Seferit trokitën në derën Toptanëve me të cilët kishin miqësi.Njëri prej djemve të këtij fisi,Gani Toptani, ishte pjesë e shpurës apo e grupit të shoqërimit të Sulltan Hamitit.Ishte njeri shumë i besuar i tij.Flitej që ai ishte edhe kontrolluesi i gjellëve që konsumonte sulltani.
Florinjtë e shumtë dhe ndërhyrja e Ganiut pranë sulltanit ndikuan në vendimin e këtij të fundit për ti falur jetën Seferit.Atij ju dha dënim me burgim të përjetshëm.Trupi gjykues vendosi që dënimi të kryhej në Cad ,shtet në Afrikë,në atë kohë i pushtuar nga Turqia.
Si vijoi më tej aventura e Sefer Efendiut?
Në burgun e Cadit ai u njoh me një kosovar që quhej Vesel me të cilin u bë vëllam.Në burg sëbashku ata mësuan shumë zanate si punimin e tokës, kultivimin e bimëve,mbjelljen e pemëve,përpunimin e mëndafshit,endjen me vegjë,pjekjen në furrë,hapjen e puseve etj.
Sëbashku me Veselin qëndruan në këtë burg 13 vjet dhe gjatë mësimit të këtyre mjeshtërive përpunuan me kujdes edhe një plan arratisje nga burgu.
Si u arratisën?
Seferi si ushtarak i zoti kishte studiuar me imtësi vendosjen e rojeve,mënyrën dhe kohën e ndërrimit të tyre,vendet ku ata nuk mund ti mbulonin me shikim si dhe pozicionet se nga mund të kalonin muret rrethuese dhe elementet e tjerë të sigurisë. Kështu një natë të errët,kur binte edhe shi,ata arritën të arratisen falë planit të përgatitur me sukses.Fillimisht vranë 2 roje dhe më pas u hodhën nga muri i lartë.
Nisi për ta marshimi nëpër shkretëtirën e Saharasë.Një udhëtim mjaft i vështirë në kushtet e mungesës së ushqimit dhe të ujit.
Pas 3 ditësh endje në shkretëtirë fati i buzëqeshi.Kontaktuan me një ekspeditë angleze.U dorëzuan te ata.Aglezët u kujdesën për dy shqiptarët dhe falë tyre përfunduan në Londër.Disa ditë në spitalin e Londrës ju ktheu atyre forcat dhe energjitë e humbura.Në Londër dy miqtë u ndanë.Seferi vendosi të kthehej në Shqipëri kurse Veseli mbeti në kryeqytetin britanik ku ra në dashuri me një angleze me të cilën edhe u martua. Vite më vonë, në shenjë kujtimi për mikun e babait të tij,Hamdiu,djali i vetëm i Seferit do tja vinte emrin Vesel njërit prej djemve të tij.
Përse u vendos në Durrës gjyshi juaj?
Fillimisht Seferi qëndroi gjysëm ilegal pasi kishte frikë se mos zbulohej dhe arrestohej.Por më vonë,pas revolucionit xhonturk ai përfitoi nga amnistia e sulltanit dhe ju kthye jetës normalisht.
Vendosja e tij në Durrës ishte sugjerim që atij ju bë nga oficerë sirianë në shërbim të Turqisë.Ata e shikonin me sy të mirë atë falë origjinës dhe emrit të mirë të familjes së nënës së tij por edhe pasurisë që gëzonte.
Si rrodhi jeta e tij në Durrës?
Ndërkohë që kishin rrjedhur gjithë këto vite,gruaja boshnjake dhe njëra nga vajzat kishte vdekur. Ai kishte para të trashëguara nga nëna e tij.Në Durrës u martua me një grua të ve mjaft të pasur gjithashtu.Ajo quhej Hajrije Hima.Sëbashku patën tre fëmijë.Dy vajza dhe një djalë.Djali ishte Hamdiu që u bë babai im,natyrisht pasi u martua.
Kapitalin e tij vendosi ta kthejë në pasuri të patundëshme.Bleu toka ose më saktë bleu kodrën që mori më vonë emrin e tij. Kodra në atë kohë ishte e gjitha e mbuluar me ferra dhe driza dhe krejtësisht e pabanuar.Përveshi mëngët dhe i hyri punës për shpyllëzimin e kodrës dhe për sistemimin e saj.Deri në fillim të viteve ’90 të gjithë e mbajnë mend gjelbërimin e hijeshinë e kësaj kodre. Më pas mbolli pemë dhe një plantacion me mana ku nisi të kultivojë krimbin mëndafshit dhe përfitimin e pëlhurës së shtrenjtë.
Në vitet në vazhdim e gjithë kodra u mboll me pemë frutore si mollë,dardhë,vishnje,mushmolla etj.Nisi të hapë puse uji falë njohurive topografike që kishte mësuar në akademinë ushtarake. Në këtë mënyrë nisi edhe popullimi i kodrës.Fillimisht ishin punëtorët e tij ata që ndërtuan shtëpitë rrëzë kodrës.Më pas u vendosën edhe të tjerë banorë.U ndërtua një lagje model sepse Seferi i kushtonte kujdes sjelljes dhe moralit të banorëve të cilët i ndihmonte deri në faljen e trojeve për ata që nuk kishin të ardhura.
Po jeta sociale e Seferit cila ishte?
Ai ishte patriot.Ishte arsimdashës dhe bujar.Në vitin 1913 sëbashku me Mustafa Merlikën,pavarësisht se nuk ushqente rrespekt për të,bashkëpunoi për hapjen për herë të parë të shkollës shqipe në qytetin e Shijakut me drejtor Mustafa Kruja.Kjo shkollë u hap me paratë e Seferit.U gëzua kur u ndërtua shkolla amerikane që u quajt edhe shkolla e Fulcit.Kjo shkollë u ndërtua në Golem që në atë kohë i përkiste Durrësit.
Në vitin 1912 e gjejmë në mbrojtje të Ismail Qemalit në Durrës.Me datën 20 nëntor plaku i Vlorës zbarkoi në Durrës ku u prit nga patriotët e këtij qyteti.Padyshim mes tyre ishte edhe Sefer Efendiu i cili kishte vrarë kolonelin turk se i pati sharë atdheun.Ismail Qemali u vendos në pallatin ku më vonë u vendos edhe Princ Vidi.Aty ai takoi patriotët durrsakë.Firma e Sefer Efendiut gjendet mes 31 firmave të përfaqësuesëve durrsakë për shpalljen e pavarësisë së vendit.Emri i tij është shkruar pranë emrave të Neki Libohovës,Hafiz Ali Podgoricës,Sabri Dermanit etj.
Më vonë bëhet pjesë e klubit patriotik “Bashkimi” dhe sëbashku me Abdyl Ypin gjenden në krah të Avni Rustemit në mbrojtje të cështjes kombëtare. U nda nga jeta në vitin 1924. Sot fatkeqësisht nga kodra që mban emrin e tij ka mbetur vetëm legjenda e Sefer Efendiut.
Lëvizjet demografike dhe uzurpimi i kodrës kanë sjellë betonizimin e saj.Ndërsa Raufit i mbetet të kënaqet nga ajo që ka mbetur si kujtim i asaj kohe.I gëzohet pusit që ka në shtëpi e që e ruan si relike e kohëve të vjetra.Ky pus për cdo ditë i kujton gjyshin që bëri emër të madh.
[gallery]25464[/gallery]
d.b/shqiptarja.com